Macron: Nismë e re për dialog - Prishtina reagon
16 Korrik 2019Presidenti francez Emmanuel Macron do të angazhohet më fort për zgjidhjen e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës. "Muajt e ardhshëm unë do të angazhohem për një dialog serioz", deklaroi Macron në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun serb Aleksandar Vuçiq në Beograd.
Europa nuk mund ta pranojë një "konflikt fatal", që "zgjatet në kohë të pakufizuar dhe vendoset jashtëkufijve të Europës", tha Macron. "Franca do të na ndihmojë ne në rrugën drejt Europës dhe për zgjidhjen ekrizës së Kosovës", deklaroi Vuçiq. Së fundi me nismën e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Macron udhëheja e Serbisë dhe ajo e Kosovës u takuannë Berlin. Ndërkohë që takimi i planifikuar për në fillim të korrikut në Paris anulua për mungesë të përparimeve drejt dialogut mes palëve.
Në kuadër të vizitës së Macron në Beograd u nënshrkuan 22 marrëveshje bilaterale. Ndër të tjera edhe furnizimi në Serbi i raketave franceze si dhe një marrëveshje kornizë për ndërtimin e një metroje në Beograd nga një firmë franceze.
Prishtina reagon me refuzim
Pavarësisht thirrjes së Macronit për dialog, Prishtina thotë se nuk ulet më në tavolinën e dialogut me Serbinë pa një marrëveshje kornizë.
Autoritetet e Prishtinës kanë kritikuar edhe bashkësinë ndërkombëtare që po heziton për një marrëveshje kornizë për njohje reciproke Kosovë-Serbi. Po ashtu po kritikohet fakti që Serbia po armatoset, ndërsa, Kosovës i këkrohet kompromis.
Prishtina zyrtare thotë, se deklarata e presidentit francez Emannuel Macron në Beograd, se "duhet kompromis ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, është më shumë një këshillë e presidentit francez, sesa një kërkesë e tij. Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se roli i Francës po rritet dhe ky fakt mund ta kthejë Serbinë në tavolinën e dialogut me Kosovën edhe pa u hequr taksa ndaj produkteve të saj. Këtë deklaratë, Haradinaj e bëri pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, përmbylli vizitën dyditëshe në Beograd, ku ai paralajmëroi nismën e re për rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve. Macron tha se në muajt e ardhshëm do të organizojë një takim në Paris ndërmjet Kosovës dhe Serbisë së bashku me kancelaren gjermane Angela Merkel. Këtë takim e paralajmëroi edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, i cili tha se "pret që në muajin shtator të organizohet një takim në Paris, ngjashëm me atë që ishte planifikuar të mbahej më 1 korrik”.
"Mendoj se duhet edhe pak kohë, për të folur për disa gjëra të rëndësishme. Ju e dini se unë e urrej ta gjuaj fajin në anën tjetër e të përmend taksat e Prishtinës. Le të presim që fuqitë e mëdha të bëjnë gjërat e tyre, pastaj ne do të dalim me qëndimin tonë”, tha Alaksandër Vuçiq. Ai tha, se presidenti Emannuel Macron e kupton "peshën e problemit kur flitet për Kosovën dhe se gjërat nuk mund të zgjidhen në atë mënyrë që asnjëra palë të mos lëshojë pe për asgjë”.
Por, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha, se pala kosovare nuk do të ulet më në një tavolinë të dialogut me Serbinë pa një marrëveshje kornizë për njohje reciproke, duke kritikuar kështu edhe bashkësinë ndërkombëtare si hezituese në këtë drejtim.
"Kjo po i bie që po na këshillojnë të blejmë "mistrala” (sistem raketor francez). Serbinë po e armatosin me këtë lloj sistemi. Për shembull, Serbia po shkon po blen armë në Rusi. Edhe Franca bëri një kontratë me Serbinë për sisteme raketore e neve po na thuhet nuk mund t'i vendosim emër marrëveshjes që është njohja reciproke në kufijtë ekzistues. Mirë çfarë të bëjmë ne pra. Ne jemi shtet i pavarur, ne nuk kërkojmë asgjë në dialog pos njohjes reciproke. Nëse nuk jeni gati për këtë gjë, atëherë është porosi për ne që të armatosemi, pra nuk ka shumë hapësirë këtu në mes, kërkesa në këtë rast e kryetarit të qeverisë ose e Kosovës është shumë bazike, nuk ulemi në tavolinë më, pa një marrëveshje kornizë që ka emrin njohje reciproke Kosovë-Serbi në kufijtë ekzistues”, tha Ramush Haradinaj.
Edhe zëvëndëkryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kritikuar Serbinë që po armatoset dhe kjo sipas tij, mund ta destabilizojë rajonin.
"Serbia vazhdon të pretendojë që është ushtarakisht neutrale, por po e tregon të kundërtën. Kush po e kërcënon Serbinë kaq shumë, sa që i duhet të blejë armatim të ri nga Franca dhe të tjerët, e t'i rrisë sistemet e mbrojtjes ajrore? Armatosja e Serbisë është një kërcënim i ri për rajonin”, shkroi zëvëndëskryeministri Hoxhaj në Twitter.
Që nga nëntori i vitit 2018, Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar dialog. Aktiviteti diplomatik i Serbisë kundër Kosovës dhe si kundërpërgjigje e kësaj, vendosja e taksës nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve të Serbisë, janë dy faktorët që bënë që të ndërpritet dialogu. Shkak i këtyre zhvillimeve u anulua edhe takimi i Parisit (vazhdimësi e Samitit të Berlinit), ku planifikohej të mbahej me një korrik në Paris dhe ku do të flitej vetëm për mundësinë e arritjes së një marrrëveshje Kosovë-Serbi që do të përmirësonte raportet ndërmjet dy vendeve. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq kërkon një zgjidhje kompromisi, duke aluduar në veriun e Kosovës. Nga ana tjetër është Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që kërkon që lugina e Preshevës t'i bashkohet Kosovës duke vënë theksin në një korigjim kufiri. Këto ide kanë shkaktuar ndarje të mëdha brenda opinionit në Serbi dhe Kosovë, por edhe ndërmjet vet bashkësisë ndërkombëtare.