Lufta në Lindjen e Mesme - Izraeli dhe Hamasi vazhdojnë luftimet
11 Janar 2009Konflikti në mes të përfaqësuesëve të Kombeve të Bashkuara dhe Izraelit lidhur me veprimet në Rripin e Gazës sa vjen e zgjerohet. Shembulli i fundit është një deklaratë e ushtrisë izraelite për sulmin vdekjeprurës të kryer të enjten (8.1.)ndaj një konvoi të Kombeve të Bashkuara. Si pasojë e sulmit humbi jetën të paktën një shofer. Në shenjë reagimi Kombet e Bashkuara ndërprenë punën e tyre. zëdhënësja e ushtrisë izraelite, Avital Laiboviç deklaroi se: "Ushtria izraelite e ka hetuar rastin dhe ka konkluduar se ushtarët nuk kanë qëlluar ndaj konvoit. Andaj ne i hedhim poshtë akuzat se ky rast ka të bëjë më ushtrinë tonë".
Zëdhënësi i Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë UNWRA, Christopher Guness sqaroi se në reagimin e parë ushtria izraelite pati shprehur keqardhjen për rastin. Ai kërkoi që pala izraelite t'i dorëzojë Kombeve të Bashkuara të gjitha informatat dhe fotografitë për të sqaruar rastin e së enjtes. Njëkohësisht Gunes shprehu shpresën që Kombet e Bashkuara do të rifillojnë sërish punën në rajon: "Po marr një shembull të vogël sot nga familja e një shokut tim. Ata thanë se tani do të fillojnë të djegin orenditë për të ndezur zjarrin për të gatuar. Kjo tregon shumë mirë shkallën e dëshpërimit në mes të një krize humanitare."
Organizatat humanitare janë të brengosura se gjendja mund të përkeqësohet akoma më shumë. Kjo për faktin se të shtunën (10.01.) avionët izraelitë kanë hedhur mijëra fletë-volante mbi rajonet palestineze në Rripin e Gazës. Sipas të dhënave palestineze nga popullata kërkohet të qëndrojë larg organizatës islamike. Ushtria kërcënon me një fazë të re të operacioneve të saj, thuhet më tej.
Si pasojë e sulmeve ndaj objektivave në kampin e refugjatëve Xhablija u vranë të shtunën (10.01.) tetë palestinezë. Gjatë natës duke u gdhirë dita e dielë njoftohet për pesë të vrarë të tjerë dhe disa të plagosur. Izraeli sqaroi po ashtu se ushtria vrau një komandant të Hamasit. Për të vdekur dhe të plagosur mjekët palestinezë flasin edhe në jug dhe qendër të Rripit të Gazës.
Organizata humanitare Human Rights Watch e akuzoi Izraelin se po përdor municion me fosfor të bardhë. Edhe pse këto armë nuk ndalohen prej së drejtës ndërkombëtare publike, fosfori i bardhë i shkakton dëme të rënda lëkurës, tërheq vërejtjen organizata në një deklaratë të saj. Pala izraelite i ka hedhur poshtë akuzat se është duke përdorur predha me fosfor të bardhë.
Edhe palestinezët radikalë vazhduan sulmet e tyre me raketa ndaj rajone izraelite. Përfaqësues të forcave të sigurisë në Izrael sqaruan se si pasojë e raketave të hedhura në qytetin Ashkelon janë plagosur disa banorë. Pamjet televizive tregojnë një banesë të dëmtuar rëndë, xhama të thyer dhe qytetarë të shqetësuar. Kështu që nuk ka asnjë shenjë që gjatë ditëve të ardhshme palët do të përmbushin kërkesën e Kombeve të Bashkuara për armëpushim.
Shefi i Hamasit, Mashall, sqaroi nga Siria, ku gjendet në mërgim, se së pari duhet që Izraeli të tërheqë trupat e tij dhe të heqë dorë nga rrethimi i Rripit të Gazës. Kryeministri izraelit, Olmert, kishte kërkuar më parë që pala palestineze t'u japë fund sulmeve me raketa dhe kontrabandës me armë përmes kufirit egjiptiano-palestinez.