Meta: Asnjë politikan nuk duhet t’i shmanget drejtësisë
16 Nëntor 2018Qëndrimi i Presidentit Ilir Meta, pas arratisjes në Hungari të ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski, nuk përfshin vetëm rastin konkret. Ai shtrihet edhe për politikanë apo ish-polititkanë të lartë në Shqipëri, të përfolur për abuzim me pushtetut dhe korrupsion apo më gjerë në rajon. Në Forumin e Medias për Europën Jug-Lindore, ( SEEMF-South East Europe Media Forum) që nisi punimet në Tiranë, të enjten (15.11.2018), Presidenti Meta, duke iu përgjigjuir interesit të gazetarëve për ҫështjen Gruevski tha: "Çdo politikan, aq më tepër politikan me përgjegjësi të mëdha siç është rasti në fjalë, nuk duhet t'i shmanget as drejtësisë dhe as luftës politike. Kemi raste dhe në Shqipëri, kur ka pasur burgosje që janë konsideruar politike dhe janë përballuar. Largimi i tij është edhe një marrje e fajësisë, në njëfarë mënyre, pavarësisht nga pretendimet që ai mund të paraqesë”, theksoi Presidenti Meta në SEEMF.
Në Shqipëri, reforma në drejtësi parashikon edhe vetting-un e politikanëve. Polarizimi i skajshëm politik dhe mosmarrveshjet maxhorancë-opozitw nuk kanë bërë të mundur ngritjen e institucioneve të miratuara në Kushtetute - si SPAK (Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion) që ky proces të fillojë. Opozita nuk pranon që vetting-u të bëhet nga ky institucion por nga një strukturë tjetër, ngritja e të cilës kërkon ndryshime kushtetuese, gjë që shtyn fillimin e procesit.
Pse Gruevski nuk u ndalua në pikën shqiptare të kalimit të kufirit, në Hanin e Hotit?
Gruevski zgjodhi të kalonte nga Shqipëria në Mal të Zi dhe që andej të mbrrinte në Hungari, ku kërkoi azil politik. Mënyrën sesi Gruevski u arratis për të mos bërë dënimin dy vjeçar me burg për shpërdorim të detyrës, e bën të qartë njoftimi përshtyp i policisë shqiptare të kufirit.
"Shtetasi Nikolla Gruevski më datë 11.11.2018, rreth orës ora 19.11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të ambasadës hungareze në Tiranë. Në datën 11.11.2018 për shtetasin Nikolla Gruevski nuk ka pasur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim. Interpol Shkupi në datë 13.11.2018, rreth orës 19.35 i ka dërguar Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas", thuhet nw njoftimin e policisë shqiptare të kufirit.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë sot (16.11.2018) për DW se "kërkesa e Interpol Shkup, për Gruevskin si person në kërkim ndërkombëtar, erdhi 2 ditë pasi ai kishte kaluar kufirin shqiptar. Policia shqiptare e kufirit nuk mund ta ndalonte kalimin e tij para kësaj kësaj kërkese.”
Hungaria vend me qëndrim radikal kundër dhënies së azilit
Nëse përpiqesh të gjesh pse u arratis Gruevski, në arwsyetimin e rastit nuk mungon edhe ai i mosbesimit tek drejtësia në Shkup. Por janë të panjohura arësyet pse Gruevski, ndër vendet anëtare të BE, zgjodhi Hungarinë për t' i shpëtuar gjykimit në Maqedoni. Fakti që arratisja e tij u bë me mbështetjen e ambasadës hungareze në Tiranë lë të kuptohet për një marrveshje paraprake, të realizuar në kohë, për të organizuar arratisjen me sukses. Hungaria njihet si vendi anëtar i BE me një qëndrim të vendosur radikal kundër dhënies së azilit.