Mbyllje e kufijve, ndërtim gardhesh - e bëshme?
10 Tetor 2015DW: Zoti Michl, ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Hermann ka kërcënuar se do t'i kthejë mbrapsht në Austri refugjatët që vijnë përmes Austrisë, sepse Austria nuk respekton të drejtën ndërkombëtare. A do të ishte e mundur juridikisht kjo?
Walther Michl: Nëse po, atëherë këtë nuk mund ta bënte Bavaria, sepse kjo është krejtësisht kompetencë e federatës. Gjermania duhet të verifikojë njëherë se cili shtet i BE është përgjegjës për refugjatin. Dhe sa të bëhet ky verifikim, refugjatët hë për hë do të kishin një të drejtë qendrimi në Gjermani.
DW: Për momentin ka vërtet kontrolle në kufi me Austrinë, por refugjatët megjithatë nuk ndalen. A i lejohet Gjermanisë që në rast nevoje ta mbyllë kufirin?
Në bazë të së drejtës gjermane kjo do të ishte e mundur. Sipas së drejtës së BE kjo do të ishte e mundur si masë e njëanshme, në një situatë absolute të jashtëzakonshme, për një periudhë një deri në dy vjet. Në këtë rast duhet të jenë konstatuar më parë mangësi të vazhdueshme në kontrollin e kufijve të jashtëm. Kjo mund të supozohet për momentin aktual.
DW: Për momentin, kufijtë e jashtëm të BE-së janë thuajse krejtësisht të hapur, me përjashtim të Hungarisë që ka ndërtuar një gardh. Thjesht nga ana juridike, a mund të argumentohet që Gjermanisë i lejohet të ndërtojë vetë një gardh, sepse nuk funksionon kontrolli i kufijve të jashtëm?
Nuk mendoj kështu.Vërtet që në direktivat e federatës dhe të BE-së nuk shkruhet asgjë për mënyrën si duhen siguruar kufijtë. Por në çdo rast duhen respektuar të drejta individuale bazë. Para së gjithash duhet ruajtur parimi i përpjestueshmërisë, dhe këtë parim unë do ta shikoja në një rast të tillë të shkelur. Pavarësisht nga kjo, nga ana topografike është shaka e bukur që të mbjellësh një kufi midis Gjermanisë dhe Austrisë përmes Malësisë dhe pastaj në lumin Inn. Pra ky nuk është propozim realist.
Kancelarja Federale sapo tha se nuk mund të ketë një ndalim të pranimit të refugjatëve. A është migrimi teorikisht pa kufi?
Në parim po. Të gjithë instrumentat juridikë, të cilat u japin refugjatëve një status juridik në BE dhe në Gjermani nuk parashikojnë një kufi maksimal. Natyrisht, të gjitha këto instrumente nuk mbajnë parasysh një situatë të tillë si e tanishmja, që shifrat e refugjatëve kalojnë në miliona. Dhe natyrisht ato nuk janë formuluar me një situatë në fokus, kur kufijtë e jashtëm nuk funksionojnë.
A ka një kufi faktik maksimal, dhe nëse ka, kush e përcakton atë? Apo duhet të pësojë më parë kolaps rendi shtetëror?
Në thelb atëherë kemi të bëjmë me një gjendje të jashtëzakonshme. Kjo do të thotë që për një gjendje të tillë nuk janë formuluar rregulla juridikë. Duhet të kalohet një kufi i papërcaktuar me norma juridike. Si duhet caktuar ky kufi, për këtë nuk ka raste precedente.
Merkeli ka thënë edhe se rregullat e Dublinit, në bazë të të cilave përgjegjës për një refugjat është shteti ku ai hyn për herë të parë, në praktikë "nuk janë stabile." A nuk duhet t'i përmbahemi në këtë situatë të pasigurtë më mirë gjendjes ekzistuese juridike - sepse Dublini është edhe më tej në fuqi - ose së bëshmes?
Problemi është që nuk është kaq e lehtë që t'i përmbahesh gjendjes juridike. Kur shtetet në kufijtë e jashtëm nuk i regjistrojnë refugjatët, shtetet e brendshme nuk mund të konstatojnë, se cili shtet në fakt do të ishte përgjegjës sipas rregullave të Dublinit për refugjatët. Kjo do të thotë që në praktikë duhet të orientohesh te e bëshmja, sepse nga ana juridike kjo nuk është e imponueshme.
Si besoni që do të ecë më tej puna?
Besoj që telefonat midis kryeqyteteve evropiane nuk pushojnë, që Dublini të reformohet. Objektivi natyrisht duhet të jetë që të rivendosen edhe më tej kontrolle me efekt në kufijtë e jashtëm, që atje të bëhet regjistrimi, njëkohësisht që shtetet në kufijtë e jashtëm të mos lihen vetëm me përballimin e valës së refugjatëve, por që në të gjithë BE-në të futen procedura të rregulltuara shpërndarjeje, standarde të unifuara azili në të gjithë BE. Sa realiste është kjo, duhet ta tregojë praktika.
Dr. Walther Michl është jurist i së drejtës ndërkombëtare në Ludwig-Maximilians-Universität në Mynih.