220611 EU Kroatien Beitritt
22 Qershor 2011Anëtarësimi i Kroacisë në 2013 si anëtari i 28-të i BE-së është pothuajse i sigurtë.
"Unë besoj së janë kapërcyer pengesat kryesore. Kapitujt që paraqitën më shumë probleme në fazën e fundit, si konkurrenca apo bashkëpunimi në fushën e drejtësisë, janë vënë në rrugën e duhur. Pra vendimin në Këshillin e BE-së nuk e pengon më asgjë" - tha në Bruksel sekretari gjerman i shtetit Werner Hoyer.
Kontroll i zbatimit të kritereve deri ditën e anëtarësimit
Të premten (24.6.) kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së pritet të miratojnë këtë plan kohor. Në gjysmën e dytë të 2011-s do të nënshkruhet marrëveshja e anëtarësimit me Kroacinë. Shqetësime deri tani ka shprehur para së gjithash Franca. Përpjekjet e Kroacisë në luftën kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit mund të pësojnë rënie pas anëtarësimit, thonë francezët. Për këtë arsye ministrat kanë vendosur që Komisioni të hartojë raporte progresi deri në anëtarësimin e Kroacisë. Nëse do të ketë probleme atëherë BE mund ta shtyjë anëtarësimin.
Por pas ditës së anëtarësimit nuk do të ketë më kontrolle. Sekretari gjerman i shtetit Hoyer tha se për Kroacinë se nuk duhet të vlejnë rregulla të veçanta. Në vendet e tjera anëtare Komisioni nuk kontrollon vazhdimisht nëse përmbushen të gjitha kriteret e anëtarësimit.
Mekanizëm për të siguruar zbatimin e kritereve edhe pas anëtarësimit
Megjithatë Hoyer konstaton në këtë aspekt një problem:
"Si duhet të veprojmë kur një vend para anëtarësimit dhe deri në mbylljen e procesit të ratifikimit i përmbush në mënyrë të përsosur kushtet dhe një ditë pas anëtarësimit, papritur, vë në pikëpyetje edhe çështjet më themelore?"
Kështu ndodhi për shembull në rastin e Hungarisë. Qeveria në Budapest nxorri një ligj të kontestuar për mediet. Disa ekspertë argumentojnë se ky ligj bie ndesh me vlerat themelore evropiane dhe mundëson censurën nga ana e shtetit. Për këtë arsye Hoyer kërkon të shqyrtohet se çfarë mundësish duhet të ketë BE-ja për të arritur që kriteret e anëtarësimit të respektohen edhe më pas. Plani kohor për Kroacinë u bë i mundur pasi ministrat siguruan Britaninë e Madhe se anëtarësimi do të jetë neutral sa i takon kostove. Kjo ishte e rëndësishme për qeverinë në Londër.
Autor: Christoph Prößl / E.Xhani
Redaktoi: Mimoza Kelmendi