1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Miliona gjermanë kanë frikë nga dëbimet

11 Shkurt 2024

Pas takimit të së djathtës radikale në Potsdam në fund të nëntorit, planet për dëbime masive po shkaktojnë frikë të madhe. Kështu thuhet në një sondazh të ARD.

https://p.dw.com/p/4cD4r
Ndërtesa në Potsdam ku është mbajtur takimi sekret për dëbimin e të huajve
Ndërtesa në Potsdam ku është mbajtur takimi sekret për dëbimin e të huajveFotografi: Jens Kalaene/dpa/picture alliance

Në vitin 2022 në Gjermani jetonin rreth 23.8 milionë vetë me prejardhje të huaj. Kjo korrespondon me 28.7 për qind të popullsisë. Pothuajse gjysma e tyre kanë nënshtetësi gjermane, rreth dymbëdhjetë milionë vetë. Shumica e tyre kanë lindur në Gjermani.

Në takimin e mbajtur në Potsdam në fund të nëntorit, ku morën pjesë politikanë nga partia e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe anëtarë të krahut konservator të Unionit Kristiandemokrat të qendrës së djathtë (CDU) është biseduar për dëbimin e "miliona njerëzve". Në këtë takim, siç zbuloi dhe publikoi në muajin janar rrjeti investigativ Correctiv, u diskutuan plane për dëbimin e një numri të madh shtetasish me origjinë të huaj, pavarësisht nëse kanë apo jo pasaportë gjermane. Shtetasit gjermanë me origjinë të huaj do të dëboheshin nëse nuk do të asimiloheshin, siç u tha.

"Në kundërshtim me Kushtetutën"

Por shtetësia gjermane mbrohet posaçërisht nga Kushtetuta gjermane. Neni 16 thotë: "Shtetësia gjermane nuk mund të hiqet”. Kjo dispozitë u fut në Kushtetutë edhe për shkak të praktikës naziste të dëbimit me forcë dhe heqjes së shtetësisë, veçanërisht të qytetarëve me origjinë hebreje.

"Kjo mbrojtje vlen edhe për personat me shtetësi të dyfishtë”, thekson në një intervistë për ARD, avokati i specializuar për të drejtën kushtetuese, Ulrich Karpenstein, nënkryetar i Dhomës së Avokatëve të Gjermanisë.

Shtohen kërkesat për ndalimin e AfD, një parullë - ndalojeni AfD menjëherë!
Shtohen kërkesat për ndalimin e AfDFotografi: Christian Ditsch/epd/IMAGO

Edhe pse Kushtetuta lejon disa përjashtime për shtetasit me nënshtetësi të dyfishtë, ajo ofron shumë pak mundësi për heqjen e shtetësisë, për shembull në rastet e aktiviteteve terroriste. Edhe nëse do të shtoheshin disa opsione të reja që mund të çonin në heqjen e shtetësisë, ato në asnjë rrethanë nuk duhet të lidhen me ngjyrën e lëkurës, siç u diskutua në takimin e Potsdamit.

"Gjithashtu, arsyet e mundshme për heqjen e shtetësisë nuk duhet të lidhen as me origjinën dhe as me konceptin e asimilimit”, shpjegon Karpenstein. "Këto plane janë pa mëdyshje jokushtetuese. Për të realizuar ide të tilla duhet të injorosh si Kushtetutën gjermane ashtu edhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut." Dhe kjo do të ishte e mundur vetëm në rastin e një grushti shteti.

Frika e qytetarëve

Por pavarësisht kësaj, "planet e dëbimit masiv" të diskutuara në Potsdam, trembin shumë gjermanë. Në një anketë të kryer nga instituti dimap Infratest për ARD, 51 për qind e të anketuarve me prejardhje emigrante thanë se planet u shkaktonin frikë të madhe ose shumë të madhe. Ngjashëm e shohin këtë çështje edhe 48 për qind e të anketuarve pa rrënjë të huaja.

Protestat e shumta kundër politikës së AfD për dëbime - protesta në Bremen
Protesta të shumta kundër ekstremistëve të AfDFotografi: Carmen Jaspersen/dpa/picture alliance

Në Perëndim të Gjermanisë frika është pak më e lartë (49 për qind thonë se frika është e madhe apo shumë e madhe) sesa në Lindje (42 për qind). Dallime të mëdha në grupmosha nuk ka. Tek personat e moshës 35 deri në 49 vjeç frika është pak më e ulët dhe arrin në 41 për qind. Frika është veçanërisht e theksuar tek mbështetësit e të Gjelbërve dhe SPD-së, me 69 dhe 61 për qind. Vetëm tetë për qind e mbështetësve të AfD-së kanë frikë nga dëbimet e tilla, ndërsa 76 për qind prej tyre janë përgjigjur se kanë pak frikë ose aspak.

Distancimi i AfD

AfD është distancuar nga takimi në Potsdam dhe pretendon se ishte një "mbledhje private". Partia shpjegoi së fundmi në një dokument zyrtar se koncepti i saj i të ashtuquajturit "remigracion" përfshin të gjitha masat dhe stimujt për kthimin kushtetues dhe ligjërisht të harmonizuar të të huajve që janë të detyruar të largohen nga Gjermania në vendet e tyre të origjinës. "Ne refuzojmë me vendosmëri kërkesat jokushtetuese si (... ) deportimet e shtetasve gjermanë me prejardhje migrante."

Protesta të shumta kundër ekstremistëve të AfD
Protesta të shumta kundër ekstremistëve të AfDFotografi: Christophe Gateau/dpa/picture alliance

A do të thotë kjo se AfD refuzon të dëbojë gjermanët, do të thotë shtetasit gjermanë? Më 10 janar 2024, pak pasi "Correctiv” publikoi përmbajtjen e takimit të Potsdamit, në një postim në rrjetin X mund të lexohej diçka tjetër. AfD bëri thirrje për heqjen e pengesave në procesin e revokimit të shtetësisë gjermane dhe shpjegoi se ata jo vetëm që duan të dëbojnë vazhdimisht të huajt, "por duan t'u heqin pasaportat (gjermane) kriminelëve, terroristëve dhe përdhunuesve, si dhe atyre që konsiderohet një kërcënim potencial për shoqërinë”. "Sistemi automatik sipas të cilit kriminelët nuk deportohen sepse kanë shtetësi gjermane duhet të shfuqizohet”, thuhet në citimin e nënkryetares së partisë, Alice Weidel.

Të pabazë juridikisht

Kjo të paktën sugjeron se qëllimi i AfD-së është që në disa raste tua marrin pasaportën gjermaneve me prejardhje migrante. Sipas rregulloreve aktuale ligjore, dëbime të tilla nuk janë të mundshme. Juristët kushtetues si Ulrich Karpenstein e konsiderojnë ndryshimin si jokushtetues në lidhje me nenin 16 të Kushtetutës.

Në një intervistë me ARD-në, anëtari i Bundestagut René Springer i AfD-së shpjegoi: "Si alternativë për Gjermaninë, ne mbështesim qartë Kushtetutën, por që nuk do të thotë, se ne nuk do të shtrëngojmë ligjet aty ku është e nevojshme kur të marrim përgjegjësi dhe të jemi në qeveri." Ky shtrëngim do të vendoset në Bundestagun gjerman: "Ne do të duhet të negociojmë atë që është e tolerueshme për ne dhe atë që nuk është më e pranueshme. Dhe ku duhet të ulen pengesat në rrugën e heqjes së shtetësisë", tha ai.

Për AfD-në, shtetasit gjermanë me origjinë të huaj janë të huaj

Një përshtypje e asaj që është e "tolerueshme" për AfD-në u dha nga një tubim lokal të kësaj partie në Gera të Turingisë në dhjetor. Aty një vizitor pyeti kryetarin e AfD-së për këtë land, Björn Höcke, se çfarë po ndodh me miliona njerëz që ai i konsideron ende të huaj, por që prej kohësh kanë pasaportë gjermane dhe nënshtetësi gjermane?

Gjatë asaj mbrëmje, Höcke tha ndër tjerash "Ne do të mund të jetojmë me 20, 30 për qind më pak njerëz në Gjermani pa asnjë problem, në fakt mendoj se kjo ka kuptim ekologjik". Me këto fjalë ai shpjegoi shumë sakt edhe përqindjen e njerëzve me prejardhje migrante në Gjermani - 28.7 për qind - duke përfshirë edhe ata me pasaportë gjermane. I pyetur nga ARD për të shpjeguar këtë deklaratë, Höcke tha se ishte keqkuptuar dhe shtoi: "Ky numër është rezultat i katastrofës demografike në të cilën ndodhet Gjermania".