1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkeli kërkon që Britania e Madhe të qendrojë në BE

Arne Lichtenberg28 Shkurt 2014

Angela Merkel theksoi në Parlamentin britanik sa e rëndësishme është për të mbetja e Britanisë së Madhe në BE. Për kryeministrin Cameron kjo nuk e bën më të mirë gjendjen. Ai duhet të distancohet nga Evropa.

https://p.dw.com/p/1BHCp
Angela Merkel dhe David Cameron në Londër
Fotografi: Reuters

Kancelarja gjermane Angela Merkel kishte nderin të fliste para dy Dhomave të Parlamentit britanik në Westminster, përpara se të takohej pasdite për të pirë një çaj me mbretëreshën Elisabet. Të gjitha këto e bëjnë të qartë statusin e saj si politikania më e rëndësishme e Evropës. Megjithatë ajo i shoi shpresat e britanikëve, kur u tha britanikëve në Royal Gallery në Londër para fjalës së saj 30 minutëshe: "Unë dua vetëm të ndaj me ju mendimet e mia për Evropën". Ajo kalonte në fjalën e saj nga gjermanishtja në anglisht dhe e bëri të qartë me këmbëngulje se dëshiron ta shikojë patjetër edhe më tej në BE Britaninë e Madhe.

Kryeministrin britanik fjalët e Merkelit nuk duhet ta kenë kënaqur. Cameroni ndodhet nën presion: ai duhet të mbajë premtimin ndaj zgjedhësve britanikë, për t'i shtyrë përpara reformat në BE. Veç kësaj ai tha sërish, se dëshiron t'u japë sërish britanikëve mundësinë që të votojnë më 2017 për qëndrimin në BE.

Mosbesimi publik përballë BE në Mbretërinë e Bashkuar është i madh dhe më 2015 janë zgjedhjet. Cameroni e sheh veten të konfrontuar me mbështetje në rritje të partisë anti-BE, UKIP. Një ndryshim në politikën e BE, për të cilin Cameroni angazhohet fort: kufizimi i të drejtave të migrantëve të shteteve më të varfra anëtare, të cilët shkojnë në vende më të pasura si Britania për të përfituar nga sistemi i saj social.

Planet reformuese të Merkelit nuk shkojnë sa duhet larg për britanikët

Edhe Merkeli kërkoi reforma kur tha "Evropa duhet të bëhet më e aftë për konkurencë" dhe "konfigurimi politik i Evropës duhet përtëritur." Komisioni duhet të rregullojë vetëm atë që nuk mund ta rregullojnë shtetet e veçanta. Por kjo nuk u mjafton britanikëve. Shumë konservatorë dëshirojnë një raport të ri me BE, ku Britania, si vend jo anëtar i Eurozonës të mbrojë interesat e saj si komb tregtar i pavarur. Ta bëjë këtë e pashqetësuar nga përpjekjet e Gjermanisë për të stabilizuar Eurozonën.

Nevojitet diplomaci

Almut Möller, i Shoqatës Gjermane për Politikën e Jashtme e vlerëson kështu gjendjen përballë DW: "Një sfidë nacionale për të ardhmen e qeverisë Cameron është kthyer në një çështje të të gjithë BE. Dhe ajo fut në lojë Gjermaninë." "Vendimtare për Gjermaninë është që të përmirësojë gjendjen e Eurozonës. Nga ana tjetër, Gjermania është më pak e interesuar që ta ndihmojë Cameronin, që të qetësojë euroskeptikët e tij."

Merkeli theksoi në fjalimin e saj disa herë: "Ne kemi nevojë për një Britani të Madhe të fortë me një zë të fortë." Ajo shikon te britanikët një aleat të rëndësishëm për ta bërë më të mirë BE. Megjithë këto fjalë: presioni në vend ndaj kryeministrit Cameron është në rritje. Nëse ai dëshiron të rizgjidhet më 2015, ndoshta atij do t'i duhet vërtet ta mbajë referendumin e premtuar për qëndrimin apo largimin e Britanisë së Madhe në BE.