1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vazhdon kriza e Spanjës

Elert Ajazaj26 Qershor 2012

Një javë pasi Spanja kërkoi ndihmë për të mbështetur bankat, agjencia e vlerësimit Moody's uli notën e besueshmërisë për 28 banka spanjolle.

https://p.dw.com/p/15LPs
Fotografi: AP

Agjencia amerikane e vlerësimit Moody's ka ulur kredibilitetin e 28 bankave spanjolle. Sipas bankave notat e kredibilitetit u ulën me një deri katër shkallë, bëri të ditur Moody's në Nju-Jork. Agjencia e arsyetoi vendimin me rritjen e pritshme të humbjeve nga kriza e pasurive të patundshme si dhe me rënien e kredibilitetit të Spanjës. Dje ky vend kërkoi zyrtarisht ndihma financiare nga eurozona për sektorin e vet bankar në vështirësi, por ai nuk ka dhënë ende një shumë të saktë. Nga ana e bankës qendrore u tha se ka një nevojë prej rreth 60 miliardë eurosh. Vendet e eurozonës i kanë premtuar Spanjës një mbështetje deri në njëqind miliardë euro.

Ratingagentur Moody's stuft Bonität spanischer Anleihen herab
Fotografi: picture alliance/dpa

Qipro kërkon ndihma nga fondet e shpëtimit

Edhe Qiproja kërkoi ndërkohë ndihma zyrtare nga fondet e shpëtimit EFSM ose ESM. Në këtë mënyrë synohet të zbuten efektet e krizës në Greqi mbi bankat në Republikën e Qipros. Me Qipron dhe Spanjën numri i shteteve të euros që kërkojnë ndihma nga BE-ja rritet në gjithsej pesë. Qeveria portugeze i bëri ballë një vote mosbesimi të opozitës për arsye të kursit të kursimeve. Deputetët refuzuan me shumicë të madhe një mocion të Partisë Komuniste. Kryeministri Passos Coelho theksoi në përfundim se vendi i tij do t'i respektojë synimet buxhetore të përcaktuara me kredidhënësit ndërkombëtarë.

Zypern flieht unter Euro-Rettungsschirm
Fotografi: picture-alliance/dpa

Obama kërkon zbatimin e reformave në Greqi

Ndërkaq SHBA-ja i ka bërë thirrje kryetarit të ri të qeverisë greke Samaras, të bashkëpunojë intensivisht me kredidhënësit ndërkombëtarë në zbatimin e reformave. Sipas të dhënave të Shtëpisë së Bardhë presidenti Obama apeloi në një telefonatë te Samarasi, që të bashkërendohet ngushtë me Bashkimin Evropian, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Qendrore Evropiane. Një zëdhënës në Athinë bëri ndërkohë të ditur se për arsye shëndetësore ministri i caktuar i Financave Rapanos nuk do ta marrë përsipër postin. Rapanos dhe Samaras patën anuluar më parë pjesëmarrjen në samitin e BE-së këtë javë për arsye të sëmundjeve. Në konferencë nuk do të trajtohen ende dëshirat greke për ndryshime në lidhje me programin e kursimeve, pasi fillimisht do të pritet një raport i troikës së përbërë nga BE-ja, ECB-ja dhe FMN-ja mbi gjendjen financiare të vendit.

Barack Obama
Fotografi: AP