1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shoqëria shqiptare mbetet një shoqëri patriarkale që preferon fëmijë djem

Ani Ruci 11 Janar 2013

Në Shqipëri gjatë 15 viteve të fundit në çdo 100 lindje kanë lindur rreth 10 - 12 meshkuj më shumë sesa femra. Kjo mund të sjellë çrregullime serioze në shoqëri.

https://p.dw.com/p/17Gyu
Presantation in Tirana of the research: SEX imbalances at birth in Albanian; 08.01.2013, Tirana; Copyright: DW/A. Ruci
Tirana Ungleichgewicht der Geschlechter bei der GeburtFotografi: DW/A. Ruci

Studimi i përbashkët i UNFPA dhe World Vision e rendit Shqipërinë si vendin e parë në Ballkan, ndjekur nga Maqedonia veriperëndimore, Mali i Zi dhe Kosova, për abortin selektiv të foshnjave kur ato janë femra dhe sidomos kur janë të dytat apo të tretat në familje. Arësyeja ? Një kombinim fatal mes parapëlqimit tradicional për fëmijë meshkuj, uljes së nivelit të lindshmërisë dhe përhapjes së teknologjive moderne, që bëjnë të mundur të shihet seksi i foshnjës para se të lindë. Izela Tahsini, sociologe, pedagoge në Universitetin e Tiranës dhe pjesëmarrëse në këtë studim, thotë për DW:“Shoqëria shqiptare mbetet një shoqëri patriarkale që preferon fëmijë djem. Studimi vuri re preferencën për djem në të gjithë Shqipërinë. Të dhënat e tij tregojnë se ky parapëlqim i fëmijëve djem ka sjellë në 15 vitet e fundit një ulje të madhe të lindjeve të vajzave nëpërmjet përzgjedhjes së seksit para lindjes apo abortit përzgjedhës. Ndërkohë norma e ulët e lindshmërisë ka zvogëluar mundësitë për të pasur djalë në familjet e vogla. Në këtë situatë nuk duhen lënë mënjanë ndikimi i mungesës së pasojave ligjore në rastet e aborteve selektive” thotë Izela Tahsini.

Der Bevölkerungsfonds der Vereinten Nationen (englisch United Nations Population Fund, UNFPA; bis 1987 United Nations Fund for Population Activities; daher die noch heute übliche Abkürzung UNFPA) ist der weltweit größte Fonds zur Finanzierung von Bevölkerungsprogrammen. Er wurde 1967 als Treuhandfonds eingerichtet und ist seit 1972 ein Nebenorgan der Generalversammlung der Vereinten Nationen. Seit 2011 ist Babatunde Osotimehin Exekutivdirektor. Quelle: Wikipedia
Logo e UNFPA, Fondi i OKB-së për Popullsinë

Ligji shqiptar për abortin

Ndryshe nga legjislacioni i regjimit komunist që ndalonte abortin dhe mjeku që e kryente, nëse zbulohej, dënohej me 5 vjet burg. Ligji i ri, i hartuar në vitin 1991 lejon abortin por vë disa kufizime kohore. Pëllumb Pipero, Drejtor i Përgjithshëm i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë shpjegon për DW: “Në Shqipëri ligji lejon abortin vullnetar deri në javën e 12-të të ngjizjes, kur ende nuk është e mundur të përcaktohet seksi i fetusit në kushtet e aparaturave që përdoren në Shqipëri. Pas javës së 12-të aborti vullnetar është i paligjshëm dhe përbën vepër penale. Ai mund të jetë mjekësor dhe të bëhet deri në javën e 22-të të shtazanisë për ruajtjen e shëndetit të nënës dhe për të mos lejuar lindjen e fëmijëve me sëmundje gjenetike të trashëguara që e bëjnë lindjen e tyre të papajtueshmë me jetën. Në këtë rast aborti bëhet me vendim të një komisioni të përbërë nga tre mjekë të specialiteteve të ndryshme” thekson Z. Pipero.

Brenda një viti në dy maternitetet që ka Tirana “ Mbretëresha Geraldinë” dhe ” Koço Glozheni” kryhen rreth 1000 ( një mijë) aborte vullnetare dhe mjekësore. Nuk ka të dhëna për abortet e paligjshme dhe selektive që mund të kryhen në klinika ambulante private, apo ato publike me raporte mjekësore të sajuara nga bluza të bardha të korruptura. “Korrupsioni tek bluzat e bardha nuk është vetëm fenomen shqiptar. Ne nuk kemi kemi fakte,nuk kemi të dhëna, nuk kemi informacione as për korrupsionin, as për aborte selektive. Gjithsesi çdo abort pas javës së 12-të të shtatzanisë kur nuk është mjekësor është krinimal dhe ndaj tij mbahet qëndrim ligjor.” thotë Drejtori i Përgjithshëm i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero.

Aborti dhe besimi fetar

Studimi tregon që ky qëndrim ligjor nuk është mbajtur pasi abortet selektive mbahen sekret dhe nuk raportohen. Ligji nuk mund të veprojë. Por studimi lë të kuptohet qartë që nuk kanë vepruar as ligje të pashkruara morale si ato që predikojnë besimet fetare. Imzot George Frendo, nga Malta, që prej 15 vitesh është ndihmës ipeshkv në Katedralen Katolike të Shën Palit në Tiranë thotë: “Aborti selektiv është siptomë e një shoqërie misogeniste, kundër grave, ku gruaja vlerësohet si seksi i dytë, i nënshtruar. Por ai është një krim i rëndë për faktin që është vrasja e një qënieje njerëzore. Për këtë arësye aborti është kundër urdhërit të pestë të Zotit që thotë “Mos vrit”. Ndërkohë pyetja thelbësore që ngrihet është : A ka më pak të drejtë të jetojë një qënie njerëzore që është femër? Ne besojmë që njeriu nuk është vetëm materie por edhe shpirt, ne besojmë në dinjitetin e gruas. Ne dënojmë abortin selektiv se tregon një mosvlerësim të dinjitetit të gruas dhe u predikojmë besimtareve të mos e kryejnë ”thekson Imzot George Frendo.

Pasojat në një shoqëri që preferon fëmijë djem

Çekuilibri aktual në raportin gjinor në lindje çon në një tepricë meshkujsh të rritur, gjë që mund të provokojë tkurrje të martesave për shkak të mungesës së femrave. “Situata mund të jetë më e keqe nga sa thonë shifrat. Kjo për faktin se modelet e martesave janë të ndjeshme edhe ndaj ndryshimeve në strukturat demografike. Nëse meshkujt nuk arrijnë të martohen gjatë një periudhe, do të përpiqen të martohen në periudhën tjetër, duke krijuar kështu një ‘stok’ beqarësh, që do të keqësojnë çekuilibrat në tregun e martesave. Kërkesa e lartë për nuse e shkaktuar nga teprica e meshkujve të rinj, mund të sjellë edhe “rikthimin e martesave të hershme”.që kanë qenë mbizotëruese në të kaluarën tradicionale të Shqipërisë. Çekuilibri aktual i raportit gjinor në moshën riprodhuese mund të nxitë emigrimin, Shqipëria mund të privohet nga një përqindje e konsiderueshme e popullatës së meshkujve në moshë pune, dhe mund të mos jetë në gjendje të shfrytëzojë plotësisht bonusin demografik që rezulton nga tranzicioni demografik. Ekzistojnë edhe implikime negative për gratë dhe vajzat. Përvoja e Kinës dhe e Indisë tregon se mungesa e femrave mund të shoqërohet me rritje të dhunës gjinore, trafikimit dhe shfrytëzimit seksual”, thotë sociologia Izela Tahsini.

Studimi u rekomandon autoriteteteve dhe shoqërisë civile në Shqipëri fillimin e një dialogu më të gjerë për zbatimin e politikave që reduktojnë diskriminimin gjinor para lindjes.