1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia duhet të tregojë si është përdorur kredia e marrë nga FMN

16 Qershor 2011

Autoritetet e Maqedonisë duhet t'i raportojnë delegacionit të FMN-së se ku janë shpenzuar mjetet e kredisë në vlerë prej 220 milion eurosh.

https://p.dw.com/p/11cFW
Pamje nga Shkupi.
Fotografi: DW

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, gjatë qëndrimit njëjavor në Maqedoni do të bisedojë me autoritetet qeveritare për kontrollin rreth harxhimeve të parave nga kredia e huazuar në vlerë prej 220 milion eurosh. Përveç revizionit të marrëveshjes, sipas paralajmërimeve, përfaqësuesit e Fondit do të shqyrtojnë edhe shpenzimet e tjera buxhetore, nivelin e defiçitit në arkën shtetërore si dhe borxhin publik që ka vendi.

E ka përdorur qeveria maqedonase kredinë për fushatën elektorale?

Prezenca e delegacionit të FMN-së në Maqedoni pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, nga disa qarqe sqarohet me dyshimet se qeveria kredinë e huazuar e ka shfrytëzuar për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Ministri i Financave Zoran Stavrevski, thotë se Fondi deri tani nuk ka vërejtje për mënyrën e shfrytëzimit të kredisë së tij.

“Më gëzon fakti që në këtë periudhë në Maqedoni vjen delegacioni i FMN-së. Në këtë mënyrë do të verifikohen politikat e shëndosha. Maqedonia mbijetoi edhe në periudhën e zgjedhjeve ashtu siç premtuam, e ruajtëm stabilitetin makroekonomik dhe disiplinën buxhetore”, deklaroi ministri i Financave Zoran Stavrevski.

Sipas tij, nuk ka nevojë dhe nuk ekzistojnë kushte ligjore që në këtë periudhë të bëhet ribalancimi buxhetit, pasi ende nuk janë konstituuar institucionet përkatëse.

Qeveria maqedonase nuk pranon ribalancimin e buxhetit publik

“Arka shtetërore është më e mbushur se sa planifikohej. Nëse ka ribalancim do të duhet të shpërndahet teprica e të ardhurave. Në këtë fazë, si qeveri teknike ne nuk mund të bëjmë ribalancim”, shprehet ministri Stavrevski.

Ekspertët e ekonomisë janë të mendimit se qeveria duhet të japë llogari se ku janë shpenzuar paratë e kredisë nga FMN-ja, të tërhequra në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Profesori universitar, Vanço Uzunov, thotë se opinioni e ka të drejtën legjitime për t'u informuar se për çfarë janë përdorur mjetet financiare të huazuara nga një institucion ndërkombëtar.

“Kredinë e FMN-së në fund do ta paguajnë qytetarët e Maqedonisë, për këtë arsye ata kanë të drejtë ta dinë se ku shpenzohen këto para, ndërsa Qeveria në këtë drejtim po tregohet jo transparente”, vlerëson Vanço Uzunov.

Vladimir Gliogorov, nga Instituti Ekonomik i Vienës, thotë se çdo qytetar i Maqedonisë duhet ta dijë pse dhe ku harxhohen kreditë e huazuara tek ndërkombëtarët.

“Qeveria patjetër duhet të japë llogari për huazimet meqë ky është obligim publik”, vlerëson Vladimir Gligorov.

Deri më tani, qeveria nga kredia e FMN-së ka harxhuar 110 milion euro dhe ende nuk ka dalë para opinionit vendas për t'i arsyetuar mjetet e shpenzuara. Ekspertët e ekonomisë druajnë se këto mjete janë harxhuar edhe për fushatë. Delegacioni i FMN-së pas përfundimit të vizitës në Maqedoni do të dalë me raport zyrtar rreth shpenzimit të kredisë së marrë.

Autor: Fatos Musliu / Shkup

Redaktoi: E. Xhani