1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Michael Roth: Të vazhdohen me vendosmëri reformat

22 Korrik 2018

Inkurajim për reformat e Tiranës dhe Shkupit: Ministri i Shtetit në Ministrinë e Jashtme Gjermane, Michael Roth nisi një tur diplomatik në Ballkan. Pas qëndrimit në Tiranë, Roth udhëton të hënën drejt Shkupit.

https://p.dw.com/p/31tOS
Westbalkan Gipfel in London Michael Roth
Fotografi: Imago/A. Parsons

Vëmendja e Gjermanisë drejtohet drejt dy vendeve të Ballkanit që janë në prag të hapjes së negociatave për t'i inkurajuar edhe më tej në vazhdimin e reformave të nisura. Ministri i Shtetit në Ministrinë e Jashtme Gjermane, Michael Roth vizitoi të dielën (22.07) Tiranën, ku zhvilloi takime me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati e kryeministrin Rama, pak javë pas dritës së gjelbër të BE për hapjen e negociatave me Shqipërinë në vitin 2019 dhe plotësimit të disa kushteve për reforma.

Në qendër të vizitës së Roth ishin bisedimet për gjendjen e reformës në drejtësi dhe procesit të vetingut, luftën kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit. Michael Roth u shpreh në një deklaratë për shtyp para vizitës se „në Tiranë janë vendosur në rrugën e duhur reforma të rëndësishme që duhet të vazhdohen me vendosmëri. Procesi i vetingut, ku gjykatësit dhe prokurorët i nënshtrohen një verifikimi sistemitk është shembullor për një reformë në drejtësi. Reformat tregojnë, se të dy vendet e kanë seriozisht me afrimin në Bashkimin Europian."

Albanien Außenminister Ditmir Bushati in Tirana
Fotografi: G. Shkullaku/AFP/Getty Images

Ministri i Shtetit, Roth i kujtoi politikës në Tiranë përgjegjësitë e saj, duke theksuar se ajo duhet t'i marrë këto përgjegjësi e të mos e pengojë integrimin. Po ashtu ai qartësoi se Shqipërisë nuk i janë vënë kushte për kampe refugjatësh, apo mbylljen e rrugëve për migrantët, por jemi menduar të gjejmë zgjidhje të përbashkëta për këto çështje. Shqipëria dhe Maqedonia janë të mirëpritura të japin kontributin e tyre, tha Roth.

Roth në Shkup

Të hënën, më 23 korrik, Roth udhëton më tej në Shkup, ku do të ketë takime me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, ministrin e Jashtëm, Dimitrov dhe kreun e opozitës, Mickoski. Roth vlerësoi më parë marrëveshjen historike me Greqinë për zgjidhjen e çështjes së emrit duke theksuar se „Athina dhe Shkupi treguan në mënyrë shembullore se tema të vështira me guxim, durim dhe gatishmëri për kompromis mund të zgjidhen."

 

Lindita Arapi, me xhaketë rozë dhe bluzë të zezë
Lindita Arapi Gazetare, moderatore, autore, shkrimtare