1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Molenbeek: Një lagje nën dyshim kolektiv

Teri Schultz19 Nëntor 2015

Një biletë parkimi, e cila u përdor nga atentatorët e Parisit, i drejtoi hetuesit drejt Molenbeek-ut. Askush nuk habitet që gjurmët të çojnë drejt lagjes periferike të Brukselit, raporton nga Molenbeek-u Teri Schultz.

https://p.dw.com/p/1H8yg
Belgien Brüssel Stadtteil Molenbeek nach Terroranschlägen in Paris
Fotografi: Reuters/Y. Herman

Një shëtitje në këmbë në Molenbeek: Pas njërës prej fasadave të kësaj lagjeje të Brukselit, Mehdi Nemmouche kishte planifikuar sulmin e tij mbi Muzeun Hebre të Brukselit. Vetëm disa metra më tej jeton motra e burrit, i cili donte të kryente një atentat ndaj një treni ekspres të firmë Thalys. Edhe shkolla e Abdelhamid Abaaoud, organizatorit të sulmeve në Paris me të paktën 132 të vdekur, gjendet këtu. Po ashtu edhe lokali i cili, sipas njoftimeve në media, i përkiste atentatorit kamikaz të Parisit, Brahim Abdeslam. Jo shumë larg prej këtu, në Rue Dalenoy Nr. 47, ndodhet edhe shtëpia, e cila të hënën (16.11) u bastis nga policia në kërkim të vëllait të Brahimit, të quajtur Salah. 26-vjeçari ndodhet ende në arrati.

Abdelhamid Abaaoud Mastermind der Anschlagsserie von Paris
Abdelhamid Abaaoud, organizator i sulmeve terroriste në ParisFotografi: Reuters/Social Media Website

Abaaoud mendohet të jetë njeriu ndërlidhës mes udhëheqjes së milicisë xhihadiste të „Shtetit Islamik“ (IS) dhe militantëve të saj në Evropë. Vendndodhja e Abaaoud-it nuk dihej. Por mendohej se ai ishte arratisur nga Belgjika, pasi policia kishte shmangur një sulm në qytetin Verviers në janar. Asokohe dy të dyshuar si islamistë u vranë nga forcat e sigurisë.

Pesë nga shtatë personat e arrestuar gjatë aksioneve të policisë këtë fundjavë u lanë përsëri të lirë, mes tyre edhe Mohamed Abdeslam, edhe ai vëllai i njërit prej atentatorëve. Ai dha prova bindëse se nuk kishte të bënte fare me sulmet. Prindërit e tij janë „të shokuar“ nga ngjarjet.

Problem tepër i madh

Kryeministri belg, Charles Michel, e cilëson Molenbeek si „problem tepër të madh“. Ish-kryebashkiaku i njësisë, Philippe Moureaux, dhe kryebashkiakja aktuale, Françoise Schepmans, debatojnë në media rreth asaj se kush duhet të mbajë përgjegjësi për faktin që Molenbeek është vend rekrutimi dhe fshehjeje për islamistët. Ministri i Brendshëm belg, Jan Jambon, bën me dije se ai do të kujdeset vetë personalisht, që Molenbeek „të pastrohet“, por pa thënë se si do t'ia dalë në krye.

Po kërkohet një fajtor dhe përgjegjës për situatën ka shumë, thotë Johan Leman, ish-drejtor i Qendrës për Shanse të Barabarta dhe Luftën kundër Racizmit në Bruksel. Në periudhën midis viteve 1981 dhe 1989, Leman ka punuar në një qendër integrimi në Molenbeek. Ai i ka paralajmëruar autoritetet që para dhjetra vjetësh për rrezikshmërinë e lënies pas dore të lagjes.

Në tregun e së dielës (14.11) në Molenbeek, vetëm pak orë pas aksioneve të para të policisë në zonë, banorët duken të turbulluar nga prania e grupeve të shumta të xhirimit. Njerëzit këtu komunikojnë si në arabisht ashtu edhe në frëngjisht. Shumica e grave janë të mbuluara me perçe.

Ata gati-gati duket se janë mirënjohës që rënia e këmbanave të kishës aty afër i pengon për pak çaste përfaqësuesit e mediave që të bëjnë intervista. Kisha në lagjen e banuar kryesisht nga myslimanë sjell në kujtesë përmes tingujve të këmbanave përzierjen e kulturave këtu në Molenbeek.

Belgien Brüssel Stadtteil Molenbeek Razzia nach Terroranschlägen in Paris
Aksion i policisë (16.11) në Molenbeek pas sulmeve terroriste në ParisFotografi: Reuters/Y. Herman

Imazh negativ

Asnjë nga ata që janë të gatshëm të intervistohen, nuk dëshiron të tregojë mbiemrin e tij. Aliu, një shitës i tregut, ankohet se vëmendja negative është e keqe për imazhin e Molenbeek-ut dhe të muslimanëve. Është e vërtetë se shumë të rinj në Molenbeek janë radikalizuar, pranon ai. Sidoqoftë shumica e banorëve të zonës janë njerëz normalë: Ata ngrihen në mëngjes, shkojnë në punë – ndërkohë këtu papunësia është më e lartë se mesatarja belge – dhe i duan fëmijët e tyre. Tani të gjithë etiketohen si „terroristë“. Kjo nuk është e drejtë.

Një bllok më tutje, Natalia po shkon në kishë. Kur pyetet se si ndihet ajo për shkak të kontrolleve të policisë, ajo thotë se nuk dëshiron të flasë për këte. „Tek unë nuk ka pasur kontrolle“, thotë ajo shkurt. Shprehja franceze „chez moi“ nuk tregon qartë nëse ajo e ka fjalën për shtëpinë e saj apo për zonën afër shtëpisë së saj. Ajo e mbyll pas vetes derën e rëndë të kishës, si për të thënë se nuk dëshiron të japë përgjigje të tjera.

Belgien Brüssel Stadtteil Molenbeek nach Terroranschlägen in Paris
Pamje nga lagja e Brukselit MolenbeekFotografi: DW/T. Schultz

Ramadani ka një dyqan artikujsh shtëpiakë. Ai përpiqet ta marrë me qetësi gjendjen e krijuar. Për situatën sociale në Molenbeek nuk dëshiron të flasë. Ai është një ndër ata njerëzit “normalë”, për të cilët po fliste Aliu. “Unë çdo ditë thjeshtë shkoj në punë dhe kthehem në darkë në shtëpi”, thotë ai në frëngjisht me zë të ulët. “Unë nuk e ndjek politikën.” Kur dëgjoi pyetjen se çfarë mendon ai për thënien e ministrit të Brendshëm, që Molenbeek “të pastrohet”, fytyra e tij u çel. “Ai mund të blejë gjithçka që i nevojitet direkt këtu”, qesh ai dhe tregon nga artikujt e tij shtëpiakë: “Voila!” (“Ja!”)