1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moska njofton manovër ushtarake në shkallë të gjerë

21 Janar 2022

Ndërkohë që janë intensifikuar përpjekjet diplomatike për shmangien e konfliktit në Ukrainë, ushtria ruse demonstron forcë. SHBA u lejojnë vendeve të Baltikut furnizimin e armëve në Kiev.

https://p.dw.com/p/45rdP
Russland | Militärübung Zapad-2021 in der Kaliningrad Region
Fotografi: Vitaly Nevar/REUTERS

Në kulmin e tensionit lidhur me Ukrainën, lidhur edhe me shqetësimin e Perëndimit nga ndërhyrja e ushtrisë ruse në vendin fqinj, Rusia ka njoftuar për një manovër ushtarake në shkallë të gjerë në Atlantik, Arktik, Paqësor dhe në Mesdhe. Në stërvitjen e planifikuar për në janar dhe shkurt janë përfshirë gjithsej më shumë se 140 anije, mbi 60 aeroplanë dhe 1000 pajisje të tjera ushtarake, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes në Moskë, sipas të dhënave të agjencive ruse të lajmeve. Rreth 10.000 ushtarë do të marrin pjesë në këtë manovër.

Ministria ruse e Mbrojtjes shpjegoi, se qëllimi kryesor i stërvitjes së planifikuar është "mbrojtja e interesave kombëtare ruse në oqeane dhe për t'u bërë ballë kërcënimeve ndaj Rusisë prej oqeaneve".

Devijim përmes Baltikut

SHBA u lejojnë shteteve baltike, që të furnizojnë në Ukrainë armët e prodhuara në SHBA. Ministria e Jashtme e SHBA-së njoftoi, se Estonia, Letonia dhe Lituania si dhe Britania e Madhe kanë marrë lejen që nga arsenalet e tyre të dërgojnë në Ukrainë pajisje ushtarake të prodhimit nga SHBA, por nuk janë dhënë detaje për llojin e armëve. Një person i besuar me këtë proces, tha se Estonia lejohet të furnizojë në Ukrainë armë artilerie Javelin dhe Lituania raketa të mbrojtjes ajrore Stinger.

Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Arvydas Anusauskas, i konfirmoi agjencisë së lajmeve AFP furnizimet e planifikuara me armë për në Ukrainë. "Ne kemi vendosur të dërgojmë armë dhe të tjera ndihma, por nuk mund të përmend detaje", deklaroi ai.

Bazuar në rregulloret e kontrollit të eksportit të armëve shtetet duhet të marrin lejen e Ministrisë së Jashtme të SHBA-së, përpara se të dërgojnë në vende të treta armë të marra nga SHBA-ja.

 

 

qu/se (rtr, afp ,dpa)