1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maliki jep dorëheqje - Iraku në gjendje të rëndë

Anja Koch/Bahri Cani15 Gusht 2014

Bundeswehri gjerman ka nisur me dërgimin e ndihmave në Irak. Kryeministri i deritanishëm Maliki jep dorëheqje dhe hap rrugën për dalje nga kriza e rëndë. A do të dërgohen edhe armë?

https://p.dw.com/p/1CvK7
Nuri al-Maliki
Fotografi: Reuters

Ai megjithatë hoqi dorë nga posti: Kryeministri i deritanishëm irakian Nuri al Maliki ka dhënë dorëheqje dhe i ka hapur rrugën krijimit të një qeverie të re të unitetit në Irak. Irakut i hapet kështu rruga për dalje nga situata e tanishme tejet e rëndë dhe për gjentjen e zgjidhjeve politike në vend.

Më së shumti shpresojnë viktimat e terrorit të grupit "Shteti Islamik" (IS), të cilët kohët e fundit kanë përjetuar sulme dhe akte të tjera të dhunshme nga terroristët. Ata tani shpresojnë stabilizimin e qeverisë dhe shtetit irakian, i cili do të mund të luftonte xhihadistët dhe mbështetësit e tyre nga vendet e shumta të tjera. Vetëm në një vend të vogël në veri të Irakut janë mbledhur rreth 8000 refugjatë kurdë, të cilët kanë frikë nga shfarosja. Ata kanë përjetuar gjërat më të tmerrshme nga xhihadistët e IS. Ata tani janë strehuar në malet Shindshar. Shumë prej tyre kanë humbur familjarë, por edhe të gjitha pasuritë, që kanë pasur.

Apeli për ndihmë

Terroristët kanë vrarë gra, fëmijë dhe civilë të pafajshëm, vetëm pse i përkisnin ndonjë grupi tjetër fetar. "Na shpëtoni jetën, çfarë kemi bërë ne? Çfarë kanë bërë fëmijët tanë?", thërret një burrë duke mbajtur në dorë një fotografi të gruas, djalit dhe tri vajzave të vogla, të cilat i kanë vrarë terrroristët. Tragjedi të ngjashme kanë përjetuar edhe shumë të tjerë. Në OKB vijnë lajme dramatike.

"Çdo ditë na vijnë raporte për keqtrajtime të grave, vajzave, të rinjve jezidë, të krishterëve, turkmenëve dhe minoritetit Shabak. Është e mundur që rreth 1500 jezitë dhe të krishterë janë duke jetuar në kushtet e skllavërisë seksuale", thotë zëdhënësja e OKB, Stéphane Dujarric. Linjat e frontit nuk kanë ndryshuar. Kurdët po përpiqen që të largojnë njësitë e grupit terrorist IS dhe shpresojnë ndihmën e Perëndimit.

Dërgimi i armëve

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian sot në Bruksel pritet të vendosin për furnizimin me armë të kurdëve. Më parë SHBA dhe Franca kanë marrë vendim për dërgimin e armëve atje. Ndërkohë që Gjermania, Italia, Holanda dhe disa vende të tjera janë duke shqyrtuar këtë mundësi. Kancelarja Angela Markel nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të armëve për vetëmbrojtjen e kurdëve. Ndërsa ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare nuk mund të shikojë duarkryq këtë terror. Ndërkohë nga Gjermania janë nisur sot avionë me 36.000 tonë ndihmë humanitare. Fjala është për ndihma humanitare si ushqime, veshmbathje dhe medikamente.

Deutsche Hilfe für Irak 15.08.2014
Fotografi: Reuters