1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Michail Saakashvili planifikon marshimin drejt Kievit

Christian Trippe
10 Shtator 2017

Armiku shtetëror Nr.1 i Ukrainës kërkon të përzihet në politikë. Michail Sakashvili, ish-president gjeorgjian dhe ish-guvernator i Odesës planifikon për këtë të dielë një rikthim spektakolar në Kiev.

https://p.dw.com/p/2jd8U
Ukraine Michail Saakaschwili Entzug der Staatsbürgerschaft
Fotografi: Imago/Zumapress

Po qe se nervoziteti në politikë do të kishte njësi matëse objektive, atëherë aparaturat këto ditë në Kiev duhet të lëshonin alarm. Nga kryeqyteti polak, Varshavë, Sakashvili planifikon kthimin në Ukrainë. Sakashvili, ky njeri pa pasaportë, armiku më i madh i presidentit Poroshenko, kërkon të dielën (10.09) në orën 12:00 të kalojë kufirin në Krakovc. „Do të shkoj deri në  fund, deri në fitore, por jo fitoren time, por të popullit mbi oligarkinë", tha ai në një intervistë televizive duke përmendur qëllimet për kthimin e tij në politikë.

Qeveria ukrainase kërkon të pengojë kthimin e Sakashvilit në tokën ukrainase. Pika e kalimit kufitar, një orë me automjet në perëndim të Lvivit është përforcuar me personal kufitar. Sipas oficerit Oleh Slobodjan janë mobilizuar madje „rezervat" për të siguruar kufirin e gjelbër. Mediat lokale raportojnë për gardh me gjemba që siguron rrugët anësore në hapësirën kufitare.

Petro Poroschenko und Michail Saakaschwili
Presidenti Poroshenko dhe SakashviliFotografi: picture alliance/dpa/EPA/M. Lazarenko/Pool

Karrierë politike me thepisje

Sakashvili konsiderohet si figurë politike shumëfytyrëshe. Ai është i vetmi ish-kryetar shteti që ka humbur në të njëjtën kohë dy nënshtetësi. Karriera e tij politike ka pasur kulme dhe rënie të forta. Në vitin 2003 ai u zgjodh me 36 vjeç president i Gjeorgjisë. Sakashvili e reformoi vendin kaukazojugor me një temp të shpejtë, dhe e shndërroi shtetin pasuses të Bashkimit sovjetik në një zonë shembullore neoliberale. Por gjithnjë e më shumë filluan të viheshin re te ai shenjat e një qeverisjeje autoritare. Në vitin 2008 Gjeorgjia u përfshi në luftë me Rusinë, ku si pasojë rajonet gjeorgjiane të Abkazisë dhe Osetisë së Jugut u uzurpuan nga ushtarët rusë.

Në vitin 2013 Sakakshvili e humbi pushtetin në Tiflis, dy vite më vonë atij iu hoq nënshtetësia gjeorgjiane. Në Maj 2015 presidenti ukrainas Poroshenko e vendosi guvernator në Odesa, një qytet i njohur për korrupsionin dhe kriminalitetin. Sakashvilit iu dha nënshtetësia ukrainase me një procedurë të shpejtë, ai duhej të vendoste rregull në Odesa, por dështoi. Në fillim të vitit ish-guvernatori u shfaq në Kiev dhe krijoi një parti të vogël liberale, "Lëvizja e Forcave të Reja”, dhe nuk i fshehu ambiciet e larta politike.

Heqja e nënshtetësisë me pretekste bajate

Në fund të korrikut, kur Sakashvili ndodhej në SHBA, vendin ku ai studioi juridik, qeveria ukrainase i hoqi nënshtetësinë. Edhe vetë kundërshtarët e tij e pranojnë se pretekstet janë bajate: Me gjasë Sakashvili kishte heshtur për faktin, se në vendin e tij në Gjeorgji zhvilloheshin hetime kundër tij. Por për këtë në atë kohë ishte shkruar në të gjitha gazetat. Sakashvili bëri të ditur, se do të luftojë për pasaportën ukrainase dhe se do të kthehet në Ukrainë. Që nga ajo kohë në qarqet qeverisëse të Kievit është përhapur nervoziteti.

Ukraine Parlament 2.12.2014 Julia Timoschenko
Timoshenko mbështet SakashvilinFotografi: Reuters/Valentyn Ogirenko

Spektakël në kufirin ukrainas

Sepse Sakashvili, të cilin shumë vetë e kritikojnë për dalje publike egomane, ka me sa duket më shumë mbështetës në politikën ukrainase, se sa pritej. Julia Timoschenko, e njohur si politikane e kontestuar, ish-kryeministre, pastaj e burgosur e famshme, dhe tani politikane opozitare populiste, ka folur për një „politikë të pistë" kundrejt Sakashvilit. Heqja e nënshtetësisë, me ndikimin e Poroshenkos, "dëmton imazhin e Ukrainës në sytë e botës”, ka thënë ajo.

Përveç deklaratave Timoshenko do të veprojë. Me 30 deputetë të parlamentit ukrainas, ajo do të udhëtojë drejt Krakovcit për të pritur Sakashvilin. Mbështetësit e ish-guvernatorit vijnë nga parti të ndryshme. Edhe kryebashkiaku mjaft popullor i Lvivit, Andreij Sadovyj ka shprehur mbështetjen për Sakashvilin. Por ka edhe reagime të ashpra. Populisti i djathtë, Oleh Ljashko ka bërë thirrje të hapur për dhunë kundër Sakashvilit, në rast se ai guxon të prekë kufirin "e shenjtë të Ukrainës”.

Shumë vëzhgues dyshojnë, nëse Sakashvili do të kalojë kufirin. Por edhe nëse ai do të hyjë në Ukrainë sa janë gjasat që ai të arrestohet e të esktradohet në Ukrainë, pyesin vëzhguesit. Në Gjeorgji ish-presidenti duhet të përgjigjet për keqpërdorim të detyrës. Një kërkesë ekstradimi ka mbërritur ndërkohë në Kiev, dhe po verifikohet nga Ministria e Drejtësisë. Apo mos do t'ia dalë Sakashvili t'i shpëtojë arrestimit për shkak të mbështetësve të tij. "Njerëzit duan të më ndihmojnë, sepse edhe unë dua të ndihmoj. Unë kam shumë shpresë tek ukrainasit. Së bashku do të fitojmë mbi mafian”, është shprehur Sakashvili.