Mbështetja e Indisë për Rusinë
24 Mars 2022Pjesëtarë të grupimit nacionalist të djathtë Hindu Sena organizuan në fillim të muajit mars një demostratë në Nju-Deli, në përkrahje të Rusisë dhe marshimit të saj në Ukrainë. Ata marshuan për rreth një orë në qendër të kryeqytetit duke mbajtur në duar pankarta me parrulla si: "Rusi, ti lufton, ne të mbështesim!" dhe "Rroftë mbështetja indiano-ruse." Pllakata të tjera shprehnin shprehimisht mbështetje për pushtimin dhe „Rusinë e pandarë".
Vërtet që grupimi Hindu Sena është një grupim i vogël politik, por ai ka përfaqësues në 16 shtete federale dhe ka në mediat sociale një milion përkrahës. „Rusia ka qenë gjithnjë mik i vërtetë i Indisë. India duhet të dërgonte trupa. Ukraina ka përkrahur gjithnjë Pakistanin dhe ka votuar gjithnjë kundër programit tonë atomik," thotë Vishnu Gupta, president i Hindu Sena, duke folur për Deutsche Wellen.
Marrëdhënie historike dhe strategjike
Ndërkohë që demostrata në Nju-Deli ishte një ngjarje që nuk u përsërit më, shumë indianë theksojnë sidomos në rrjetet sociale përkrahjen e tyre për Rusinë dhe presidentin e saj Vladimir Putin. Studentja Richa Kapoor pranon kur flet për Deutsche Wellen, se i vjen keq për ukrainasit. Por, thotë ajo, perëndimi nuk ka të drejtë kur kritikon Rusinë, sidomos po të kesh parasysh marrshimin e perëndimit në Afganistan: „Ne nuk duhet të ndikohemi nga hipokrizia e perëndimit."
Shtetet, që kanë qenë dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, do t'i nënshtrohen më në fund kontrollit rus, thotë avokati Mahesh Kumar Agarwal, kur flet me Deutsche Wellen.
Ide të ngjashme gjeopolitike kanë disa prej ekstremistëve të djathtë në Indi. Koncepti i njohur si "Akhand Bharat", përfshin të gjithë subkontinentin indian, nga Afganistani deri në Mianmar, si pjesë e një kombi të vetëm e „të pandarë", me Indinë në qendër të saj. Përkrahës të tjerë të Putinit citojnë lidhjet historike me Rusinë, mes të cilave përkrahjen e Bashkimit Sovjetik gjatë luftës me Bangladeshin në vitin 1971. "Mbështetja e Indisë është e ndikuar nga lidhje të tilla historike me ish Bashkimin Sovjetik. Një rol luan edhe kërcënimi që ndien India kur Kina dhe Rusia afrohen më shumë," thotë për Deutsche Wellen Nalini Ranjan Mohanty, drejtor i institutit, Jagran Institute of Management and Mass Communication.
Akrobacitë e Indisë duke heshtur
Që kur trupat ruse u futën në Ukrainë, qeveria indiane është bërë akrobacira diplomatike dhe ka abstenuar gjatë votimit të gjithë rezolutave të OKB që dënojnë sjelljen e Rusisë. Këtu bën pjesë votimi në Këshillin e Sigurimit të OKB, në Asamblenë e Përgjithshme, në Këshillin e OKB për të drejtat e njeriut dhe në Agjencinë Ndërkombëtare për energjinë atomike.
Arsyeja për këtë ka nga njëra anë të bëjë me lidhjet historike dhe strategjike me Rusinë. Por nga ana tjetër ka të bëjë edhe me një nga parimet qendrore të politikës së jashtme të Indisë: Dëshirën që të ketë marrëdhënie të mira dhe të qëndrueshme me të gjitha fuqitë e mëdha, përfshirë edhe Rusinë.
Po ashtu ekzistojnë ngjashmëri në stilin politik populist të presidentit rus Vladimir Putin dhe kryeministrit të Indisë, Narendra Modi. "Të dy politikanët i shtojnë personalitetit të tyre një imazh maçohist," thotë studiuesi i mediave Rakesh Batabyal. "Ata janë nacionalistë, autoritarë dhe prezantohen me një stil luftarak drejtimi."
Kundërshtime në parlament
Megjithatë ekziston edhe një grup që e ngre zërin dhe kritikon qënrimin e rezervuar të Indisë kur flitet për luftën në Ukrainë. Ky grup kërkon që qeveria e Nju-Delit të dënojë futjen e Rusisë në një vend sovran.
"Rusia është një vend mik dhe mund të ekzistojnë hezitime të drejta për shkak të sigurisë. Por nëse India hesht, atëherë kjo do të shkaktojë zhgënjim të Ukrainës dhe miqve të saj. Sa keq që Indisë i ka humbur zëri," thotë deputeti Shashi Tharoor. "Nuk shihet mirë që një vend si India, që kërkon të zerë një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB, hesht kur bëhet fjalë për principet e njohura ndërkombëtare."
Manish Tewari, një deputet tjetër, shkruan në twitter se dëshiron që India të mbështesë Ukrainën në këtë „agresion të padrejtë dhe të pajustifikueshëm".
"Shokëve u duhet thënë nëse bëjnë diçka të gabuar."