1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Migrantët nga Ballkani 99% pa asnjë shans azili në Gjermani

Wolfgang Dick24 Shtator 2015

Kërkesat për azil nga emigrantët nga Ballkani Perëndimor kryesisht refuzohen në Gjermani. Në të ardhmen situata do të përkeqësohet dhe kthimet e detyruara do të bëhen edhe më të shpejta.

https://p.dw.com/p/1Gc6d
Fotografi: picture-alliance/epa/G. Licovski

Më shumë se 40 për qind e të gjitha kërkesave për azil të paraqitura në Gjermani vijnë nga njerëz nga Ballkani Perëndimor, kryesiht prej emigrantëve nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia.
Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë (BAMF) është autoriteti i vetëm, që vendos, nëse këto kërkesa për azil pranohen. Rregullat për këtë i përcakton Konventa e Gjenevës, Kushtetuta dhe ligjet ekzistuese për procedurat e azilit.
Ato janë forcuar në Gjermani vitet e fundit.

Vlerësimi i Ballkanit Perëndimor

Kështu krahas Serbisë, Maqedonisë, Bosnje e Hercegovinës edhe Shqipëria, Kosova e Mali i Zi konsiderohen tani të ashtuquajtura "vende të sigurta të origjinës". Në bazë të situatës aktuale ligjore në këto vende sipas këndvështrimit gjrerman atje nuk ekziston asnjë rrezik i persekutimit politik, apo i dhunës johumane dhe nuk mbizotërojnë rrethana, që të pengonin kthimin e azilkërkuesve në këto vende. Po ashtu në këto vende ekzistojnë kushte, që nuk e pengojnë kritadhesimin e azilkërkuesve të refuzuar. Vendet e Ballkanit Perëndimor kërkojnë bashkëpunimin me BE-në dhe sipas ministrit të Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier, është e vështirë dhe nuk mundet që ato të trajtohen si shtete, që persekutojnë shtetasit. Përveç kësaj këto vende kanë kërkuar vetë në konferencën e Ballkanit Perëndimor në gusht nga qeveria gjermane, që të klasifikohen si vende të sigurta origjine. Arsyeja: me valën e fundit të refugjatëve këto shtete humbasin shumë të rinj, kryesisht për motive ekonomike.

Infografik Anerkennungsquoten von Asylanträgen in Deutschland Englisch
Kuotat e pranimit të kërkesave për azil në Gjermani

Arsyet e refuzimit

Varfëria apo pakënaqësia politike në bazë të Konventës së Gjenevës për Refugjatët nuk vlejnë si arsye për azil. Por emigrantët nga Ballkani Perëndimor shpesh nuk mund të parashtojnë arsye të tjera të besueshme për të kërkuar azil, shpjegon BAMF. Kështu shumica e kërkesave refuzohen si "të pabaza". Gjykatat administrative nuk kanë hapësirë veprimi as në rastet e ankimeve kundër vendimeve. Për këtë arsye kuotat e njohjes së azilit për emigrantët nga shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të papërfillshme në krahasim me aplikimet e miratuara për azil nga refugjatët, që vinjnë nga vendet e tjera.

Pak arsye për shpresë

Edhe pse organizatat për të drejtat e njeriut dhe të refugjatëve theksojnë vazhdimisht përsekutimin e romëve në shumë vende të Ballkanit, numri i procedurave të azilit të refuzuara tregon se ky grup tek vendimmarrësit në Gjermani në shumicën e rasteve rrallë vlerësohet si i kërcënuar.
Alexander Thal nga Këshilli i Refugjatëve në Bavari supozon se presioni politik për shkak të numrit të madh të refugjatëve është aq i madh, saqë kërkesat nuk shqyrtohen më vërtetë thellësisht. Për këtë flasin atdhesimet, që kryhen, megjithëse në mesin e tyre ka raste të vështira sociale ende në shqyrtim. Rezistencë e madhe nga opozita politike nuk duhet të pritet. Edhe kryeministri i një landi nga partia e të Gjelbërve i mbështeti ndryshimet e fundit në ligjin për azilin.

Mazedonien Flüchtlinge in Gevgelija
Refugjatë në Gjevgjeli në MaqedoniFotografi: Reuters/S. Nenov

Ashpërsim i mëtejshëm

Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë po e intensifikon punën. Forca të specializuara po fokusohen në shqyrtimin e të gjitha kërkesave për azil nga Ballkani Perëndimor. 1000 punonjës shtesë i janë premtuar BAMF-së nga Ministria e Punëve të Brendshme. Landi i Bavarisë ka ngritur tashmë kampe pranimi vetëm për azilkërkuesit nga Ballkani Perëndimor, në Manching dhe në Bamberg. Azilkërkuesit nga Ballkani Perëndimor mbeten aty dhe deri në përmbylljen e shqyrtimit të kërkesës së azilit nuk shpërndahen në komuna.

Avantazhet e këtyre kampeve i përshkruan një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme bavareze: "Ne i kemi rrugët të shkurtra". Azilkërkuesit mund t'i gjesh dhe mund të flasësh me to menjëherë, vendimmarrësit ndodhen aty në vend. Në kampe azilkërkesit do të furnizohen kryesisht me përfitime në natyrë, atyre nuk do t'u jepen të holla. Paratë e xhepit do t'u paguhen vetëm për kohëzgjatjen e qëndrimit në kamp. Kjo kohë po shkurtohet tani. Sipas zëdhënësit koha e shqyrtimit prej datës së kërkesës për azil deri në komunikimin e një vendimi të padiskutueshëm është reduktuar në katër deri në gjashtë javë.

Shpeshtohen dëbimet

Kthimi me detyrim i emigrantëve të refuzuar nga Ballkani Perëndimor bëhet me avionë disa herë gjatë javës. Të kthyerit rrezikohen që të paguajnë vetë të gjitha shpenzimet e fluturimit. Kjo gjë ka ndodhur tashmë shpesh, shpjegon zëdhënësi. Për më tepër që nga 1 gushti ekziston mundësia që azilkërkuesve t'u jepet ndalim rihyrjeje dhe ndalim qëndrimi në të gjithë zonën Shengen. Si rezultat i të gjitha këtyre masave dhe i sinjaleve të qarta politike, numri i të ardhurve të rinj nga Ballkani Perëndimor po bie në mënyrë të konsiderueshme.