Maqedoni e Veriut: Për kë do të votojnë shqiptarët?
4 Maj 2024Kush kë do të përkrahë dhe ku do të shkojnë votat në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të kandidatëve që nuk hynë në raundin e dytë? Tani për tani asnjë parti nuk është prononcuar nëse do t'i thërrasë votuesit e saj për të përkrahur Pendarovskin ose Siljanovskën. VMRO-DPMNE publikisht u ankua se deri më tani nuk kanë marrë përkrahje për Gordana Siljanovska Davkova prej asnjërit nga kandidatët e opozitës. "Deri më sot nuk kemi përkrahje për Gordana Siljanovska Davkovën nga kandidatët e opozitës. Kjo do të thotë se ose nuk kanë ndjenjë elementare për shtetin ose në mënyrë të pavetëdijshme punojnë për pushtetin”, thekson Aleksandar Nikolloski nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
Kandidati për president nga rradhët e LSDM-së Stevo Pendarovski ka thënë se ai nuk do t'i kërkojë votat e kandidatëve të tjerë. "Nuk mendoj që t'u drejtohem subjekteve të tjera politike, sidomos atyre që kishin kandidatë, të cilët nuk kaluan në raundin e dytë. Unë nuk e parapëlqej këtë matematikë dhe këtë mënyrë të shpërndarjes prej teje tek unë”, është shprehur Pendarovski.
Por pikërisht votat e partive shqiptare do të vendosin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, kësaj herë më së shumti për plotësimin e censusit prej 40%. Tani për tani edhe nga VLEN edhe nga BDI thonë se organet partiake ende nuk kanë sjellë vendim se cilin kandidat presidencial do ta përkrahin në raundin e dytë.
Kanë filluar përllogaritjet se kush do të jetë në qeverinë e re
Sa i përket fushatës për zgjedhjet parlamentare, partitë politike tri ditë para përfundimit të fushatës janë fokusuar se kush do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. Bilall Kasami nga koalicioni opozitar shqiptar VLEN vlerëson, se ky koalicion ka legjitimitetin e votuesve shqiptarë prandaj dhe duhet të jetë pjesë e qeverisë së ardhëshme.
"Besojmë fuqishëm që pas 8 majit, koalicioni VLEN si pjesë e qeverisë do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të bizneseve me qëllim të ndaljes së ekzodit të rinisë dhe qytetarëve drejt perëndimit”, ka thënë Bilall Kasami nga VLEN.
BDI vlerëson se i plotëson të gjitha kushtet për të qenë në qeveri
Bujar Osmani nga Fronti Evropian është i mendimit se gjatë formimit të një qeverie duhet pasur parasysh se përveç shumicës prej 61 deputetësh nevojitet edhe shumica e Badinterit. Pa këtë shumicë të dyfishtë nuk mund të formohet qeveri stabile dhe nuk mund të ketë parlament funksional.
"Fronti Evropian përpos që garanton stabilitet dhe bashkëjetesë, ky koalicion do të sigurojë edhe dy kushtet elementare për formimin e qeverisë së ardhëshme, shumicën prej 61 deputetësh dhe shumicën e Badenterit”, ka deklaruar Bujar osmani nga BDI.
VMRO-DPMNE: Koalicionin qeveritar do ta formojmë me VLEN-in
VMRO DPMNE-ja e ka shpallur veten si fituese të këtyre zgjedhjeve, madje ka përcaktuar edhe partitë që do të jenë pjesë e qeverisë së re. Kreu i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski ka thënë se partia që ai drejton do të jetë fituese e dyfishtë e zgjedhjeve më 8 maj. Sipas tij, qeveria e re do të formohet nga VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni VLEN që përbëhet nga partitë opozitare shqiptare.
"Për VMRO-DPMNE-në qëndrimet janë shumë të qarta. Nuk dua të flas me emisarët që BDI i dërgon çdo ditë për koalicion me VMRO-DPMNE-në. BDI-ja për mua është kapitull i përfunduar dhe do të shkojë në opozitë”, ka deklaruar Mickoski.
Në Maqedoninë e Veriutderi në vitin 2017 ka pasur një rregull të pashkruar, që qeveritë formohen nga partitë fituese shqiptare dhe maqedonase, pavarësisht orientimeve të tyre programore.
Gir: Procesi i zgjedhjeve të përfundojë me porosi dhe ndjenjë pozitive
Ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir pret që raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe votimi për parlamentaret të kalojë qetë dhe në atmosferë demokratike. "Misioni i OSBE/ODIHR-it e publikoi raportin për raundin e parë të zgjedhjeve. Zgjedhjet kaluan kryesisht qetë dhe në atmosferë demokratike dhe me të vërtetë shpresojmë se raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe fushata për zgjedhjet parlamentare do të jetë pozitive, çka do të mundësojë që i gjithë procesi të përfundojë me porosi dhe ndjenjë pozitive”, ka deklaruar Dejvid Gir, ambasador i BE-së.
Të mërkurën me 8 maj, qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të votojnë në raundin e dytë për zgjedhjet presidenciale dhe njëherazi edhe për zgjedhjet parlamentare.