1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

May kërkon ndihmë në Bruksel

19 Nëntor 2018

Kryeministrja britanike do të udhëtojë këtë javë për në Bruksel, për të diskutuar me BE për marrëdhëniet ekonomike pas Brexitit. Kundërshtarët e Theresa Mayt në ishull vazhdojnë të jenë në pozita lufte.

https://p.dw.com/p/38Tn6
Brüssel Theresa May, Premierministerin Großbritannien
Fotografi: Getty Images/S. Gallup

"Një ndërrim në lidership nuk i bën negociatat aktuale më të lehta dhe nuk ndryshon gjë në aritmetikën parlamentare", deklaroi Theresa May në intervistë te Sky News. Ajo edhe mund t'u kishte thënë Brexitasve të vijës së ashpër në partinë e saj: bëni çfarë të doni, por jeni ju që e trashëgoni rrëmujën. Dhe njëkohësisht kryeministrja bëri të ditur se ka në plan që të kthehet që këtë javë në Bruksel, për të negociuar atje më tej me shefin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker.
 

Marrëveshja është marrëveshje, por...

May foli për negociata në vazhdim me BE dhe ajo e përdor këtë formulim për të zbutur kritikët e saj në kabinetin qeveritar britanik. Një grup i kritikëve të saj kërkon që ajo të vazhdojë edhe më tej përpjekjet për t'i marrë lëshime Brukselit. Por May e di se kjo nuk ka shanse, sepse si qeveria franceze, ashtu edhe kancelarja Angela Merkel në Berlin e kanë bërë të qartë, se marrëveshja nuk do të rinegociohet më. Pra ajo që kërkon kryeministrja britanike janë disa bonbone, të cilat në metrat e fundit para takimit të nivelit të lartë të BE të dielën e ardhshme mund të futen ende në të ashtuquajturën "deklaratë politike". Në të skicohet, si e përfytyron BE raportin midis të dyja palëve pas Brexitit.

Është fjala për një dokument me shtatë faqe, në të cilin me viza hyrëse deri tani janë përshkruar vetëm temat për negociatat e mëvonshme. Marrëdhëniet e ardhshme tregtare për shembull do të zhvillohen mbi bazën e një bashkimi doganor, siç janë përcaktuar tashmë si siguri për Irlandën e Veriut në marrëveshjen e ndarjes. Këtu May mund të përpiqej që të marrë premtime më konkrete nga BE, për të mundur që ta shesë me ndihmën e tyre më mirë paketën në Britaninë e Madhe.

Njëra nga kritikat kundër marrëveshjes është që Britania e Madhe po e blen derrin në thes, përsa i përket raportit të ardhshëm. Por kjo nuk do të ndryshojë në mënyrë rrënjësore. Deklarata politike nuk është e detyrueshme nga ana juridike. Qeveritë e BE mund ta ndryshojnë mendimin e tyre më vonë në çdo kohë. Sepse deri tani kanë qenë të preokupuar vetëm me ndarjen, negociatat e vërteta për të ardhmen ende nuk kanë nisur. Ato do të zhvillohen vetëm pas Brexitit dhe ndoshta do të zgjasin me vite.

Edhe më tej e ardhme e pasigurt

Thuajse nuk ekzistojnë shanse, që Theresa May të arrijë në Bruksel lëshime që ia vlen t'i përmendësh. Po të arrihet me të vërtetë të formohet grupi për mocionin e votëbesimit brenda partisë së saj, ithtarët e vijës së ngurtë mund të vepronin që në fillim të javës. Besohet se May votimin vërtet mund ta mbijetojë politikisht, por kundërshtarët e saj besojnë që ajo do të dëmtohet rëndë.

Pengesa vendimtare është parlamenti, ku aktualisht nuk ka shumica për një marrëveshje. Shefi i laburistëve, Jeremy Corbyn bëri të ditur sërish të dielën se partia e tij do të votojë kundër. Të njëjtën gjë ka thënë partia skoceze SNP, disa liberalë dhe deri më sot edhe DUP irlandezoveriore. Po t'i shtosh këtyre edhe disa dyzina mbështetësish të vijës së ashpër, në këtë gjendje duket thuajse e pashpresë që marrëveshja të miratohet në parlament.