1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Po e dërgon Orbani Hungarinë drejt falimentimit?

4 Janar 2012

Kohë të vështira për Hungarinë: Kursi i ashpër i kryeministrit Viktor Orban mund ta çojë vendin së shpejti në bankrot. Sepse bisedimet e suksesshme për një shkurtim të borxhit të buxhetit deficitar nuk vihen re.

https://p.dw.com/p/13eN8
Demostrata në Hungari
Demostrata në HungariFotografi: picture-alliance/dpa

Tregjet janë duke reaguar me pasiguri të madhe ndaj krizës politike në Hungari: Monedha kombëtare aktualisht po humbet vlerën në mënyrë dramatike. Në të njëjtën kohë shteti duhet të paguajë gjithnjë e më shumë për kreditë, sepse po zbehet besimi tek kthimi i sigurtë i kredive. Normat e interesit të obligacioneve pesë dhe dhjetë-vjeçare u rritën në më shumë se dhjetë për qind. Indeksi standart i bursës së Budapestit ra në mënyrë të konsiderueshme. Për Hungarinë një situatë fatale, sepse qeveria ka nevojë së shpejti për shumë para për të paguar borxhin e vonuar. Katër vjet më parë vendit i është dashur të marrë kredi 20 miliardë dollarë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), për të shmangur falimentimin. Shlyerja këtë vit mund ta rëndojë shumë Hungarinë për shkak të normave të larta të interesit, në qoftë se qeveria nuk arrin shpejt të rifitojë besimin e tregjeve. Por nuk duket se është kështu. Në Budapest qarkullojnë teoritë e komplotit kundër vendit. Zëdhënësi i qeverisë Andras Giro-Szasz thotë: "Ngjarjet e fundit ia bëjnë të qartë qeverisë hungareze se ky është një sulm i përqendruar ndaj monedhës së vendit tonë. Situata nuk është aq e keqe, që të justifikojë një zhvlerësim të tillë dhe ta shpjegojë atë."

Kryeministri Viktor Orban
Kryeministri Viktor OrbanFotografi: picture alliance / dpa

Por shqetësuese është situata politike pas miratimit të një kushtetute të re shumë të diskutueshme. Nga Brukseli, por edhe nga Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, nuk reshtin kritikat. Kryeministri Viktor Orban duhet të tërheqë menjëherë një ligj, që kufizon pavarësinë e Bankës Qendrore. Nëse kjo nuk ndodh, Hungaria mund të mos marrë më para për të mbështetur tregjet financiare, të cilat reagojnë tani me panik. Dy agjencitë e vlerësimit të riskut kanë vënë Hungarisë në statusin e rangut të fundit dhe nuk shohin perspektiva mö të mira për vendin, në qoftë se kriza politike e Orbanit nuk ka përmirësim efektiv. Analisti nga Budapesti Zoltan Torok është pesimist: "Sigurisht, monedha kombëtare forinta dobësohet më tej nga degradimi. Gjithashtu kjo do të vazhdojë të ndikojë negativisht në tregun e aksioneve. Dhe sigurisht financimi i letrave me vlerë të qeverisë hungareze, i shtetit hungarez, bëhet gjithmonë e më i shtrenjtë."

Pikërisht për këtë Hungaria ka nevojë për para të reja. Por Fondi Monetar Ndërkombëtar bllokohet akoma për të negociuar zyrtarisht me qeverinë për një kornizë të re kredie. Në fakt me 11 janar në Uashington do të ketë bisedime të tjera, por presidentja e FMN-së Christine Lagarde është tani e gatshme për "sondazhe informale", thuhet në Uashington. Një datë për fillimin e negociatave zyrtare nuk ekziston. Nëse kryeministri i Hungarisë Orban dëshiron të shohë tö holla, atëherë ai do të jetë i detyruar të ndryshojë politikën e tij.

Demostrata në Hungari kundër kryeministrit, Viktor Orban
Demostrata në Hungari kundër kryeministrit, Viktor OrbanFotografi: dapd

Kundër këshillës së FMN-së dhe Komisionit të BE, ai ka miratuar ligje, që kufizojnë pavarësinë e Bankës Qendrore. Banka Qendrore Evropiane kritikon planet e Orbanit për ta vënë Bankën Kombëtare nën ombrellën e një autoriteti të ri. Thuhet se ky veprim kërcënon pavarësinë personale të shefit të Bankës Qendrore. Hapa të tillë nuk duhet të zbatohen në mënyrë të izoluar, por vetëm në konsultim me Bankën Qendrore Evropiane. Kryeministri i Hungarisë Orban është shprehur i gatshëm për ndryshime, por nëse ato janë të mjaftueshme mbetet një çështje e hapur. Sepse ai nuk do të heqë dorë nga qëllimi i tij i vërtetë: të ketë më shumë ndikim mbi shefin e Bankës Qendrore Hungareze, Andras Simor. Orban kundërshton politikën e tij për normat e interesit. Simor i kishte rritur normat e interesit kundër dëshirës së qeverisë. Orban nuk duron kundërshtime sidomos në politikën financiare. Hungaria është në prag të falimentimit dhe megjithatë akoma nuk duket se si do të rregullohen financat e shpartalluara të vendit.

Autor: Andreas Meyer-Feist/Angjelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama