1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EM-Gold für Betty Heidler in Barcelona

31 Korrik 2010

Në ditën e katërt të kampionatit evropian të atletikës së lehtë, gjermanët i gëzohen edhe katër medaljeve të reja. Betty Heidler mori medaljen e artë në hedhjen e çekiçit. Argjend dhe bronx në kërcimin me shkop.

https://p.dw.com/p/OYzM
Atletja gjermane Betty Heidler.
Fotografi: AP

Pas medaljeve të arit të mara nga kampionia e re e Evropës në 100 metërsh Verena Sailer dhe sensacionit të Linda Stahl-it në hedhjen e shtizës, atletët gjermanë vazhdojnë të jenë të suksesshëm në gjuetinë e medaljeve.

Në ditën e katërt të Kampionatit Evropian të Atletikës së Lehtë në Barcelonë, Betty Heidler fitoi medalje ari në hedhjen e çekiçit, ndërsa Silke Spiegelburg dhe Lisa Ryzih përkatësisht argjend dhe bronz në kërcimin me shkop.

Atletja gjermane Lisa Ryzih në garën e kërcimit me shkop.
Atletja gjermane Lisa Ryzih në garën e kërcimit me shkop. Barcelonë 2010Fotografi: picture-alliance/dpa

Heidler u brohorit nga rreth 25.000 spektatorët në arenën olimpike për medaljen e dytë të artë në karrierën e saj. Medalja e argjendit në këtë disiplinë u fitua nga ish-kampionia botërore, rusja Tatjana Lisenko, ajo e bronxit nga kampionia e botës nga Polonia Anita Wlodarczyk.

Për berlinezen Heidler kjo nuk ishte medalja e parë e artë. Në vitin 2007 ajo fitoi medaljen e artë në Kampionatin Botëror në Osaka dhe në kampionatin e 2009-s në Gjermani fitoi medaljen e argjendtë. Atëherë atletja gjermane u mund vetëm nga hedhja rekord e kampiones Anita Wlodarczyk (77,96m).

Por Heidler-i ka përjetuar edhe dështime. Gjatë Lojërave Olimpike në Pekin 2008 ajo nuk e përballoi tensionin nervor, dhe nuk arriti finalen duke u radhitur e nënta. Që atëherë duket se forma psikologjike e polices është konsoliduar mjaft. Atletja studion paralelisht drejtësi dhe ka hobi të larmishëm: "Leximi, hipizmi, të fle shumë, të bëj shopping dhe të kaloj sa më shumë kohë me familjen dhe miqtë e mi", shkruhet në faqen e saj në internet.

Ar dhe argjend në kërcimin me shkop

Silke Spiegelburg
Silke Spiegelburg mori medaljen e argjendtë.Fotografi: AP

Silke Spiegelburg fitoi me rezultatin 4,65 metra medaljen e argjendtë në kërcimin me shkop. Ndërsa 21 vjeçarja Lisa Ryzih me rezultatin më të mirë personal prej 4,65 metrash fitoi në mënyrë të papritur medaljen e bronztë. Medalja e arit në këtë disiplinë, ashtu si në botërorin e atletikës së lehtë 2003, u fitua nga rusja Swetlana Feofanova.

"Kishte ardhur koha që ta merrja këtë medalje. Do kisha dashur ta fitoja që vitin e kaluar në Berlin", tha Spiegelburg, e cila derdhi lotë për vendin e katërt në kampionatin e 2008-s në Berlin.

Argjend për Carsten Schlangen

Berlinezi Carsten Schlangen fitoi papritur argjend në vrapimin 1.500 metra. 29 vjeçarit iu desh të pranonte epërsinë e fituesit spanjoll të garës Arturo Casado me kohë 3:42,74. Schlangen arriti 3:43,52 pas një vrapimi me taktikë të zgjuar.

Ylli i ditës së katërt të Kampionatit Evropian të Atletikës së Lehtë ishte heroi i ri i Francës Christoph Lemaitre, i cili dy ditë pas triumfit në 100 metërsh arriti të përsërisë fitoren në 200 metërsh me një kohë 20,37 sekonda.

Në vlerësimin e përgjithshëm në shtatëgarësh kryeson kampionia e botës nga Britania e Madhe Jessica Ennis me 4.080 pikë.

Autor: Arnulf Boettcher / Eliana Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj