Gjermani: Klinikat private në duart e investitorëve?
2 Gusht 2023Me shëndetin gjithnjë janë fituar para dhe janë bërë biznese të sigurta. Prandaj ka vite që investitorë të huaj blejnë në Gjermani gjithnjë e më shumë klinika mjekësh privatë, që i përdorin si prona investimesh. Një tendencë që ekspertët e çështjeve të shëndetit dhe pacientët e ndjekin me shqetësim.
Ata druhen se për arsye të rritjes së fitimeve, koncernet do t'i detyrojnë mjekët të bëjnë trajtime mjekësore të panevojshme. Sidomos trajtime, që janë të shtrenjta dhe nuk paguhen nga shoqëritë e sigurimeve, por duhen paguar privatisht me para në dorë.
Një studim i publikuar në muajin maj nga organizata joqeveritare Finanzwende Recherche (në shqip Shoqata e analizimit të ndryshimeve financiare) një organizatë e krijuar në vitin 2018 me synimin e reformimit të tregjeve financiare, thotë se në vitin 2022 firmat e llojit Private Equity, blenë në Gjermani 174 zyra mjekësh, 34 më shumë se një vit më parë. Në vitin 2010, shifra e blerjeve ka qenë vetëm 2.
Më shumë se 500 klinika pronë e investitorëve
Sipas investigimeve të bëra nga radio Norddeutsche Rundfunk (NDR), sipërmarrje të tilla kanë në të gjithë Gjermaninë qindra zyra mjekësh, kështu që zinxhirë të veçanta firmash kanë pozicione monopoli në rajone dhe qytete të caktuara. NDR shkoi në gjithsej 500 spitale që janë pronë investitorësh. Shifra faktike e spitaleve që janë pronë investitorësh nuk dihet, sepse nuk ekzistojnë detyrime për të bërë të njohur llojin e pronësisë, një gjë që shumë eskpertë të çështjeve të shëndetit kërkojnë ta ndryshojnë.
Me këtë temë u morr vitin e kaluar qeveria federale. "Unë kërkoj që t'i jepet fund blerjeve të klinikave të mjekëve nga investitorët që joshen prej fitimit,” u shpreh ministri socialdemokrat i Shëndetësisë, Karl Lauterbach. Ai ka bërë të ditur se do të përgatisë një projektligj, "në mënyrë që këta investitorë' të mos vijnë më tek zyrat e mjekëve”.
Fitime apo kujdes mjekësor?
Në luftën që i ka shpallur investitorëve, Lauterbach mbështetet nga Horst Helbig. Ai është zëdhënës i Shoqatës gjermane të oftalmologëve, specializim për okulistët, dhe drejton klinikën e okulistikës në Regensburg. Helbig mendon se klinikat e investitorëve synojnë fitimin e pastër.
"Qëllimi i një grupi investitorësh është 100 përqind të fitojë. Ata nuk duan gjë tjetër, dhe në fund të ditës nuk kërkojnë gjë tjetër,” thotë Helbig. "Natyrisht që edhe një klinikë që është pronë e mjekëve kërkon të fitojë para. Por synimi kryesor i mjekëve është kujdesi mjekësor.”
Një studim i bërë në vitin 2022 nga Instituti i pavarur për kërkimin dhe këshillimin në çështjet e infrastrukturës dhe shëndetit, e konfirmon një gjë të tillë. Studimi thotë se klinikat që janë pronë e investitorëve marrin dhjetë përqind më shumë pagesa se sa klinikat që janë pronë e mjekëve.
Betonim i mjekësisë me dy klasa?
Në Gjermani ekziston një sistem shëndetësor me dy shkallë, që financohet nga pagesat e punëdhënësve dhe punëmarrësve tek sigurimet shoqërore. Sigurimi shëndetësor është i detyrueshëm për të gjithë popullin. Sigurimet shtetëtore shëndetësore, që mbulojnë rreth 90 për qind të popullsisë, nuk lejohet t'i refuzojnë ndihmën askujt. Pjesa tjetër prej 10 për qind shijon më shumë kujdes shëndetësor me anë të sigurimeve private shëndetësore. I gjithë sistemi i shëndetësisë në Gjermani kushton çdo vit disa qindra miliardë euro.
Helbig thotë, se e ka vënë re tendencën e klinikave të reja të mjekëve që janë në pronësi të investitorëve, që të mos pranojnë pacientët që kanë sigurim shëndetësor dhe përqëndrohen më shumë tek pacientët që sjellin fitime. "Disa pacientë janë më fitimprurës se të tjerët, disa kushtojnë më shumë para se të tjerët. Ne kemi parë se shumë pacientë, trajtimi i të cilëve nuk është fitimprurës, dërgohen në spitalet publike,” thotë për Deutsche Wellen eskperti për çështjet e shëndetit.
Model i rrezikshëm biznesi
Kjo shihet sidomos tek klinikat e syve, ku ekzistojnë ndryshime të mëdha çmimi midis trajtimeve mjekësore, një pjesë e të cilave nuk merren përsipër nga sigurimet shëndetësore. "Mirë paguhen operacionet katarakt (heqja e perdes së syrit), kurse ndërhyrjet urgjente të çdo lloji paguhen pak”, shpjegon Helbig. Por edhe operacionet katarakte që janë të vështira, për shembull sepse perdja ka përparuar shumë, dërgohen në spitalet publike.
Shoqata Finanzwende Recherche ka llogaritur se investitorët nxjerrin deri 20 përqind fitim nga pronat e tyre, por kjo vetëm nëse blejnë numër të mjaftueshëm klinikash private. Modeli i biznesit i llojit Private-Equity-Fonds ka të bëjë me blerjen e disa klinikave private, bashkimin dhe modernizimin e tyre edhe me anë të kredive, për t'i shitur më vonë me fitim, thotë investiguesja e Finanzwende, Aurora Li.
Fokusi tek maksimalizimi i fitimit
"Fokusimi nuk bëhet tek fitimi operativ, por tek rrjedhja e vazhdueshme e kapitalit,” thotë Li për Deutsche Wellen. "Kur firmat ushtrojnë presion ndaj mjekëve, për të shitur trajtime shëndetësore me përfitim dhe për të krijuar mundësi për rrjedhje të vazhdueshme parash në dorë, atëherë kjo gjë mund të jetë me përfitim edhe për investitorët e tjerë financiarë. Dhe rrjedhja e shumë parave në dorë arrihet nëse kihen në pronësi shumë klinika mjekësh.”
Dyshimet janë të mëdha nëse pacientët nuk janë të sigurt nëse trajtimi i tyre nuk ndikon në rritjen e fitimit. "Një rrezik tjetër ka të bëjë me modelin e biznesit që kanë këto zyra mjekësh, që është me rrezik të madh dhe bën që ato të falimentojnë shpejt. Sidomos kur përqindjet e larta të kredive, shkaktojnë kosto të mëdha.” Atëherë, thotë Li, investitorët mund ta mbyllin zyrën e mjekut.
Shoqatat e mjekëve relativizojnë kritikat e Lauterbachut
Projektligji i njoftuar nga Karl Lauterbach nuk është përpiluar ende, por disa shoqata mjekësh e shohin këtë çështje ndryshe nga ministri i Shëndetësisë. Kështu për shembull Shoqata e Operatorëve të Qendrave të kujdesit mjekësor, tregon të dhënat e qeverisë, sipas të cilave nuk ka dëshmi statistikore që të thonë se trajtimi mjekësor në klinikat që janë pronë e fondeve të investitorëve është më i keq.
Përveç kësaj, mjekët që punojnë atje publikuan në muajin maj një letër, ku hedhin poshtë pretendimin e Lauterbachut, sipas të cilit ata nuk janë të pavarur. "Duke qenë mjekë të punësuar ne e ushtrojmë profesionin tonë në shërbim të pacientëve me të njëjtin pasion dhe angazhim si kolegët tanë në klinikat e vetme të mjekëve ose në spitale.”
Për shkak të ngarkesave ekonomike, edhe Horst Helbig nuk është parimisht kundër bashkimit të klinikave private të mjekëve. Për shembull, shumë pak mjekë të rinj kanë mundësi që të venë në përdorim investimet e nevojshme. Dhe vetëm pak prej tyre janë të gatshëm që të punojnë 60 orë në javë, e domosdoshme për hapjen e një klinike të vetën. "Natyrisht që mund të kërkohet që të hiqet burokracia që mbingarkon një klinikë mjeku. Por unë e di se është naive të mendosh që kjo mund të ndodhë vërtet në Gjermani.”