Mogherini: Inkurajim për të vazhduar në rrugën e reformave
18 Prill 2018Tani topi është në fushën e Këshillit Europian. "Komisioni rekomandoi sot që Këshilli Europian të vendosë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, në dritën e progresit të arritur, duke ruajtur dhe thelluar vrullin aktual të reformës” njoftoi dje ( 17.04.2018) Përfaqësuesja e Lartë e BE, Federica Megherini, në një konferencë shtypi në Bruksel, që u ndoq live në Tiranë, në Qëndrën për Informim të BE, ku u prezantua paketa e zgjerimit të BE dhe vlerësimet e vjetore të Reformave Ekonomike për Ballkanin Perëndimor.
"Procesi po evën në drejtimin e duhur.Vendimi i KE është inkurajim për të vazhduar në rrugën e Reformave”theksoi ajo në këtë konferencë. Mogherini beri të qartë se tani " varet nga 28 vendet anëtare të Këshillit Europian të vlerësojnë progresin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë dhe të marrin vendimin. Mesazhi i mirë i është dhënë”
Nuk ka rrugë të shkurtër drejt BE- ka hendeqe të mëdha.
Në njoftimin për shtyp të delegacionit të BE në Tiranë theksohet se "Progresi në udhën evropiane është objektiv, i bazuar në merita që varet nga rezultate konkrete të arritura nga secili vend i veçantë, ku përparësi kanë sundimi i ligjit, drejtësia dhe të drejtat themelore të njeriut.” Mogherini e cilësoi rekomandimin për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë ”një hap përpara për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Por një perspektivë e besueshme e zgjerimit kërkon përpjekje të qëndrueshme dhe reforma të pakthyeshme”, theksoi ajo.
Komisioneri Johannes Hahn i vlerësoi politikat e zgjerimit të BE "një motor kyç që nxit reformat në Ballkanin Perëndimor, modernizon ekonomitë dhe shoqëritë e rajonit, duke e bërë gradualisht atë një vend më të begatë dhe më të qëndrueshëm, çka është gjithashtu në interesin e vërtetë të BE-së.” Por ai theksoi se për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor (BP) se "nuk ka rrugë të shkurtër në udhën drejt BE-së. Ka hendeqe të mëdha. Ne duhet t'i shohim reformat, veçanërisht në sundimin e ligjit, të zbatohen më me forcë dhe të prodhojnë rezultate të qëndrueshme. Këto reforma nuk janë "për Brukselin por drejtpërsëdrejti në të mirë të rajonit dhe qytetarëve të tij, si dhe të Evropës si një e tërë".
Programet e Reformave Ekonomike
Vlerësimet vjetore të Programeve të Reformave Ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor të njohura edhe si Progres Raportet 2018 tregojnë rritje të vazhdueshme ekonomike dhe përpjekje për të forcuar stabilitetin makroekonomik dhe fiskal. "Politikat e shëndosha duhet të ruhen dhe të forcohen dhe reformat të përshpejtohen për të reduktuar rreziqet makroekonomike që ende ekzistojnë, për të zhbllokuar burimet për një rritje të qëndrueshme afatgjatë dhe për të përshpejtuar konvergjencën me BE-në” theksohet në komunikatën e Delegacionit të BE, në Tiranë.
Mogherini- Vendosmëri e vullnet në Beograd dhe Prishtinë
Shpresa është që dialogu Serbi-Kosovë të shkojë përpara. "Lidershipi në Beograd dhe Prishtinë mendon se është koha për të ecur përpara. Besoj fort se një marrëveshje mund të arrihet ”, tha Mogherini në konferencën për shtyp. Por ajo theksoi se mes Serbisë dhe Kosovës ka marrëveshje të tjera që duhet të zbatohen. Kredibiliteti qëndron në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri tani mes Beogradit dhe Prishtinës. Shoh vendosmëri dhe vullnet të mirë nga të dyja palët”, theksoi Mogherini, në konferencën për shtyp në Bruksel.