1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

031210 OSZE-Gipfel Abschluss

Angelina Verbica3 Dhjetor 2010

Takimi i nivelit të lartë i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE), përfundoi pa një marrëveshje të qartë për kursin e ardhshëm të organizatës.

https://p.dw.com/p/QOlP
Presidenti i Kazakistanit Nasarbajev me kancelaren gjermane MerkelFotografi: AP

Të deleguarit nga 56 vendet anëtare të premten në mëngjes (3.12.) miratuan në kryeqytetin e Kazakistanit Astana një deklaratë përfundimtare, por ajo në pjesën më të madhe përmban deklarata të përgjithshme për punën e OSBE-së.

Skena ishte thuajse sureale

OSZE Gipfel Tagung Astana
Ndërtesa e konferencës së OSBE-sëFotografi: DW/Esther Broders

Jashtë frynte një erë e akullt, që vinte nga stepa kazake, forcat e policisë qendronin jashtë në të ftohtë në dritën e neonëve. Në lagjen qeveritare të Astanës, të rrethuar nga forcat e sigurisë, nuk shihej asnjë njeri. Të gjithë prisnin të shihnin më në fund tymin e bardhë, shenjë e arritjes së kompromisit, por brenda në dhomat e mbingrohura, tymosnin vetëm kokat e pjesëmarrësve. 56 kombe në polemikë me njëri-tjetrin. Çështja themelore: a janë të drejtat e njeriut më të rëndësishme, apo në të ardhmen duhet të luajë rol qendror politika e përbashkët financiare dhe e sigurisë? Një pyetje së cilës Rusia i përgjigjet krejt ndryshe nga SHBA-ja apo BE-ja. E gjitha kjo në mes të natës. Për një fije samiti do të kishte dështuar. Një turp për qindra politikanë dhe diplomatë. Në fund ata u përpoqën t'ia kursenin këtë vetes dhe mikpritësit të samitit Kazakistanit. "Unë besoj se OSBE-ja nuk është e përgatitur sa duhet për krizat financiare dhe ekonomike. Por ajo duhet të kujdeset për to. Çdo organizatë ndërkombëtare, e cila synon të punojë në mënyrë solide, duhet të kujdeset në këto kohëra më shumë për çështjet e financave dhe ekonomisë." Kështu u shpreh presidenti i Kazakistanit Nusarbajew, i cili sa i takon të drejtave të njeriut edhe sipas kritereve të OSBE-së, nuk bën gjithnjë figurë të mirë.

Frontet ishin përcaktuar qartë

Nursultan Nasarbajew
Nursultan Nasarbajew, Presidenti i Kazakistanit gjatë samitit të OSBE-sëFotografi: DW

Kur është fjala për të ndihmuar në zhvillimet demokratike, OSBE-ja ka traditë të gjatë. Ajo dërgon vëzhgues në zonat e krizave dhe kujdeset për respektimin e të drejtave të qytetarëve. Por shumë vende anëtare e shohin këtë si ndërhyrje në punët e tyre të brendshme. Në fund triumfuan BE-ja dhe amerikanët. OSBE-ja nuk do të bëhet një zëvendëse e NATO-s, apo një klub për çështje ekonomike. Për këtë ambasadori gjerman në OSBE, Herbert Salber është i gëzuar: "Mendoj se ishte me vlerë të thuhej kjo pikërisht këtu në Astana."

Pra OSBE-ja do të kujdeset edhe në ardhmen për të drejtat e njeriut në të gjitha vendet anëtare. Ky kurs i ardhshëm i organizatës u miratua në fund me një "Po" të sforcuar edhe nga skeptikët. Pas lëshimeve nga Gjermania, u vendos që vendet anëtare të OSBE-së, të tronditura nga krizat, të mos detyrohen të fillojnë menjëherë zgjidhjen e problemeve të tyre të brendshme. Fjala është në radhë të parë për Rusinë, Gjeorgjinë dhe Moldavinë.

OSZE Gipfel Tagung Astana
OSBE-ja model i vjetëruar?Fotografi: DW/Esther Broders

Në fund të 56 vendet anëtare u zotuan në deklaratën e përbashkët, të respektojnë rregullat e lojës në demokraci dhe të drejtat humanitare. Por kjo vetëm në letër. Nëse një vend i shkel rregullat, anëtarët e tjerë kanë pak mundësi të veprojnë: "Këtë nuk mund ta bëjmë. Duhet të kemi parasysh edhe se jo të gjithë e shohin problematikën e të drejtave humanitare nga këndvështrimi i Perëndimit", thotë ambasadori gjerman në OSBE, Herbert Salber

A është OSBE-ja një model i vjetëruar?

Në fund të samitit nuk viheshin re thuajse fare të përbashkëta. Megjithatë: OSBE-ja do të vazhdojë të ekzistojë. Do të punojë si deri tani, dhe nuk do të përzihet shumë aty ku nuk është e dëshiruar. Pra në vend të një ere të re, një zgjatje afati ekzistence.

Autor: Andreas Meyer Feist

Redaktoi: Angjelina Verbica