Mobilizim i masave gjatë muajit të Ramazanit - Opozita siriane apelon tek presidenti Baschar al Assad
1 Gusht 2011Opozita ka bërë të ditur se pas çdo lutje dhe vizite të xhamive mund të ketë edhe protesta kundër qeverisë dhe presidentit Assad.
„Ik ore Baschar, ne duam të agjërojmë dhe festojmë.“
Thirrje të këtilla kishte të premten (29.7.) shumë në Siri. Ishte ky një apel i demonstruesve dërguar presidentit që para fillimit të muajit të shenjtë të largohet nga pushteti. Por Baschar al Assad nuk lëvizë aspak nga pozicionet e deritanishme. Këtë e ka bërë të qartë me ndërhyrjen e përgjakshme në qytetin Hama, ku u vranë më shumë se 100 vetë. Deri tani janë vrarë gjatë protestave më shumë se 1.800 njerëz.
Ramazani muaj i shpresës për ndryshime në vend
Shkaku kryesor për vrasjen ditën e dielë dhe arrestimet e shumta është fillimi sot i muajit të ramazanit. Opozita në Siri pohon se ky është muaji i shpresës edhe për ndryshime në vend.
„Ramazani është një shans i madh për revolucionin në Siri - njerëzit janë shumë emocional dhe çdo ditë shkojnë në xhami për lutje. Xhamia është vendi ynë i vetëm ku njerëzit mund të takohen çdo ditë. Ne tani jemi shumë emocional dhe mund të mbledhim forcë", thotë një prej udhëheqësve opozitarë.
Protestat në ramazan nuk janë të ndaluara. Madje edhe profeti Muhamet ka luftuar gjatë këtij muaji kundër kundërshtarëve të tij. Regjimi është i vetdijshëm për këtë rrezik. Presidenti Assad e di se çfarë do të thotë mbledhja e masave çdo ditë para xhamive, ku shumica janë nervoz pa cigare dhe janë emocional pas lutjeve. Presidenti po përpiqet të evitojë këto situata, pohojnë opozitarët:
„Kemi dëgjuar se regjimi po përpiqet të mbyllë xhamitë, me shpjegimin se duhet të meremetohen. Por ata kanë frikë nga mbledhja e njerëzve dhe protestat e përditshme".
Opozita vazhdon përpjekjet të përfitojë për protesta edhe shtresën e mesme
Mbyllja e xhamive është një përpjekje për parandalimin e protestave. Por shumë më e rëndësishme është mbrojtja e Damaskut, ku janë rezidencat e presidentit. Deri tani atje nuk ka pasur protesta. Dëshmitarët e përshkruajnë gjendjen kështu:
„Tani ka shumë më shumë ushtarë se para fillimit të protestave në Siri. Pjesë të Damaskut janë okupuar. Gjithandej ka barrikada, madje edhe në rrugica. Armata po tregon një prani të pashembullt.“
Se çfarë do të ndodhë gjatë muajit të ramazanit, askush nuk e di. Por shumë parashikojnë që gjendja mund të përshkallëzojë. Opozita do të bëjë përpjekje të përfitojë për protesta edhe shtresën e mesme - me bindje dhe me kërcënime:
„Ne do të vazhdojmë të mbrohemi ndaj diktaturës edhe gjatë ramazanit. Historia do tregojë se ne do të fitojmë dhe historia nuk do të ketë mëshirë ndaj atyre që sot heshtin apo janë partnerë të regjimit.“
Autor: Jens Wiening / Bahri Cani
Redaktoi: Esat Ahmeti