Makina si armë
14 Mars 2017Kalimtarët në rrugë natën rrinë pranë semaforëve dhe presin dritën jeshile, ndonëse askund nuk shihet ndonjë makinë. Kur shihni një skenë të këtillë, e dini shumë mirë se jeni në Gjermani. Në të gjitha anketat, kur shtrohet pyetja, se "çfarë është tipike gjermane?", përgjigja është: pritja e dritës jeshile në semafor edhe natën, kur në rrugë nuk ka asnjë makinë! Kjo ka të bëjë me disiplinën dhe respektimin ndonjëherë edhe të verbër të rregullave, ligjeve dhe rendit publik.
Kur një gjerman i durueshëm i shpjegon një të huaji pse pret në semafor, edhe pse nuk kalon asnjë makinë, ai përgjigjet: çfarë do të ndodhte sikur askush të mos i respektonte rregullat? Katastrofë dhe një numër jashtëzakonisht i madh i aksidenteve. "Respektimi i sistemit të rregullave është themeli i civilizimit tonë. Disa rregulla ndoshta nuk na pëlqejnë, por ato kanë kuptim vetëm nëse respektohen", shkruan psikologu Jörg-Michael Sohn në gazetën "Der Spiegel". Kjo është një mënyrë tipike e të menduarit gjerman: "Në Francë drita e kuqe në semafor do të thotë: duhet të jem më i kujdesshëm kur ta kaloj rrugën. Francezët janë mësuar që këto gjëra t'i kuptojnë më ndryshe. Ndërsa ne gjermanët i respektojmë rregullat. Këto janë sjellje të ndryshme dhe të dyja sistemet funksionojnë", thotë Sohn. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat statistikore: numri i të vdekurve në vitin 2015 në trafik ka qenë 43 në një milionë në Gjermani, që është shumë më i ulët se mesatarja evropiane (57). Në kreun e listës është edhe Kroacia me 82 të vdekur në një milion.
Viktimat e pafajshme
Si një kundërshtim i plotë me këtë sjellje, në Gjermani janë shtuar garat ilegale në rrugë. Kryesisht bëhet fjalë për gara spontane ilegale mes të rinjve. Deri sa presin në semaforë, të rinj të panjohur mes vete, merren vesh me sy dhe kur hapet drita jeshile "ia shkelin deri në fund". Ai që mbërrin i pari deri tek semafori tjetër është fitues. Por ka dhe raste të marrëveshjeve paraprake për gara, kur shpesh injorohen semaforët dhe drita e kuqe, pavarësisht që pasojat mund të jenë të rënda. Ka pasur edhe raste me viktima të vdekura, arrestime dhe dënime.
Ky fenomen ka lindur në SHBA në vitet 90-të dhe më pas është përhapur edhe në Gjermani. Qëllimi i këtyre garave të pakuptimta është ngritja e adrenalinës dhe konfirmimi para të tjerëve. Ndërkohë që është shtuar numri i viktimave. Në vitin 2001 në Këln është goditur për vdekje djali i kryetarit të atëhershëm të bashkisë, Fritz Schramm, i cili së bashku me shokët e tij priste në semafor dritën jeshile. Shoferi i garës ilegale e ka humbur kontrollin dhe është futur në grupin e njerëzve të pafajshëm. Në fund të vitit 2006, në të njëjtën mënyrë është qëlluar për vdekje një kalimtar në Bochum. Në Këln në vitin 2015 është lënduar rëndë një femer me biçikletë, e cila më pas ka vdekur.
Denimet
Pjesëmarrja në garat ilegale është trajtuar deri tani si një shkelje e rregullave në trafik dhe është denuar me 400 deri 500 euro dhe marrjen e lejes për një muaj. Dëmtimi i pjesëmarrësve të tjerë në trafik është trajtuar si çdo aksident tjetër. Por kohët e fundit rregullat janë ndryshuar. Në vjeshtë Bundestagu ka miratuar një ligj me të cilin pjesëmarrja në garat ilegale trajtohet si vepër penale, pavarësisht se a ka pasur dëme apo jo.
Një kthesë të madhe në praktikën e gjykimeve paraqet denimi para një muaji i një personi me burgim të përjetshëm, për shkak të goditjes dhe vrasjes së një kalimtari në rrugë. Hamid H. e kishte qëlluar për vdekje 69-vjeçarin Michael W. Gjykata ka konstatuar se personat që kanë marrë pjesë në këtë garë e kanë ditur se mund të ketë viktima, që do të thotë se vepra penale është kryer me paramendim. Ky është një vendim historik në jurisprudencën gjermane, sepse deri më tani kurrë askush nuk është dënuar me heqje të përjetshme lirie, për shkak të ndonjë gare ilegale në trafik.