1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

IS-i do të joshë myslimanët gjermanë në Siri

Nina Werkhäuser7 Gusht 2015

"Shteti Islamik" ka publikar një video propagandistike në gjermanisht, ku u bëhet thirrje muslimanëve në Gjermani dhe Austri për të marrë pjesë në xhihad dhe për të vrarë "të pafetë".

https://p.dw.com/p/1GBMD
Ilustrim fotografik i videos kërcënuese për Gjermaninë dhe kaneclaren Merkel të publikuar në internetFotografi: Propagandavideo Islamischer Staat

Ky nuk është rasti i parë, sepse deri tani ka pasur disa video propagandistike në gjermanisht, ndër të tjera prej rapperit Denis Cuspert. E reja është se për herë të parë në videon në gjermanisht tregohet në fund një skenë ekzekutimi rreth pesëminutëshe, ku shihet vrasja e dy burrave të lidhur me zinxhirë dhe të gjunjëzuar për tokë. Në këtë aspekt kemi një formë intensifikimi, tha për Deutsche Welle-n, eksperti për Lindjen e Mesme, Michael Lüders. Sipas tij me sa duket IS-i po përpiqet që t'u drejtohet në mënyrë specifike personave që përbëjnë potencial rekrutimi në vendet gjermanishtfolëse.

Për dy personat që shfaqen në video dihet pak dhe autoritetet gjermane pritet të bëjnë çdo përpjekje për të sqaruar identitetin e tyre, thotë Lüders. Ai sqaron që mënyra se si është përgatitur videoja, është si e të gjitha videove që përhap "Shteti Islamik" në internet, teknikisht profesionale dhe në përmbajtje grupi i synuar janë njerëz në Evropë. "Sigurisht videoja përmban të njëjtën frymë përbuzjeje për njerëzimin, si e gjithë vepra që kryen vetë "Shtetit Islamik" në rajon" - thotë eksperti për Lindjen e Mesme.

Deutschsprachiges IS-Video Screenshot
Ilustrim fotografik i videos kërcënuese të publikuar në internetFotografi: Propagandavideo Islamischer Staat

Frymë përbuzjeje për njerëzimin

E paqartë është për momentin sipas tij nëse videoja e ka origjinën zyrtarisht nga udhëheqja e IS-it, sepse sipas ekspertit nuk dihet nëse brenda IS-it ka një grupim që vepron sipas mendjes së vet, apo nëse jepen udhëzime nga lart për ta prodhuar videon dhe për ta përhapur në internet.

Në video u bëhet thirrje muslimanëve në Gjermani dhe Austri që të shkojnë në Siri dhe në Irak dhe për t'u bashkuar me xhihadin. Xhihadi cilësohet si "pushim" dhe "turizëm". "Kjo është një përpjekje propagandistike për ta paraqitur luftën në Siri dhe Irak si një lloj ekskursioni, si një lloj përvoje dinamike në grup." - thotë Lüders. Me anë të saj bëhen përpjekje për të depërtuar tek të rinjtë muslimanë në Gjermani dhe Evropë, që janë të paqëndrueshëm shpirtërisht dhe në kërkim të identitetit, për t'i joshur ata drejt Sirisë, sqaron eksperti, dhe kjo është pjesë e propagandës dhe e mekanizmit të rekrutimit të "Shtetit Islamik".

Kërcënime për kancelaren Merkel

Dy personat që shfaqen në video shajnë edhe kancelaren Angela Merkel dhe e kërcënojnë atë. Sipas Lüders sigurisht që aktivistët e dinë se nuk kanë asnjë mundësi ta dëmtojnë kancelaren. "Por ata përpiqen të bëjnë të fortin, gjithmonë me shpresën, që të rinj naivë, të paarsimuar, apo të çorientuar të kujtojnë se më në fund dikush thotë si është puna! Kjo pjesë psikologjike luan një rol të rëndësishëm. Prandaj ky mesazh duhet të merret seriozisht për aq sa ky përfaqëson një propagande shumë të zgjuar. Por nuk duhet të mendohet se tani jeta e kancelares është në rrezik."

Michael Lüders
Michael Lüders

Sipas ekspertit për Lindjen e Mesme, Michael Lüders, videoja është ndoshta edhe një reagim ndaj qeverisë gjermane, për shkak se furnizon me armë trupat Peshmerga në Irakun verior. "Ndoshta ky kërcënim duhet kuptuar se, nëse ju e vazhdoni këtë, ne do të përgjigjemi duke futur në Gjermani si refugjatë luftëtarët tanë dhe do të përpiqemi ta destabilizojmë Gjermaninë. Ky është nonteksti i kësaj videoje." - mendon Michael Lüders.