Bachelet: Tortura goditje e rëndë e dinjitetit të njeriut
25 Shtator 2018Michele Bachelet, e ka provuar torturën tek familja e saj dhe tek atdheu i saj. Komisarja e Lartë për të drejtat e njeriut, vjen nga Kili dhe i ati është torturuar pas puçit ushtarak. Prej pasojave të torturës ka humbur edhe jetën. "Tortura është goditje e rëndë e dinjitetit të njeriut", thotë ajo. "Shkakton dëme si tek viktima ashtu edhe tek shoqëria". Të hënën (25.09), ajo drejtoi në Nju Jork takimin e parë ministerial të Aleancës për Tregti pa Torturë, së bashku me Komisaren e BE-së për Tregti, Cecilia Malmström.
Aleanca për Tregti pa Torturë synon të përdorë më shumë instrumentet e Kombeve të Bashkuara për të ndaluar krejtësisht tregëtinë e veglave të torturës dhe të dënimit me vdekje. Një instrument i tillë do të ishte për shembull një rezolutë me forcë detyruese. Në Aleancën për Tregti pa Torturë marrin pjesë 65 vende, mes tyre Gjermania, Shqipëria dhe të gjitha vendet e Ballkanit.
Kur bëhen pjesë e kësaj aleance vendet angazhohen që të pengojnë eksportin e mallrave që përdoren për të shkaktuar torturë dhe vdekje, dhe për t'ia lehtësuar punën doganave për të zbuluar dhe identifikuar produktet e reja.
"Hunjtë metalikë me majë, rripa për të shkaktuar shok elektrik, mashat që përdoren për të shtrënguar njerëzit gjatë lëshimit të rrymës elektrike, lëndët kimike që përdoren për ekzekutim, si dhe për dhomat me gaz e karriget elektrike. Të gjitha këto sende ju mund t'i blini. Ato përdoren vetëm për të shkaktuar torturë ose vdekje", tha Cecilia Malmström në takimin e mbajtur në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Megjithëse përdorimi sistematik i torturës është krim kundër njerëzimit, mjetet që përdoren për torturimin e njerzëve vazhdojnë të tregtohen të lira nga shitësit tek blerësit. Kështu për shembull të lira tregtohen prangat për gishtin e madh të dorës, shkopinjt rrahës me gjemba, disqe me gjemba, pjesë metalike për të lidhur duart dhe këmbët në mur, shtretër me shtrënguesa. Tregtia me mjetet me të cilat zbatohen dënimet me vdekje përdoret për zbatimin e dënimit me vdekje.