1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Mbreti i Gjermanisë": Rio Reiser si një nga ikonat gjermane

11 Janar 2020

Poet, rebel, Rockstar, i adhuruar prej disave dhe i urryer nga të tjerët. Figura kult e majtistëve gjermanë. Prodhues i pasionuar këngësh dhe idhull për shumë muzikantë gjermanë. Rio Reiser lindi 70 vjet më parë.

https://p.dw.com/p/3VzgX
Rio Reiser
Rio ReiserFotografi: picture-alliance/dpa/KPA

Shumë protesta të viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë nxorrën në pah heronjtë e tyre. Në SHBA, Bruce Springsteen u kthye në luftëtar të klasës punëtore. Në Angli, lëvizja anarkiste punk me grupet muzikore si Sex Pistols dhe The Clash, ose me rokun indie si New Model Army. Kurse në Francë kompozitorët e këngëve u zaptuan nga Renaud, duke shoqëruar chansonet e buta me tekste të forta. Kurse në Gjermani ishte Rio Reiser ai që nxorri çfarë kishte në shpirt duke ngritur zërin në shenjë proteste. Grupi i tij muzikor "Ton Steine Scherben" ishte grupi i parë i muzikës rok në Gjermani, që me tekstet e shkruara në gjermanisht kritikonte shpesh sistemin, duke i dhënë kështu kolonën zanore revoltave studentore të fundviteve gjashtëdhjetë dhe skenës anarkiste të majtë, që zgjati deri në fund të viteve tetëdhjetë.

Muzikë roku kundër angështisë gjermane të pasluftës

Rinia e viteve gjashtëdhjetë ishte ngopur me "botën pa probleme" të ngritur në Gjermani nga shoqëria e pasluftës. Ajo e shihte që diçka nuk shkonte. Nacionalsocializmi kishte vetëm 20 vjet që ishte përmbysur. Nuk kishte shumë kohë që kishte kaluar e megjithatë prindërit e mësuesit nuk flisnin fare për të.

Muzika rok dhe muzika ritmike kishin mbërritur në Gjermani, duke krijuar ventilin e përshtatshëm për të shprehur me forcë revoltimin. Ndërkohë që radiot gjermane jepnin muzikë qytetare që nuk i vriste veshin askujt, në garazhe dhe bodrume gjëmonin kitarret elektrike dhe bateritë. Rio Reiser, i lindur si Ralph Christian Möbius, dëshiron po ashtu të bëjë muzikë roku. Kur sapo kishte mbushur 17 vjeç, ai ndërpret shkollën për t‘u bërë fotograf dhe shkon në Berlin duke marrë me vete kitarrën, pianon dhe violinçelin.

Plumba vrasës dhe një festival i tmerrshëm

Në Berlin ai fillon të punojë në skenën majtiste me projekte muzikore dhe teatrale, përjeton trazirat studentore, vrasjen e studentit Benno Ohnesorg dhe atentatin kundër Rudi Dutschkes. Me shokët ai krijon grupin muzikor "Ton Steine Scherben". Rio këndon me zë të ashpër për ëndrrën e tij për një botë më të mirë. Për establishmentin e shpreh indinjatën duke kënduar: „Nuk dua të bëhem, si im atë."

Shfaqjen e parë publike grupi e jep në vitin 1979 në "Love-and-Peace-Festival" që zhvillohet në ishullin Fehmarn – aty ku Jimi Hendrix jep koncertin e fundit. Festivali prishet, organizatorët marrin paratë, publiku përfundon i mbetur në baltë, të gjitha grupet anulojnë koncertet pas koncertit të Hendrix-it, dhe vetëm grupi "Scherben" jep koncert. Pas këngës "Macht kaputt, was euch kaputt macht" („shkatërrojeni atë çka ju shkatërron"), dhe fjalës së mbajtur nga Rio, që thotë se organizatorët duhen goditur, njerëzit i venë flakën zyrës së organizatorëve dhe skenës. "Ton Steine Scherben" bëhet i njohur menjëherë.

Rio Reiser (80er Jahre)
Fotografi e viteve 1980-tëFotografi: picture-alliance/Jazz Archiv Hamburg/H. Schiffler

Megafon i skenës së majtë

Kudo ku ndodhte ndonjë rrëmujë në rrugët e Berlinit, të pranishëm ishin edhe „Die Scherben", që këndonin këngët e tyre me tituj si: „Pushtet për asnjërin". Ata besojnë se mund të arrijnë ndryshime shoqërore nëpërmjet muzikës së tyre, duke u kthyer kështu në zëdhënës së skenës së majtë.

Ata zaptuan ndërtesën e ish-konviktit të murgeshave në spitalin Bethanien në lagjen Kreuzberg të Berlinit dhe i japin ndërtesës emrin Georg-von-Rauch. Von Rauch pati humbur jetën disa ditë më parë në përleshje me policinë duke u kthyer kështu në martir të skenës së majtë, dhe "Rauch-Haus" një nga qendrat e saj.

Në fokus të shtetit

Për këto ngjarje flitet në mbarë Gjermaninë. Në të gjitha qytetet e mëdha krijohen grupimet e shtëpive të zaptuara, himni i tyre është kënga "Rauch-Haus-Song" nga „Die Scherben".  "Nuk na nxirrni dot jashtë, kjo është shtëpia jonë!" Grupi muzikor nderohet nga gjithë të rinjtë rebelë në Gjermani, shihet me urrejtje nga konservatorët dhe brezi i vjetër dhe atij nuk i transmetohen këngët në radio. Ata vëzhgohen nga shteti. Policia e viziton thuajse përditë "Familjen Scherben".

"Scherben" prodhojnë diskun e parë, krejtësisht të vetëm. Ata nuk duan të punojnë me „industrinë e muzikës" dhe të bëhen të varur prej saj. Edhe koncertet që mbushen plot i japin falas. Kush këndon këngë të majta nuk lejohet të fitojë para me to, përndryshe ajo që thonë në këngë nuk mund të besohet prej të tjerëve. Por edhe në punë nuk duhet shkuar. Pra, nuk ka as para.

Kthim në fshat

Kontrollet e vazhdueshme të policisë dhe gjendja e përhershme pa të ardhura e mërzisin kolektivin. Ata nuk duan të jenë më "Jukebox i të majtëve". "Familja Scherben" tërhiqet në vitet 70 në një fermë fshati në afërsi të kufirit me Danimarkën, në Fresenhagen. Aty krijohet një komunë. Grupi muzikor bën edhe muzikë jopolitike, pra vetëm melodike. Rio vazhdon të ndjekë fantazinë e tij, ndjenjat, duke shkruajtur mes të tjerash: „Mbahu tek dashuria", që është kthyer në një nga baladat më të njohura të tij.

Sukses edhe i vetëm

Pasi grupi Scherben u mbyt në borxhe dhe u shpërbë në vitin 1985, Rio Reiser vazhdon i vetëm. Më vonë ai e përshkruan në biografinë e tij këtë periudhë si „me dal tek semafori". Sepse tani ai ka të bëjë me një marrëveshje për të prodhuar disqe, duke iu shitur „industrisë".  Del disku i tij i parë i vetëm, „Rio I„. Dhe papritur këngët e Rio Reiser jepen edhe në radio, këngë si „Gjithcka e gënjeshtërt", „Hëna e qershorit", dhe superkënga „Mbret i Gjermanisë". Tifozët e hershëm të "Scherben” e shohin me sy kritik suksesin solo të Rios. Ata nuk duan ta ndajnë Mesiasin e tyre me mainstream-in. Por është shumë vonë për këtë gjë. Rio përfundon në Hitparade.

Grab von Rio Reiser im Alter St.-Matthaeus-Kirchhof, Berlin
Varrezat ku prehet "Mbreti i Gjermanëve" në Alter St.-Matthaeus-Kirchhof, BerlinFotografi: picture-alliance/Arco Images/Schoening

Më 1988 ai jep shfaqje në Berlinin Lindor. Ai këndon "Ëndërra merr fund", këngë në të cilën ai pyet: "A ekziston ndonjë vend ku ëndrra është bërë realitet?" Publiku përgjigjet duke thirrur: "Jo nuk është ky vend!" Një vit më vonë më 1989 Gjermania Lindore i përket historisë.

Një mit deri më sot

Këngët e Rio Reiserit janë të bekuara. Kompozimet e tij janë origjinale dhe të virgjëra, të buta dhe delikate, nganjëherë melodramatike dhe gjithnjë të karakterizuara nga pasioni. Muzikantët gjermanë të muzikës pop, e përmendin edhe sot Rio Reiserin si një nga idhujt më të rëndësishëm që kanë. Këngët e tij këndohen e këndohen nga këngëtarë të tjerë. Krijimi i mitit të tij ka sigurisht të bëjë edhe me vdekjen e papritur më 1996.

Më 9 janar Rio Reiser do të kishte mbushur 70 vjeç. Me këtë rast Fondacioni Musicboard Berlin organizoi bursat e veçanta me emrin e tij, që jepen për talentet e reja muzikore. Po ashtu sheshi Heinrichplatz në lagjen Kreuzberg të Berlinit do të marrë sivjet emrin: „Sheshi Rio-Reiser".