1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Luftime në Belgorodin rus

23 Maj 2023

Situata në rajonin perëndimor rus, Belgorod është e paqartë. Sipas të dhënave ruse vazhdon aty "mbrojtja kundër terrorizmit". Trupa vullnetare ruse kanë marrë përgjegjësinë për sulmet e së hënës pranë kufirit ukrainas.

https://p.dw.com/p/4Rh9P
Ndërtesë e dëmtuar në Belgorod që shihet gjatë një operacioni evakuimi: Kjo pamje vihet në dispozicion nga agjencia shtetërore ruse, TASS
Ndërtesë e dëmtuar në Belgorod që shihet gjatë një operacioni evakuimi: Kjo pamje vihet në dispozicion nga agjencia shtetërore ruse, TASSFotografi: Pavel Kolyadin/TASS/dpa/picture alliance

Pas goditjes me gjasë të rajonit rus Belgorod vazhdojnë luftimet në disa territore, sipas autoriteteve vendore. Guvernatori Vjatsheslav Gladkov bëri të ditur, se mbrojtja ruse ka zbuluar dhe qëlluar disa dronë në zonë, dhe se masat "për mbrojtjen nga terrorizmi" vazhdojnë. Gladkov shkroi në Telegram, se nuk ka viktima në civilë, por është shumë herët për kthimin e banorëve.

Të hënë pas një sulmi me gjasë në rajonin Belgorod u shpall alarmi i rrezikut nga terrori. Ministria ruse e Mbrojtjes dhe autoritetetet, sipas Gladkov po "pastrojnë" territorin në zonën në kufi me Ukrainën, prandaj banorët nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre.

Guvernatori Vjatsheslav Gladkov
Guvernatori Vjatsheslav GladkovFotografi: Sputnik/Mikhail Klimentyev/Kremlin via REUTERS

BURIMET E TË DHËNAVE PËR KËTO ZHVILLIME VIJNË NGA PALËT NË KONFLIKT. GJENDJA AKTUALE NUK MUND TË VERIFIKOHET NË MËNYRË TË PAVARUR!

Ukraina mohon përfshirjen

Guvernatori rus bëri përgjegjës për sulmin një "grup sabotazhi" të ushtrisë ukrainase. Kievi e mohoi çdo lloj përfshirjeje. Kurse njësitë e përbëra nga qytetarë rusë me emrin "Trupa Vullnetare Ruse" dhe "Legjioni për Lirinë e Rusisë" kanë bërë të ditur në Telegram se trupat e tyre janë përgjegjëse për sulmin. Në luftën e Ukrainës të dyja këto njësi luftojnë në anën e Kievit.

"Legjioni për Lirinë e Rusisë" bëri të ditur në televizionin ukrainas, se dëshiron të krijojë një "zonë të çmilitarizuar përgjatë kufirit" me qëllim që të pengohet ushtria ruse që të sulmojë Ukrainën. Këto të dhëna nuk verifikohen dot në mënyrë të pavarur. Njësitë i kanë bërë thirrje popullsisë të mos bëjë rezistencë. "Ne nuk jemi armiqtë tuaj." Liria është pranë, shkruan kjo njësi në rrjetin social Telegram.

Belgorod
BelgorodFotografi: Polina Nikolskaya/File Photo/REUTERS

Në rajonin rus Belgorod ka pasur disa herë raportime në muajt e kaluar për sulme ukrainase përtej kufirit. Agjencia gjermane e lajmeve, dpa e vlerëson sulmin e së hënës si sulmi më të rëndë në territorin rus. Qyteti Belgorod ndodhet 80 km larg qytetit lindor ukrainas, Kharkov, qytetit të dytë më të madh të Ukrainës.

la/tgsch