1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mandela - ikonë, idol dhe mit

Claus Stäcker6 Dhjetor 2013

Nelson Mandela ishte një njeri, i cili ka mundur të ndryshojë dhe t'i shndërrojë dobësitë e tij në forcë. Ai nuk ishte dakord me kultin e krijuar për të. Kishte edhe dobësi, por njeri më të madh sot nuk mund të gjesh.

https://p.dw.com/p/1AU6j
Fotografi: Reuters/Suzanne Plunkett

Nelson Mandela me siguri që nuk ishte i shenjtë, ndonëse nga shkrimet në disa media fiton këtë përshtypje. Në disa tituj atij i jepen virtyte të një krijese mbinjerëzore. Ndërsa disa dëshmitarë okularë betohen se në prezencën e tij i ka kapluar një lloj "karma e Mandelës". Në Afrikën e Jugut thuhet "Madiba Magic", çdo herë kur ky vend ka pasur nevojë për ndonjë mrekulli.

Kulti i personit për vet Mandelën ka qenë pak a shumë i papranueshëm. Me ngurrim ai pranonte emërtimin e rrugëve, shkollave apo instituteve me emrin e tij, apo dhe ndërtimin e Muzeut Mandela. Por ky trend me siguri që tani do të forcohet. Ai gjithmonë theksonte rëndësinë e rrezistencës kolektive dhe rolin e bashkëluftëtarëve të tij në luftën për të drejta, si Mahatma Ghandi, Albert Luthuli apo dhe miku i tij Oliver Tambo, i cili sot pa të drejtë është nën hijen e Mandelës. Arrestimi i Tambos ka bërë që rrezistenca e Kongresit Nacional Afrikan (ANC) të pranohet nga mbarë bota. Tambo ishte ai që ka inskenuar rrëfimet për Mandelën, ku secili luftëtar për të drejtat mund ta gjejë veten, qoftë në Lindje të Berlinit, në San Francisko apo Pekin.

Kur i burgosuri me numër 46664 u lirua në vitin 1990 pas 27 vitesh burg, Mandela ishte një markë e njohur në mbarë botën, një idol, një mit me projektime të ndryshme, i cili zgjonte shpresa për realizimin e dëshirave dhe pritjeve, që një njeri nuk mund t'i realizojë kurrë.

Deutsche Welle Claus Stäcker
Claus Stäcker- komentatori i DWFotografi: DW

Pa urrjetje as pas kaq shumë kohe në burg

Kush mund të gërvishte tani shkëlqimin e tij dhe të fliste për gabimet në rini, apo fëmijët jashtë martesës? Për dobësinë e tij ndaj femrave, në veçanti ndaj femrave të bukura: modeleve, yjeve të muzikës apo gazetareve, me të cilat flirtonte edhe në kohën kur ishte president. Apo për planet e tij për sulme dhe shpërthime kur ishte lider i grupit të ANC për luftime "Umkhonto We Sizwe" (Shtiza e Kombit). Edhe ish - bashkëpunëtorët apo personat që kanë qenë në burg me të kritikojnë gjaknxehtësinë apo insistimin e tij që gjithmonë të ketë të drejtë.

Madje as bilanci i tij në postin e kryeministrit të vendit (1994 - 1999) nuk mund të quhet kurrsesi hyjnor. Koha e tij në pushtet është përshkuar nga pragmatizmi dhe butësia politike. Vendime tepër të rëndësishme nuk ka pasur, ndërkohë që punët e përditshme të qeverisë i kanë bërë të tjerët. Ai nuk është sjellur mirë madje as ndaj disa miqve, si për shembull ndaj ish kreut të Libisë, Muammar al-Gaddafi, emrin e të cilit ka një prej nipave të Mandelës. Jo të gjitha pra përputhen me vlerësimet si një vizioner apo gjeni.

Mandela është një simbol, sepse ka dhënë një kontribut mbinjerzor. Koha e gjatë në burg luan këtu një rol të rëndësishëm. Ajo nuk e ka përkulur, por ka ndikuar në personalitetin e tij. Burgu në ujdhesën Robben Island ka qenë për të një lloj "Universiteti i jetës", thoshte vet Mandela. Ai e ka mësuar gjatë kontakteve me rojet se çfarë është disiplina, përulja, durimi dhe toleranca. Zemërimi i tij rinor u zhduk dhe erdhën urtësia dhe butësia. Pas lirimit Mandela nuk ishte më një njeri i mbushur me mllef apo ndonjë revolucionar. Për këtë shkak e kritikojnë edhe sot disa nga bashkëpunëtorët e dikurshëmm. Ata donin një rrëzim të pushtetit, një revolucion nacional.

Respekt për secilin

Ai donte pajtimin, gati me çdo kusht. Aftësia e ndryshimit u tregua si fuqia e tij më e madhe: aftësia që të largohet nga të menduarit ideologjik dhe nga lëvizja e tij për të njohur kufijtë më të gjërë. Që të mos kuptojë të menduarit ndryshe si armiqësi. Që të dëgjojë të tjerët. Që të përhapë mesazhe që kufizohen me vetpëruljen. Vetëm në këtë mënyrë Mandela ka mundur të bëhet një idol i të zinjtëve dhe të bardhëve, komunistëve dhe sipërmarrësve, kalvinistëve dhe muslimanëve. Ai ishte një misionar, një predikues i dashurisë. "Në afërsinë e tij të gjithë kanë qenë të njëjtë", thoshte muzikanti afrikanojugor Sipho Hotstix Mabuse, pas një pranimi të Mandelës në Londër. Mandela i kishe lënë përshtypjen se ai nuk është fare më pak i vlefshëm se Bono, princi Charles apo Bill Clintoni që rrinin ulur në tavolinën tjetër. Ai i rrespektonte muzikantët dhe presidentët, mbretëreshat dhe pastrueset. Ai i mbante mend emrat dhe interesohej për familjet e njerëzve. Pyeste me vëmendje për të gjitha problemet dhe hallet. Me një buzëqeshje, një gallatë dhe me pak fjalë ai u bë i afërt me të gjithë në sallë. Aura e tij i mbuloi të gjithë të pranishmit, madje edhe kundërshtarët e tij politik.

Kjo nuk do të thotë se ai ka qenë gjysmëzot, por adhurimi ndaj tij ishte me të drejtë. Ai radhitet në radhën e personave si Mahatma Gandhi, Dalai Lama apo Martin Luther King. Mandela ka shkruar histori në kutpimin më të mirë të fjalës. Madje edhe Barack Obama thotë se në luftën e tij politike që të bëhet president si idol e ka pasur Mandelën.

Është e rëndësisë së dorës së dytë që Mandela tani paraqitet si një person tepër i ngritur. Fatki që në politikë nuk i ka arritur të gjitha qëllimet është vetëm një fusnotë. Meritat e tij më të mëdha megjithatë janë: humanizmi, toleranca dhe heqja dorë nga dhuna.

Mandela nuk ka qenë i shenjtë, por një njeri i cili i ka pasur dobësitë dhe përparësitë e tij. Por një njeri më të madh vështirë mund të gjesh. Pak më shumë Mandelë çdo ditë do të mund të lëvizte shumë gjëra në botë. Në Afrikë, në Berlin, Jerusalem apo në Moskë.