Më trego flokët e unë të them se nga vjen
21 Dhjetor 2013Sikur një shkencëtar jashtëtokësor të shikonte me dylbi botën, do t'u tregonte kolegëve sa vijon: Më shumë se 7 miliardë njerëz jetojnë në botë. Gati të gjithë mbajnë flokë mbi kokë, mesatarisht 100.000. në mënyra të ndryshme në mbarë botën. Të lidhur gërshet, të qethur shkurt, të ngjyrosur, me onde të mëdha, etj. Studjuesi ynë jashtëtokësor do të pyeste veten: Përse e bëjnë këtë? As ne njerëzit nuk do të dinim t'i jepnim përgjigje.
Por një gjë është e qartë: flokët në kokë janë për njerëzit më shumë se vetëm mbrojtje prej të nxehtit dhe të ftohtit. Flokët simbolizojnë bukuri, status, mitologji ose fe - sipas kulturës.
Arti i flokëve në Japoni: Vajtja te parukieri konsiderohet si uellness
Parukieri japonez Takamasa Ku Bo (emri artistik "Taka") drejton sallonin "Mod's Hair” në Dyseldorf. Në fakt, “Mod's Hair” është një rrjet francez floktoresh. Meqë ky sallon ndodhet një një lagje të qytetit të Dyseldorfit, ku ka shumë banorë japonezë, ai bazohet në traditën japoneze. Taka pret dhe rregullon flokët dhe bën edhe masazh të kokës dhe të krahëve.
Floku në Japoni ka shumë kuptime, thotë Taka. Flokët konsiderohen si diçka e gjallë. Dikur, kur njerëzit kishin një dëshirë, prisnin një tufë flokësh dhe e çonin në një tempull. Taka e ka zbuluar rastësisht dashurinë e tij për flokët. Ai ka lindur në Brazil. Në moshën 15 vjeçare shkoi në Japoni për t'u bërë futbollist profesionist. Një lëndim i dha fund karrierës së tij dhe ai filloi punë në një salon parukerie. Këtu ai bëri karrierë, e cila e lidhi përsëri me futbollin profesionist. Sot ai është parukier i lojtarëve të futbollit të Manchester United apo të FC Nürnberg.
Inskenimi i flokut
Pse flokët shkaktojnë një magjepsje të tillë? Historiani i artit Christian Janecke hulumton "inskenimin e flokut" nga perspektiva kulturore shkencore. Flokët në kokë kanë më shumë funksion se sa një gëzof. Ata janë bërë prej kohësh bartës të vlerave kulturore. "Sa më shumë të binin flokët, apo „gëzofi“ i njeriut, aq më e vlefshme konsiderohej pjesa e flokëve, që kishte mbetur“, thotë Janecke në bisedë me DW.
Zgjatim afrikan flokësh për bjonde
Flokët e gjata në shumicën e kulturave, janë simbol i statusit, thotë studiuesi i flokëve Janecke. Prej më shumë se 20 vjetësh salloni afrikan "Zeebra Tropicana" në Këln zgjat flokët sipas traditës afrikanoperëndimore. Teknikat e thurjes së gërshetave fillimisht përdoreshin për të shtruar flokun e thatë të dredhur. "Ndërkohë klientela është kryesisht gjermane" thotë parukierja, Baaba Yankah-Oduah. Me teknikën e saj të thurjes ajo zgjat flokë të hollë të brishtë. Ajo ka edhe shumë kliente bjonde. Baaba erdhi fillimisht si përkthyese e ambasadës se Ghanës në Gjermani. Meqë ajo atëherë i rregullonte flokët kolegëve, i erdhi një ditë ideja për të hapur një sallon, e para parukieri afrikane në Këln.
Secila kulturë krijon diçka me flokët e saj. Për një kohë të gjatë frizura të caktuara ishin tipike për një kulturë të caktuar. Tani kjo ka ndryshuar, thotë Janecke: "Ndërkohë mund të shohësh kudo stile flokësh, që kombinojnë me njëri-tjetrin elemente të ndryshme të stileve tradicionale të flokëve.”
Mjeshtër të briskut: parukierët turq dhe burrat gjermanë
Edhe burrat i japin rëndësi vajtjes te parukieri. Për flokët, por edhe për mjekrën. Profesioni i parukierit ka ardhur nga ai i berberit. Parukieri turk Adnan Otukan drejton salonin "Men's World" në Këln. Ndërsa te parukierët gjermanë është më e zakonshme rroja elektrike, Adnani rruan me brisk. Por ai rregullon me të edhe modelin e flokëve: "Babai ma ka mësuar zanatin. Meqë dija të pikturoja mirë, fillova t'u qethja flokët djemve, duke u bërë motive në kokë. Për një farë kohe, kjo ka qenë me të vërtetë trend“, tregon Adnani. Me artin e tij të qethjes ai ka qenë në programin televiziv "Yetenek Sizsiniz" ("Supertalenti"). Maratonistit gjerman Gerd Mausbach ai i vizatoi flamurin turk në dy anët e kokës, me qëllim që të binteë në sy gjatë maratonës në Stamboll. "Pata me të vërtetë sukses“, tregon me krenari Mausbach, ndërsa Adnani i shkurton flokët.
Parukierët si Taka, Baaba, apo Adnan, të gjithë kanë sjellë artin e floktarisë të kulturave të tyre në Gjermani. Për fat të keq veprat e tyre artistike nuk mbajnë gjithmonë. Flokët çdo ditë rriten me rreth 0,5 milimeter. "Prandaj modeli i flokëve është diçka, që vazhdimisht rrëshqet dhe bëhet sërish ashtu si e ka bërë natyra", thotë Janecke. Atëherë përse ky art në flokë, që kërkon kaq shumë punë? Në fakt ai është sekondar, shpjegon Janecke: "Njerëzit nuk shkojnë tek një parukier i caktuar, sepse ai i krijon një model të mrekullueshëm flokësh, por sepse ai i kupton më mirë flokët dhe kokën e tij.“