1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Matthew Nimetz i inkuruajuar nga vizita në Shkup

3 Korrik 2017

I dërguari i posaçëm i OKB-së për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e çështjes së emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, Matthew Nimetz, po qëndron në Maqedoni.

https://p.dw.com/p/2fpTs
Matthew Nimetz
Fotografi: MIA

Vizitia e ndërmjetësuesit të OKB-së shihet si një shtytje ndaj status-quo-së së re rreth çështjes së emrit pas ndryshimit të pushtetit në Maqedoni, që thuhet se e ka lehtësuar situatën dhe mund të sjellë në një zgjidhje afatgjatë të kësaj çështjeje. Nimetz thotë se nuk është diskutuar për propozime konkrete, por se inkurajon vazhdimin e negociatave ndërmjet të dy vendeve për ta zgjidhur këtë çështje. "Nuk kemi folur për koncept të ri konkret. Nuk kam ardhur me propozim të ri, edhe qeveria nuk dha ndonjë pikëpamje ndryshe të re. Folëm për përparim, për fuqizim të marrëdhënieve mes dy palëve si dhe për pozitën e përgjithshme të Qeverisë në Maqedoni për të qenë e hapur ndaj fqinjëve dhe për t'i zgjidhur problemet në rajon”, ka deklaruar Matthew Nimetz.

Gjatë muajve të ardhshëm, nuk duhet të pritet ndonjë përparim drastik lidhur me çështjen e emrit, por lëvizje të këtij procesi përmes kontakteve të shpeshta mes Maqedonisë dhe Greqisë, kështu ka deklaruar ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit, ambasadori Matthew Nimetz. Ai ka thënë se nuk ka sjellë asnjë propozim të ri për emrin , sepse qëllimi i vizitës së tij ka qenë diskutimi rreth konceptit të qeverisë së re, për sendërtimin e politikave të fqinjësisë së mirë. "Për t'u zgjidhur problemi duhet përparim nga të dyja palët, të cilat duhet të mendojnë seriozisht për pozicionet e tyre dhe të dëgjojnë me kujdes njëra-tjetrën. Jam i gëzuar që kryeministri dhe ministri janë mendjehapur për këtë çështje. Le të shohim se si do të rrjedhin zhvillimet më tutje”, ka thënë Nimetz.

Ka tre vite që kam qenë për herë të fundit në Maqedoni, ndërsa vitin e fundit nuk ishte aspak e lehtë të fokusohemi në këtë çështje. Tani jam shumë i inkurajuar që kjo çështje sërish gjendet në fokus pasi është çështje shumë me rëndësi, si rajonale, ashtu edhe për Kombet e Bashkuara dhe vet vendin tuaj, ka thënë ambasadori i OKB-s për çështjen e emrit Matthew Nimetz.

Është me rëndësi që edhe kryeministri grek planifikon të vizitojë Maqedoninë dhe duhet të gjejmë mënyrën për ta intensifikuar procesin megjithatë mos pritni që brenda këtyre muajve të ndodhin ndryshime dramatike dhe mendoj që tani nuk është koha për të bërë propozime definitive dhe konkrete. Tani kemi nevojë për një periudhë, ku të dyja palët do të flasin mes vete. Gjërat do të zhvillohen por nuk do të ketë ndonjë ndryshim dramatik brenda këtyre muajve, ka theksuar ambasadori i OKB-së.

Ivanov: Çështja e emrit me rëndësi thelbësore për stabilitetin e rajonit

Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov ka thënë se Maqedonia edhe më tej do të marrë pjesë në procesin që po zhvillohet nën patronazhin e OKB-së dhe ka theksuar se nevojitet të krijohet ambient pozitiv me qëllim të mirëkuptimit dhe respektimit më të mirë. Presidenti Ivanov ka përshëndetur konstruktivitetin dhe fokusimin e masave për ndërtim të besimit midis dy shteteve dhe bëri thirrje për zgjerim të tyre dhe futje të përmbajtjeve të reja. "Pala maqedonase me vite  jep kontribut dhe iniciativa të vazhdueshme në drejtim të besimit midis të dy shteteve. Është e domosdoshme që të jepet impuls plotësues nga të dyja palët në tejkalimin e kësaj çështjeje, e cila ka rëndësi thelbësore për stabilitet dhe prosperitet të të gjithë rajonit”, ka theksuar presidenti Ivanov në takimin me ambasadorin Nimetz. Në procesin, i cili zhvillohet në kuadër të OKB-së, sipas Ivanovit, është i domosdoshëm respektim rigoroz i rezolutës të Këshillit të Sigurimit, Marrëveshjes së përkohshme dhe aktgjykimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.

Pas përfundimit të vizitës në Shkup, ambasadori i OKB-së për çështjen e emrit nuk do të vizitojë Athinën për shkak të agjendës së ngjeshur të ministrit të Jashtëm grek Nikos Kocijas. Përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së në bisedat mes Maqedonisë dhe Greqisë, për herë të fundit i vizitoi të dy vendet në fund të korrikut të vitit 2014.