1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mao, tregu dhe të drejtat e njeriut

Mathias von Hein/ Auron Dodi12 Tetor 2012

Një histori plot kthesa: 40 vjet më parë, Republika Federale Gjermane vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës. Sot, partnerët e pabarabartë kanë nevojë më shumë se kurrë për njeri-tjetrin.

https://p.dw.com/p/16ObG
40 vjet marrëdhënie diplomatike Gjermani-Kinë
40 vjet marrëdhënie diplomatike Gjermani-KinëFotografi: picture-alliance/dpa/dapd

Një shtet relativisht i vogël industrial në zemër të Evropës, i cili pas viteve të fashizmit hitlerian dhe të kapërcimit të regjimit të RDGJ është krenar për demokracinë e tij dhe për shtetin juridik. Dhe një diktaturë njëpartiake me një popullsi miliardëshe dhe me një territori gjigand, i madh sa një kontinent: partnerë më pak të ngjashëm me njëri-tjetrin si Gjermania dhe Kina zor se gjenden. E megjithatë, pikërisht marrëdhëniet midis të dyja palëve janë zhvilluar në një mënyrë, të cilën 40 vjet më parë nuk e ëndërronte askush.

Si dëshmi e cilësisë së veçantë mund të shërbejnë konsultimet qeveritare gjermano-kineze. Para pak kohësh, në fund të gushtit, ishte gjysma e kabinetit qeveritar gjerman që shkoi për konsultime në Pekin. Një vit më parë, në Gjermani ishte për konsultime kryeministri kinez, i shoqëruar nga 13 ministra. Në vitin 2004, me një deklaratë marrëdhëniet u ngritën në nivelin e një "partneriteti strategjik në përgjegjësi globale". Ka mbi 30 takime të rregullta pune midis ekspertëve, ministrave, sekretarëve të shtetit dhe kryeministrave. Ka më shumë se 500 projekte bashkëpunimi midis universiteteve gjermane dhe shkollave të larta të Kinës. Madje ekzistojnë edhe pesë institute të përbashkëta kërkimore. Më tej ka edhe partneritete qytetesh. E thënë shkurt: vetëm me pak shtete në botë ka Gjermania një shkëmbim të tillë intensiv.

Ekonomia ka prioritet

Thelbi i marrëdhënies mund të shprehet me një shifër: 140 miliardë euro. Ky ishte vëllimi i shkëmbimeve të mallrave midis të dyja vendeve në vitin 2011. Gjermania është partneri më i rëndësishëm tregtar i Kinës në Evropë, Evropa është partneri më i rëndësishëm tregtar i Kinës në botë. Kina nga ana tjetër është importuesi i pestë në botë i produkteve gjermane- dhe partneri i dytë për nga rëndësia jashtë Evropës. Edhe në sytë e ekspertit të Kinës nga Trieri, Sebastian Heilmann, marrëdhëniet ekonomike midis të dyja vendeve kanë prioritetin më të lartë:"Gjithçka tjetër pason, pak a shumë, marrëdhëniet ekonomike. Të dyja vendet janë pozicionuar aktualisht në mënyrë plotësuese. Kjo do të thotë: Gjermania lëvron gjëra, për të cilat Kina ka nevojë. Dhe Kina lëvron gjëra, për të cilat Gjermania ka nevojë."

Kancelari Helmut Kohl dhe Ten Hsiao Pin në Pekin, 1984
Kancelari Helmut Kohl dhe Ten Hsiao Pin në Pekin, 1984Fotografi: picture-alliance/dpa

Fillimi i ri që në vitin 1957

Që në vitin 1957, para vendosjes së marrëdhënieve diplomatike qe nëshkruar një marrëveshje e parë midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Kinës. Megjithatë ajo nuk qe nënshkruar mes qeverive, por midis Komisionit të jashtëm të ekonomisë gjermane dhe Zyrës Kineze të tregtisë së jashtme CCPIT.

Vizita surprizë e Niksonit

Ishte koha e luftës së ftohtë. Gjermania dhe Evropa qenë ndarë. SHBA dhe Bashkimi Sovjetik kishin pozicione të papajtueshme me njëri-tjetrin. Në kulmin e këtij konfrontimi, në vitin 1972 presidenti i atëhershëm Richard Nixon dhe ministri i tij i Jashtëm, Henry Kissinger udhëtuan papritur në Pekin. Ata luajtën sipas logjikës "armiku i armikut tim është miku im" kartën e Kinës. Kina e qeverisur nga sundimtari Mao Ce Dun ishte shkëputur prej vendit vëlla komunist, Bashkim Sovjetik.

Ministri i Jashtëm gjerman, Walter Scheel dhe homologu kinez Çi Peng Fei vendosin marrëdhëniet diplomatike
Ministri i Jashtëm gjerman, Walter Scheel dhe homologu kinez Çi Peng Fei vendosin marrëdhëniet diplomatikeFotografi: picture-alliance/dpa

Njeriu i Maos në Bonn

Po në vitin 1972 Mao dërgoi gazetarin Wang Shu në kryeqytetin e atëhershëm gjerman Bonn, zyrtarisht si korrespondent të agjencisë së lajmeve Hsinua. Jozyrtarisht, Wangu duhet të analizonte mundësitë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Dakordimi parimor erdhi shpejt, kujton Wangu më vonë takimin e tij me ministrin e atëhershëm të jashtëm gjerman, Walter Sheel:

"Unë u takova menjëherë me Sheelin dhe negociova vetëm dhjetë minuta për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike-- pastaj gjithçka ishte ok."

Gjithsesi pasuan 40 ditë negociata të ashpra për hollësitë e marrëveshjes bilaterale. Veçanërisht statusi i Berlinit Perëndimor solli diskutime. Më 11 tetor 1972 u vendosën zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike mes të dyja vendeve.