1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rruga kubaneze

28 Janar 2012

Raúl Castro kërkon të shpëtojë socializmin. Për këtë arsye presidenti i Kubës ka liberalizuar sistemin ekonomik të vendit. Por reformat e thella politike deri tani kanë munguar.

https://p.dw.com/p/13sM3
Presidenti kubanez Raul Castro
Presidenti kubanez Raul CastroFotografi: picture alliance/dpa

Gjatë pesë dekadave kanë qeverisur në Kubë vëllezërit Castro. Pjesa më e madhe e kubanezëve nuk kujtohen më për kohën para Fidelit (85) dhe Raulit (80). Tani, në moshë të thyer, Castrot duket se e kanë kuptuar se ndryshimi gjallëron biznesin politik.

Për këtë arsye në të ardhmen postet e larta qeveritare do të mbahen e shumta dhjetë vjet nga i njëjti person. Rregulli i ri do të vendoset këtë fundjavë në konferencën e parë kombëtare të Partisë Komuniste.

Vëllezërit Fidel dhe Raul Castro - në Kubë thuajse askush nuk kujtohet më për kohën para tyre
Vëllezërit Fidel dhe Raul Castro - në Kubë thuajse askush nuk kujtohet më për kohën para tyreFotografi: AP

Ulje e subvencioneve, rritje e çmimeve

Raúl Castro, presidenti i Kubës që prej vitit 2006 kishte iniciuar qysh më parë reforma ekonomike: në prill 2011 në kongresin e fundit të rregullt të partisë, komunistët vendosën më shumë se 300 masa për reformimin e sistemit të vjetëruar ekonomik. Që atëherë janë ulur shërbimet sociale nga shteti, janë shkurtuar subvencionet dhe janë rritur çmimet.

Njëkohësisht shteti ka lehtësuar themelimin e sipërmarrjeve të vogla. "Tani ekziston një treg transparent për shërbimet", thotë Bert Hoffman, ekspert për Kubën në institutin GIGA për studime rreth Amerikës Latine. Shumë kubanezë hapin restorante, fast-food apo hotele të vogla. Të tjerë bëhen profesionistë të pavarur si parukierë, hidraulikë apo mekanikë. "Shërbimet e këtyre sipërmarrjeve janë dukshëm më të mira se ofertat përkatëse të shtetit", thotë Bert Hoffmann. Por nga ana tjetër janë rritur edhe çmimet.

Liberalizimi i ekonomisë shërben edhe si ventil për pakënaqësinë e njerëzve ndaj politikës. "Tani ka shumë më tepër mundësi ku njerëzit mund të shkarkojnë energjitë e tyre", thotë Hoffmann. Por ka edhe humbës, për shembull pensionistët të cilët nuk i lejojnë vetes shumë gjëra për shkak të rritjes së çmimeve.

Reforma ekonomike, stanjacion politik

Tregtar në rrugë në Havana, Kubë
Tregtar në rrugë në Havana, KubëFotografi: AP

Sipas ekspertit Bert Hoffmann politikisht ka pak në lëvizje në Kubë edhe nën qeverisjen e Raul Kastros: "Kemi një proces me dy shpejtësi. Reformat ekonomike ecin përpara dhe kemi të bëjmë me një proces të mirëfilltë reformator. Por në sektorin politik mbizotëron stanjacioni."

Në kongresin e ardhshëm të jashtëzakonshëm kombëtar të partisë duhet të flitet për reforma politike. Kështu u vendos në kongresin e partisë në prill 2011.

Kërkesat për reforma politike po bëhen gjithnjë e më të forta. Disidentët kubanezë tërheqin vëmendjen për kërkesat e tyre me greva urie. Edhe Kisha Katolike ka shtuar kritikat ndaj regjimit. Konferenca e partisë "është mundësia e fundit për brezin historik të revolucionit për të ndërmarrë reforma të vërteta dhe të vazhdueshme", shkruante në një kryeartikull Lenier Gonzalez, zëvendësdrejtor i gazetës së afërt me kishën "Espacio Laical".

Blogger-ja kubaneze Yoani Sanchez
Blogger-ja kubaneze Yoani SanchezFotografi: picture alliance/dpa

Skeptikë para konferencës së partisë

Por vetë presidenti Raul Castro zbuti paraprakisht pritjet: "Nuk duhet të ketë iluzione shumë të mëdha për konferencën. Ajo është një çështje e brendshme e partisë."

Eksperti për Kubën Bert Hoffmann nuk ka pritje të mëdha: "Në parim bëhet fjalë për një aktivitet që i drejtohet më shumë anëtarëve të partisë se sa popullit të gjerë". Në radhë të parë është fjala për të treguar unitet dhe për ta mbajtur partinë në një linjë.

Skeptike shprehet edhe blogger-ja kubaneze Yoani Sánchez, kritike e regjimit. "Pjesa më e madhe e kubanezëve presin pak nga takimi. Në rrugë njerëzit thuajse nuk flasin fare për të. Një koment tipik është 'ajo nuk ndryshon asgjë'".

Sipas ekspertit Hoffman pakënaqësia është Kubë është që tani e ndjeshme. Megjithatë nuk pritet ndonjë ndryshim regjimi së shpejti, udhëheqja e vendit është e qendrueshme. Deri tani elitat nga partia, aparati shtetëror dhe ushtria janë në unitet. Frika e tyre ndaj një lufte civile, dhunës dhe humbjes së privilegjeve është shumë e madhe.

Autorë: Nils Naumann / E. Xhani
Redaktoi: Esat Ahmeti