1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mali i Zi: Dritan Abazoviq merr mandat të krijojë qeverinë

4 Mars 2022

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq mandatoi Dritan Abazoviqin për krijimin e qeverisë së re. Partitë e pakicave do ta mbështesin qeverinë e pakicës, kurse Fronti Demokratik e Demokratët kërkojnë zgjedhje të reja.

https://p.dw.com/p/47zE7
The president of  Montenegro Milo Djukanovic
Fotografi: Presidential official website.

Presidenti Gjukanoviq i ka dërguar Parlamentit të Malit të Zi propozimin që lideri i Lëvizjes Qytetare URA, ish-zëvëndëskryeministri Dritan Abazoviq të jetë mandatari i Qeverisë së 43-të të Malit të Zi. Propozimi i është dërguar nënkryetarit të Parlamentit, Strahinja Bulajiq nga Fronti Demokratik pro serb. Bulajiq është shprehur, se nuk do ta thërrasë seancën, sepse "ende nuk janë përmbushur kushtet politike." Ai kërkoi që sa më shpejt, në vend të formimit të qeverisë së re të hapet dialogu mes liderëve të partive që fituan shumicën në zgjedhjet e vitit 2020. Për shkak të refuzimit për të caktuar një seancë, opozita akuzoi Bulajiqin për shkelje të Kushtetutës.

Presidenti Gjukanoviq e argumenton dhënien e mandatit duke theksuar, "Përfaqësuesit e Lëvizjes URA dhe partnerët e tyre politikë më kanë bindur pa mëdyshje se kanë shumicë parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë së Malit të Zi në Parlamentin e Malit të Zi. I bindur se është në interesin më të mirë të Malit të Zi që sa më shpejt të jetë e mundur Qeveria, me kapacitet të plotë, veçanërisht për shkak të sfidave shtesë të sigurisë dhe politike të krijuara nga lufta në Ukrainë dhe reflektimi i saj në stabilitetin e rajonit tonë, pres që Parlamenti të mbajë një seancë dhe të vendosë për programin dhe përbërjen e Qeverisë me propozimin e mandatarit.”

Montenegro | Interview mit künftigem Montenegro-Regierungschef Dritan Abazovic
Fotografi: Idro Seferi

Mbështetje nga partitë e pakicave

Sipas Gjukanoviq, formimi i qeverisë së pakicës është opsioni më realist per momentin. Ai zhvilloi konsultime me përfaqësuesit e partive parlamentare, me përjashtim  të partive që deri dje përbënin shumicën, Fronti Demokratik pro-serb (FD), Demokratët dhe Partia Popullore Socialiste, të cilët nuk iu përgjigjën ftesës për bisedime.

Nga ana tjetër partitë e pakicave që në fillim kanë thënë se do të mbështesin qeverinë. Njësoj janë shprehur dhe socialdemokratët sipas të cilëve vendit i duhet një " qeveri proevropiane" dhe janë të gatshëm jo vetëm ta mbështesin atë, por edhe të marrin pjesë në qeveri. Për liderin dhe deputetin e Partisë Socialdemokrate (SDP), Rashko Konjeviq, ,,Malit të Zi i duhet një qeveri e qëndrueshme me prioritete të qarta dhe jo një eksperiment i ri politik, i ngjashëm me Qeverinë në largim të Zdravko Krivokapiqit."

Qeveria e pakicës do të ketë në Parlament mbështetjen e Partisë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit, por ajo siç kanë bërë me dije zyrtarë nga URA nuk do të jetë pjesë e Qeverisë. Nuk dihet deri tani qëndrimi i Partisë Socialiste Popullore, SNP, e cila në Parlamentin e Malit të Zi ka pesë deputetë. Nga kjo parti thonë se vendimin përfundimtar do ta marrë Këshilli Qendror. Duket se URA i ka dhënë kësaj partie afat që të deklarohet, ndërkohë që Abazoviq, sipas burimeve të informuara mirë, ka  biseduar me përfaqësuesit e kësaj partie, por nuk janë dhënë hollësi.

Parliament of Montenegro
Parlamenti i Malit të ZiFotografi: Parliament of Montenegro

Fronti Demokratik dhe Demokratët flasin për "tradhti"

Me formimin e Qeverisë së pakicës merr fund propozimi i Frontit Demokratik dhe ai i Demokratëve që kërkonin formimin e një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve. Ata e konsiderojnë konceptin e qeverisë së pakicave si "tradhti” ndaj vullnetit elektoral të votuesve në zgjedhjet e gushtit të vitit 2020. Në Podgoricë dhe qytete të tjera ata kanë organizuar protesta dhe bllokada duke kërkuar zgjedhje të reja. Ata akuzojnë URA-n dhe Abazoviqin për marrëveshje politike me Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit Gjukanoviq

Fronti Demokratik proserb ka paralajmëruar se do të ketë hapa institucionalë dhe joinstitucionalë për të penguar formimin e qeverisë së pakicës. Në ditën e zgjedhjes së saj nuk përjashtohet bllokimi i parlamentit të Malit të Zi , ku Dritan Abazoviq si shqiptari i parë që do të merrte postin e Kryeministrit, do të shpaloste edhe programin e qeverisë, e cila sipas gjasave pritet të ketë 18 ministri dhe 3 nënkryetarë.

 

Vera Katana Korrespondente nga Ulqini