1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta mediatike e Rusisë kundër Ukrainës

18 Shkurt 2022

Nëse Rusia do të sulmonte Ukrainën, shumë rusë nuk do të habiteshin. Media shtetërore ka përgatitur terrenin për vite me radhë, duke i quajtur ukrainasit "nazistë" dhe duke e portretizuar vendin si shtet armik.

https://p.dw.com/p/47FDn
Putini ne interviste televizive
Fotografi: Alexander Nemenov/AFP/Getty Images

A duan qytetarët rusë një luftë kundër Ukrainës? Kjo është një pyetje që ka lindur që nga vendosja e trupave ruse në kufirin ukrainas. Dhe kjo është një pyetje shumë delikate për Denis Volkovin. Ai u mendua për një moment para se të përgjigjej. "Kjo nuk është pyetja që bëmë ne”, tha specialisti i sondazheve në qendrën e famshme Levada në Moskë në një intervistë për DW. "Është një pozicion i skajshëm. Ndoshta dikush mund të mendojë kështu, por shumë pak e duan vërtet këtë dhe bëjnë thirrje."

Sondazhi: 40 për qind e shohin luftën si të mundshme

Në mediat ruse, nga ana tjetër, tema nuk është tabu, përkundrazi. Deputeti populist dhe ambivalent i krahut të djathtë, Vladimir Zhirinovsky, i ftuar i shpeshtë në emisionet politike, ka menduar publikisht një sulm ndaj Ukrainës prej vitesh. Herën e fundit, në fund të dhjetorit, ai u lut në një intervistë me një gazetë për përdorimin e "forcës ushtarake" nëse Ukraina nuk i plotësonte kërkesat ruse si heqja dorë nga anëtarësimi në NATO. Disa vite më parë, Zhirinovski fantazoi, gjatë një transmetimi të kanalit publik "Rossiya-1", për një bombë atomike në selinë zyrtare të presidentit të atëhershëm ukrainas Petro Poroshenko në Kiev. Mediat sociale janë gjithashtu skena e lojërave mendore luftarake. "Është koha për të çliruar përsëri Ukrainën", shkroi për shembull, së fundmi në Twitter një gazetar rus.

Është e paqartë se sa të përhapura janë ndjenja të tilla në shoqërinë ruse. Jo të gjithë votuesit, nga 7.5% e atyre që votuan për partinë e Zhirinovskit (LDPR) në zgjedhjet e Dumës në shtator 2021 do të ishin të gjithë në favor të një lufte kundër Ukrainës.

Wladimir Schirinowski në Moskë
Fotografi: picture-alliance/dpa

Denis Volkovi njej numra të tjerë që e habisin. 36 për qind e rusëve besojnë se është "shumë e mundshme" që tensionet aktuale mund të çojnë në një luftë midis Rusisë dhe Ukrainës. Një tjetër katër përqind madje e shohin një luftë të tillë si "të pashmangshme", zbuluan në fund të vitit 2021 sondazhet e Qendrës Lewada. "Është më shumë se zakonisht, kjo shifër është rritur," thotë Volkovi. "Shumica e njerëzve nuk e duan luftën, ata kanë frikë prej saj, por ka një ndjenjë që po vjen," vazhdoi anketuesi.

Në këtë kontekst, përgjegjës konsiderohet Perëndimi: nëse do të shpërthente një luftë me Ukrainën, një në dy rusë do të fajësonte Shtetet e Bashkuara dhe vendet e NATO-s. Ukraina do të ishte përgjegjëse për 16 për qind. Në të kundërt, vetëm katër përqind e të anketuarve besojnë se është Rusia luftënxitësja.

Ukraina, temë e vazhdueshme në mediat ruse

Këto opinione pasqyrojnë imazhin e transmetuar prej vitesh nga mediat ruse dhe veçanërisht nga televizioni publik. "Tema (Ukraina dhe një luftë e mundshme - shënim i redaktorit) arrin tek qytetarët përmes televizionit, i cili është burimi kryesor i informacionit për dy të tretat e rusëve", shpjegon Volkovi.

Në televizionin rus, Ukraina ka qenë një temë e vazhdueshme prej vitesh. Mbulimi intensiv mediatik filloi pas fitores së "Revolucionit Portokalli" në vitin 2004, i parë nga Kremlini si një grusht shteti i frymëzuar nga Perëndimi. Deri atëherë, Ukraina dhe ukrainasit konsideroheshin ende "partnerë strategjikë" dhe "popuj vëllezër".

Një tjetër pikë kthese ishte lufta e Rusisë kundër Gjeorgjisë në vitin 2008, në të cilën Ukraina mbështeti Tbilisin. Menjëherë pas kësaj, në hapësirën mediatike ruse,  por edhe në atë ukrainase u shfaq ideja e një lufte në Ukrainë. Janë botuar disa libra tematikë, që parashikojnë "rrënimin e projektit ukrainas". Në atë kohë, kjo dukej se ishte vepër e njerëzve të çuditshëm.

Zgjedhje në Ukrainë, 2006
Zgjedhje në Ukrainë, 2006Fotografi: AP

Mbrojtja e "rusëve" në Ukrainën lindore

Në prag të aneksimit të Krimesë në vitin 2014, Ukraina ishte temë diskutimi në çdo kanal në Rusi. Ashtu si në vitin 2004, protestat e opozitës u cilësuan si grusht shteti. Fokusi ishte gjithnjë e më shumë në raportet e rrezikut të supozuar për ukrainasit rusishtfolës. Ky rrezik ishte shumë i ekzagjeruar, nuk kishte as sulme, as kërcënime serioze. Për presidentin Vladimir Putin megjithatë kjo ishte një nga arsyet e aneksimit. Ai donte të mbronte rusët, tha më pas shefi i Kremlinit.

Që atëherë, mbulimi mediatik i Ukrainës është bërë një nga temat qendrore, menjëherë pas politikës së brendshme ruse. Shumë vëzhgues në Rusi, por edhe jashtë saj, janë pyetur për arsyet e këtij zhvillimi. Në retrospektivë, kjo duket si një përpjekje për të mbajtur opinionin publik në gjendje gatishmërie në rast konflikti.

"Ekspertët" ukrainas, të quajtur "idiotë" dhe të fyer, janë një pjesë e rëndësishme e shumë spektakleve në studio. Tezat kryesore nuk kanë ndryshuar prej vitesh: Ukraina është një shtet i dobët dhe i falimentuar, në të cilin "nazistët" ukrainas përcaktojnë agjendën, një kukull e Perëndimit dhe një armik i Rusisë. Rezultati: një lodhje në lidhje me Ukrainën, e vërejtur nga anketuesit e opinionit si Denis Volkovi. Por edhe kjo: në listën e shteteve jo miqësore ndaj Rusisë, Ukraina renditet e dyta në sondazhe, pas Shteteve të Bashkuara dhe përpara Britanisë së Madhe.

Në krizën aktuale, thirrja për mbrojtjen e "rusëve" në Ukrainë është bërë sërish e dukshme në mediat ruse. Bëhet fjalë për ukrainasit që flasin rusisht nga jugu dhe lindja e vendit dhe veçanërisht banorët e republikave separatiste të Donjeckut dhe Luhanskut. Qindra mijëra prej tyre kanë marrë nënshtetësinë ruse që nga viti 2019. Në fund të dhjetorit, presidenti Putin foli për herë të parë për shenjat e "gjenocidit" në Ukrainën lindore. Separatistët kanë njoftuar tashmë synimin e tyre për të kërkuar eventualisht ndihmë ushtarake nga Rusia. Do të ishte një zhvillim që do të gjente terren pjellor në mediat ruse.