1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel paralajmëron: Negociata të ashpra për Brexit

Nina Werkhäuser
28 Prill 2017

Angela Merkel ishte e qartë në deklaratën e saj në Bundestag: Negociatat për Brexit mes BE-së dhe Britanisë së Madhe do të jenë të ashpra. Ajo nuk bëri lëshime. Edhe BE tregon unitet.

https://p.dw.com/p/2c0nO
Angela Merkel Regierungserklärung Berlin
Fotografi: Reuters/H.Hanschke

Vota e britanikëve për daljen nga unioni ka dëshpëruar shumë politikanë gjermanë, por koha e pikëllimit ka marrë fund. Tani bëhet fjalë për nisjen e negociatave pa asnjë emocion, pas zgjedhjeve parlamentare më 8 korrik në Britaninë e Madhe. Çdo palë përgatitet sa më mirë të jetë e mundur për modalitetet e daljes nga unioni, që pritet të përfundojë brenda dy vjetësh. Të 27 vendet e mbetura anëtare të shtunën paraqesin në një samit të posaçëm kuadrin kryesor për negociatat e daljes nga unioni të Britanisë së Madhe -me një unitet të madh, siç bëri të ditur kancelarja Merkel.

Kush e ka ndjekur deklaratën qeveritare të premten të Merkelit, e di që tani si po shkojnë punët: Theresa May nuk do të ketë koncertin e dëshiruar sipas pjesëve të saj. Nëse kryeministrja britanike ka ndërmend të mos respektojë detyrimet financiare afatgjata të Britanisë së Madhe kundrejt BE-së, dihet që ka për të ndeshur në granit. May nuk do të ketë sukses me kërkesën e saj, që temat e nxehta të negociimit të preken në fund, bëri të ditur Merkel. Ajo i dha fund bindjes së britanikëve, se pas daljes nga unioni mund të gëzojnë të njëjtat të drejta si më parë. Ky është iluzion, humbje kohe, tha Merkel. Përzgjedhja e fjalëve të le të kuptosh, se sa të pamëshirshme do të jenë negociatat në të ardhmen.

Ujdi në BE

Një rëndësi e veçantë i vihet renditjes së trajtimit të modaliteteve të daljes nga unoni. Për shkak se BE në këtë pikë prek një fushë të panjohur, unioni i kushton vëmendjes përgatitjes së imtësishme dhe ujdisë sa më të madhe të mundshme mes vendeve anëtare. Britania e Madhe, në të ardhmen "shtet i tretë" mund të presë drejtësi, por jo butësi në këto negociata. Do të luftohet ashpër për çdo pikë të tyre. Në rastin e Gjermanisë për të drejtat e rreth 100.000 qytetarëve gjermane, që jetojnë në Britaninë e Madhe. Ndjekja e linjës së ashpër është në interes të BE-së, sepse unioni kërkon të trembë ata që duan të imitojnë Britaninë e Madhe. Shpjegimet që dha Merkeli në Bundestag të enjten (27.04) janë një mesazh i qartë për Londrën: Negociatat do të jenë të patundshme.