1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkeli dhe Cameroni diskutuan për tregtinë globale dhe BE

Kate Brady/ aud8 Janar 2015

Kancelarja gjermane, Angela Merkel është takuar në Londër me kryeministrin britanik, David Cameron. Ata u ndalën në atentatin e tmerrshëm në Paris përpara se të flisnin për çështje tregtare.

https://p.dw.com/p/1EGSH
Angela Merkel viziton Londren
Fotografi: picture alliance/ZUMA Press/V. Flores

Liria e lëvizjes në BE si dhe perspektiva e një marrëveshjeje tregtare midis BE dhe SHBA qenë në krye të agjendës së kancelares Angela Merkel dhe kryeministrit David Cameroni, në takimin e tyre të mërkurën në Londër.

Duke pasur parasysh daljen eventuale të Britanisë së Madhe nga BE, kryeministri britanik tha në një konferencë shtypi në Downing Street se është "i bindur" që "mund t'i riparojë problemet" në marrëdhëniet e Britanisë me Evropën. Këto marrëdhënie britanikët i shohin si "shumë irrituese".

Cameroni vazhdoi më tej dhe tha se ai beson "thellësisht" se BE ka nevojë të reformohet. Kurse kancelarja Merkel tha si përgjigje se "ne do të dëshironim shumë ta kemi Britaninë e Madhe në një Evropë të fortë dhe të suksesshme."

Në një kohë kur kanë mbetur më pak se katër muaj nga zgjedhjet e përgjithshme në Britaninë e Madhe, dalja e mundshme e vendit nga BE po përvijohet edhe më pranë. Cameroni ka premtuar se do të mbajë një referendum nëse Britania e Madhe do të qendrojë apo jo pjesë e BE, po ta rizgjedhin kryeministër në maj.

Në lidhje me abuzimin e ndihmave financiare nga disa migrantë, Merkeli tha më tej se kjo organet përkatëse duhet të merren me këtë çështje, në mënyrë "që të ruhet liria e lëvizjes".

Grexit

Gjatë konferencës së shtypit të mërkurën, kancelarja u ndal edhe në një dalje të mundshme të Greqisë nga Eurozona. Ajo tha se qeveria gjermane "ka ndjekur gjithmonë një politikë, që mbështet qendrimin e Greqisë në Eurozonë dhe se angazhimet...për të cilat është rënë dakord mes Greqisë dhe trojkës dhe shteteve anëtare të BE, Greqia i ka respektuar."

"Greqia në fakt ka bërë shumë sakrifica. Për shumë njerëz në Greqi, këto kanë qenë vite shumë të vështira. Kemi bërë një rrugë të gjatë", shtoi Merkeli.

Atentati kundër revistës Charlie Hebdo

Duke folur para British Museum më herët të mërkurën, dy udhëheqësit evropianë mbajtën qëndrim të përbashkët në karakterizimin që i bënë atentatit kundër revistës satirike franceze Charlie Hebdo. Në atentat e humbën jetën 10 gazetarë dhe dy policë.

"Ajo që ndodhi sot në Paris është një sulm barbar kundër vlerave tona evropiane", tha kancelarja gjermane. "Ne u përmbahemi vlerave të palëkundura të lirisë së shtypit, të lirisë dhe demokracisë", shtoi ajo.

Më herët Cameroni shkroi në twitter se ai i konsideronte "të neveritshëm" vrasësit.

Merkeli dhe Cameroni vizituan pas kësaj Muzeumin Britanik, ku aktualisht ndodhet një ekspozitë që tregon 600 vjet të historisë së Gjermanisë.

Vizita pesëorëshe e kancelares në Londër ishte vetëm ndër vizitat që ajo do të ndërmarrë muajt e ardhshëm në kuadër të presidencës vjetore të Gjermanisë në vendet e G-7-ës.