Megjithë Brexitin: ekonomia e Britanisë së Madhe rritet
30 Janar 2018Për pasoja negative të Brexitit patën paralajmëruar para së gjithash mbështetësit e BE. Pasojat negative të daljes nga BE do të ishin masive: recesion, papunësi në rritje, rënie të çmimeve të shtëpive. "Britain Stronger in Europe", fushata për mbetjen e Mbretërisë së Bashkuar në BE citonte për shembull një studim të shoqatës ekonomike PricewaterhouseCoopers (PwC), në bazë të së cilës pasiguria e Brexitit do të shkatërronte deri në vitin 2020 jo më pak se një milion vende pune britanike. Por në 2017-ën për shembull ekonomia britanike u rrit me rreth dy përqind. Kuota e papunësisë ra në nivelin më të ulët që prej më shumë se 40 vjetësh. Kjo në një kohë kur qeveria britanike, një vit para daljes nga BE nuk ka rënë dakord për një plan të qartë për kohën më pas.
Rënia e paundit si nxitje koniunkturore
Që pas referendumit nuk ndodhi rënia e thellë, kjo duhet të ketë të bëjë para së gjithash me humbjen e vlerës të paundit britanik, thotë Jonathan Perraton, ekonomist në Universitetin Sheffield. "Pikërisht bizneset prodhuese u forcuan në këtë mënyrë në aftësinë për të konkurruar". Oliver Gwynne, menaxher i shitjeve te furnizuesi Bronte në Bradfort e vë re këtë në biznesin me klientët nga Gjermania."Shumë firma të mëdha po i rivlerësojnë aktualisht zinxhirët e furnizimit", vëzhgon Gwynne. "Disa pyesin që prej Brexitit: a mund t'i prodhonim ne të gjitha në Mbretërinë e Bashkuar, në vend të botës së jashtme?"
Qetësia mund të mos zgjasë
"Rri i qetë dhe vazhdo punën", kjo duket se është deri tani deviza e shumë sipërmarrjeve britanike. Megjithatë mbetet të pritet nëse ky qendrim i çlirët nuk do të ndryshojë, kur Brukseli dhe Londra të negociojnë këtë vit për detaje të raportit të tyre pas Brexitit.
"Sipërmarrjet vazhdojnë të investojnë shumë pak", vëzhgon Jonathan Perraton. Shumë presin që të bëhen të dukshme pasojat e Brexitit. Edhe rritja ekonomike, thotë Perraton nuk është veçanërisht e lartë përballë konjukturës së fortë në ekonominë botërore. "Që prej Brexitit, Mbretëria e Bashkuar ka rënë në një nga vendet e fundit në shtetet e G-7-ës."
Inflacioni është rrezik për konsumin privat
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) sapo e korrigjoi prognozën e tij të rritjes për Britaninë për 2019-ën, nga 1,6 në 1,5 përqind. Edhe kjo nuk është goditje e rëndë. Por njëkohësisht, FMN e rriti parashikimin për shembull për Gjermaninë, nga 1,5 në 2,0 përqind. "Prodhimi ynë nuk do të pësojë kolaps", thotë Perraton. "Por ne do të kemi përfundime më të këqia se ato që do të kishim pa pasur Brexitin".
Në mbi tre përqind është ngjitur inflacioni në Britaninë e Madhe që prej Brexitit. Ekonomistët bëjnë përgjegjës për këtë para së gjithash paundin e dobët. Një pjesë e pronarëve i kanë përshtatur pagat e punonjësve të tyre. Por shumë britanikë kanë realisht pak para në xhep. Këtë së shpejti do ta ndiejë edhe ekonomia britanike, pret Jonathan Perraton. Në fund të fundit, ka qenë konsumi i fortë ai që i ka zbutur deri tani efektet e Brexitit.