1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrat e jashtëm të NATO-s vendosin për rifillimin gradual të dialogut me Rusinë

Christoph Hasselbach3 Dhjetor 2008

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s kanë rënë dakord për 'rifillimin gradual të dialogut' me Rusinë. Sa i përket Gjeorgjisë dhe Ukrainës nuk do të ketë shkurtime të afatave kohore drejt antarësimit

https://p.dw.com/p/G8CJ
Logoja e Aleancës Veriatlantike NATO
Logoja e Aleancës Veriatlantike NATOFotografi: NATO

Ky ishte takimi i fundit me homologët e saj në Aleancën Veriatlantike NATO dhe sekretarja amerikane e shtetit Kondoleza Rajs (Condoleezza Rice) e shfrytëzoi rastin të bëj një kthesë të papritur. Ajo përmbante si tone pajtuese kundrejt Rusisë ashtu dhe shpresë për raporte sërish të mira. Megjithatë Kondoleza Rajs nuk do të ishte ajo Kondoleza Rajs që njohim ne sikur mos të hidhej edhe në sulm si përshembull kur u përmend tema e Kaukazit:

Sekretarja amerikane e shtetit Kondoleza Rajs
Sekretarja amerikane e shtetit Kondoleza RajsFotografi: AP



'Përmes unanimitetit tonë ne shkatërruam qëllimet strategjike të rusëve. Qeveria gjeorgjiane është e paprekur, demokracia gjeorgjiane është e paprekur, ekonomia gjeorgjiane po e merr veten. Po, Rusia qëndron në Osetinë Jugore dhenë Abkhazi me mbështetjen fantastike të Nikaraguas dhe të Hamasit'.


Çështjen e demokracisë së paprekur gjeorgjiane disa prej homologëve të Rajs-it e shohin ndryshe. Megjithatë Rajs përfundimisht shprehu pajtimin për rifillimin e dialogut me Rusinë në nivel jozyrtar dhe atë shkallë-shkallë. Para së gjithash ministri i jashtëm gjerman Frank-Valter Shtajnmajer (Frank-Walter Steinmeier) është angazhuar rregulisht për rifillimin e këtij dialogu. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jap de Hop Skefer (Jaap de Hoop Scheffer) tërhoqi vërjetjen që të mos vie deri tek ndonjë keqkuptim:

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Skefer
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop SkeferFotografi: AP



'Ky rifillim shkallë-shkallë i dialogut nuk do të thotë që ne papritmas të jemi të një mendjeje me rusët sa i përket përdorimit disproporcional të dhunës gjatë muajit gusht në Kaukaz, pastaj njohjes së padrejtë të Abkhazisë dhe Oseisë së Jugut. Ne kemi dallime fundamentale. Por ne sërish do ta kërkojmë kontaktin dhe do të shohim nëse në Këshillin Nato-Rusi do të kemi mundësinë t'i fillojmë sërish këshillimet informale e theksoj këshillimet informale'.


Para së gjithash dallime të mëdha në qëndrime dolën në pah sa i përket aspiratave për antarësim të Gjeorgjisë dhe Ukrainës në NATO. Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë që këto vende të pranohen në Nato me procedura të shpejta vende të tjera bashkë me Gjermaninë shprehen për ndjekjen e rrugës së gjatë të paraparë me ‘Planin e Aksionit për Anatërsim' - shkurt MAP. Sipas këtij plani secili vend aspirant duhet të dëshmoj se u përmbahet rregullave demokratike të shtetit ligjor dhe se ka nën kontroll forcat e aramtosura. Në këtë mënyrë ministrat e jashtëm vendosën që të vazhdojnë punën në bazë të procesit fillestar sipas të cilit për pranimin e një vendi në NATO duhet miratimi i të 26 vendeve anëtare. Në fund ministri i jashtëm gjerman Frank-Valter Shtajnmajer u shpreh i lehtësuar:

Ministri i jashtëm gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer
Ministri i jashtëm gjerman, Frank-Valter ShtajnmajerFotografi: AP


'Ne vendosëm sot që në këtë rrugë të mos ketë shkurtime dhe se aktualisht nuk janë përmbushur standardet e aplikueshme në NATO. Ministrat e jashtëm do të vendosin kur të vij koha, kur të jenë pjekur kushtet për hapat e mëtejshëm formal'.


Por deri atëherë duhet të përforcohen kontaktet me këto dy vende në kuadër të komisioneve ekzistuese NATO-Gjeorgji përkatësisht NATO-Ukrainë.


Megjithatë kjo nuk nënkupton patjetër antarësimin e këtyre dy vendeve në Nato. Edhe vet Rajs njëherë e ka pranuar se Tbilisi dhe Kievi nuk plotësojnë as parakushtet politike dhe ushtarake për antarësim. Dhe lufta e gushtit në Kaukaz si dhe tensionet e vazhdueshme në Ukrainë kanë bërë që qeveritë e disa vendeve perëndimore të mendohen seriozisht se a dëshiron NATO në të vërtetë të bart mbi vete ngarkesa të tilla. Diskutimi për këtë çështje edhe pas këtij takimi me siguri që nuk do të përfundoj edhe për një kohë të gjatë.