1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mollë sherri emigracioni

Bettina Marx4 Mars 2015

Ide të ndryshme për reformën e ligjit te emigracionit. P.sh. në favor të një sistemi pikësh, të ngjashëm me atë që aplikohet në Kanada

https://p.dw.com/p/1EkcV
Fotografi: imago/Ralph Lueger

Për vite, numri i emigrantëve në Gjermani po rritet vazhdimisht. Në vitin 2013, 1.2 milion vetë erdhën si emigrantë në Gjermani. Pas zbritjes së atyre që janë larguar nga vendi gjatë së njëjtës periudhë, në fund ka një rritje prej 430,000 vetësh. Dhe kjo prirje vazhdon të rritet. A ka nevojë Gjermania nisur nga këto shifra për një reformë të ligjit emigracionit?

Nuk ka konsensus në politikë

Opinionet janë të ndryshme - edhe brenda partive qeveritare CDU / CSU dhe SPD. "Jo," thotë për shembull, ministri i Brendshëm Thomas de Maizière (CDU). Rregullat ekzistuese ligjore janë të mjaftueshme për të pranuar emigrantë, tha ai disa javë më parë gjatë prezantimit të raportit të migracionit. "Po", mendojnë politikanët e të Gjelbërve, në opozitë. Ata mendojnë se Gjermanisë i duhet një ligj për të kontrolluar emigracionin dhe për t'u dhënë emigrantëve siguri ligjore.

Dhe "Po dhe jo", thotë SPD-ja. Kryetari i grupit parlament të SPD-së Thomas Oppermann shprehet në favor të një sistemi pikësh, të ngjashëm me atë që aplikohet në Kanada. Kryetari i SPD-së Sigmar Gabriel e mbështet atë. Në një artikull për gazetën FAZ ai kohët e fundit tha se Gjermanisë i nevojitet një ligj që rregullon se për cilët emigrantë Gjermania ka nevojë dhe për të cilët jo. Politikanë të tjerë të SPD-së si Hannelore Kraft dhe zëvendëskryetari i partisë Ralf Stegner janë kundër. Ata paralajmërojnë për rritje të presionit mbi pagat nga punëtorët migrantë dhe kërkojnë masa kualifikimi për të papunët gjermanë.

CSU Winterklausur in Wildbad Kreuth Seehofer
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Gebert
Thomas Oppermann
Thomas OppermannFotografi: picture-alliance/dpa/M. Gambarini

Mosmarrëveshje mes CDU CSU-së

Pozicion të qartë ka deri tani vetëm CSU-ja. Ajo refuzon një ligj për imigracionin në mënyrë rigoroze. Drejtuesi i partisë Horst Seehofer tha në Pasau. "Nëse një vend ka një milion emigrantë në vit, atëherë ne nuk kemi nevojë për një ligj për më shumë emigracion," tha ai. Ai kundërshtoi fluksin veçanërisht të dukshëm të azilkërkuesve nga Kosova në Bavari. Nuk ka persekutim politik në Kosovë dhe Shqipëri, tha Seehofer. Azilkërkuesit e refuzuar nga Ballkani duhet të riatdhesohen në mënyrë të vendosur. "Ne nuk jemi zyra sociale për të gjithë botën," tha Seehofer.

Megjithatë në partinë motër, CDU, ka zëra të tjerë. Kështu sekretari i përgjithshëm Peter Tauber kërkoi kontroll të emigracionit legal. Ai tha se ndaj emigrantëve duhet të dërgohet sinjali politik që ata janë të mirëpritur në Gjermani, tha ai. Në fund të fundit Gjermania ka nevojë për migrantë të kualifikuar për të kompensuar rënien demografike të popullatës dhe mungesën e punës që rezulton. Kjo ide e Tauber ka shkaktuar pakënaqësi te shumë prej kolegëve të tij të partisë të cilët kundërshtojnë një ligj.

Kurse kancelarja gjermane Angela Merkel me sa duket po pret se si do të zhvillohet debati. Ajo tha se ende nuk ka një mendim përfundimtar për këtë problem.