1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta e fjalëve në Britaninë e Madhe

S. Judith-Hofmann/Eliana Xhani19 Mars 2014

Nostalgjia ka rëndësi të madh për britanikët. Por tani vendi polemizon se si duhet ta përkujtojë Luftën e Parë Botërore. Sa më shumë afron data e ceremonive përkujtimore, aq më i nxehtë bëhet debati.

https://p.dw.com/p/1BSLd
Mbretëresha ElisabethFotografi: Getty Images

Britania e Madhe e pëlqen nostalgjinë. Madje mund të thuhet se ky vend me historinë e vet të "madhe" mbështetet tek nostalgjia. Por deri para pak kohësh nuk kishte mbetur shumë nostalgji për Luftën e Parë Botërore, masakrat masive të saj dhe thyerjen me sistemin e vjetër (shumë britanikë besojnë se lufta shthuri sistemin e klasave, në të cilin njerëzit kishin gjetur vendin e tyre). Që prej fillimit të këtij viti studiues dhe politikanë britanikë polemizojnë mbi mënyrën si duhet përkujtuar 100-vjetori i luftës. Ka shpërthyer një "luftë fjalësh". Ministri i Arsimit Michael Gove ishte i pari që nisi debatin. Në javët e para të vitit të ri, Gove akuzoi "studiues me orientim të majtë" se përhapin "mite" jopatriotike për rolin e Britanisë së Madhe në Luftën e Parë Botërore. Sipas Gove ata e portretizojnë luftën si "kasaphanë të shëmtuar" duke injoruar kështu "patriotizmin, nderin dhe guximin" e atyre njerëzve që kanë shërbyer në luftë dhe që kanë dhënë jetën për "një kauzë të drejtë", pikërisht për të zmbrapsur sulmin gjerman.

Tristan Hand, studiues liberal i majtë dhe zëdhënës për arsimin në partinë opozitare Labour, i ktheu përgjigje ministrit Gove me një artikull gazete ku e akuzonte atë se bën komente "të shëmtuara" dhe të ashpra ndërkohë që do të ishte më mirë të ndodhte një reflektim kombëtar për rolin e Britanisë së Madhe. Hunt e akuzoi ministrin e Arsimit për triumfalizëm barbar, pasi nxit nacionalizmin dhe krijon një atmosferë antievropiane para zgjedhjeve vendimtare për Parlamentin Evropian në muajin maj. "Të paktë janë ata që mund të përfytyronin se konservatorët do të tregoheshin kaq vulgarë, dhe që nuk do të gjenin një përgjigje dinjitoze për ngjarjet e viteve 1914-1918", shkruante Hand.

Një përkujtim "dinjitoz"

Qeveria e drejtuar nga konservatorët ngul këmbë se përgjigja e saj është dinjitoze: ajo organizon aktivitete përkujtimore festive dhe të karakterizuara nga respekti për viktimat e luftës. Është planifikuar një program me shpenzime milionëshe me shumë aktivitete, ndër të tjera vizita në skenat e luftës për nxënësit e shkollave, koncerte përkujtimore dhe inagurimin e një pllake dhe figurave të reja përkujtimore për të nderuar miliona njerëz që humbën jetën në luftën e cila "duhej t'u jepte fund të gjitha luftrave". Muzeu i luftës "Imperial War Museum" në jug të Anglisë do të rinovohet nga themelet dhe do të zgjerojë ekspozitën e tij për Luftën e Parë Botërore. Shumë ekspozita merren para së gjithash me ndryshimet në gjirin e shoqërisë britanike dhe evropiane, që u bënë shkaktare të shpërthimit të luftës.

Për ministrin e Arsimit Michael Gove këtu ka një problem: injorohet çështja e fajit dhe harrohet të festohet fitorja e Britanisë së Madhe dhe e aleatëve të saj. Është poshtëruese për viktimat nëse kujtimi devijon në "një perceptim të çfarëdoshëm me orientim të majtë" të Luftës së Parë Botërore.

Gedenktag zu Ehren der Kriegsveteranen
Fotografi: Getty Images

"Ishte e pakuptimtë!"

Max Hastings, autor i njërit prej librave të shumtë mbi luftën, me titull "Catastrophe 1914", shkon edhe një hap më tutje. Sipas tij ka qenë po aq e rëndësishme të mundej Perandori sa edhe Hitleri në Luftën e Dytë Botërore. "Synimi i luftës së Perandorisë gjermane nuk është shumë larg atij të Gjermanisë së Hitlerit të vitit 1939. Perandori kërkonte hegjemoninë mbi Evropën", thotë Hastings. "Nëse gjermanët do të kishin fituar, do të kishte qenë një ditë shumë e keqe për demokracinë dhe lirinë në Evropë".

Hastings, një ish gazetar i gazetës konservatore britanike "Daily Telegraph" pretendon se historia është rikshkruar dhe shtrembëruar për të mos ofenduar Gjermaninë e sotme. Për Hastings kjo është një fyerje për Britaninë e Madhe, një komb i cili është përballur pa rezerva me të kaluarën e tij ushtarake.

"Duhet të përpiqemi të themi të vërtetën!"

"Gjermania moderne është një vend i mrekullueshëm me një demokraci të shkëlqyer, për të cilën ka respektin tonë më të madh", thotë Hastings. "Por nëse për ne ka sado pak rëndësi përcjellja e njohurive tek brezat e ardhshëm, duhet të përpiqemi të tregojmë të vërtetën".

Gedenktag zu Ehren der Kriegsveteranen
Fotografi: Getty Images

E "vërteta" për "Luftën e madhe" është më e vështirë për t'u kuptuar se sa mendojnë Hastings dhe Gove. Kështu në diskutim janë përfshirë edhe shumë historianë. Nga njëra anë një historian i rëndësishëm britanik, i cili asnjëherë nuk është cilësuar me orientim të majtë. Ai mendon se ka qenë e drejta e Britanisë së madhe të ndërhyjë në një konflikt që zhvillohej në Kontinentin Evropian. Nga ana tjetër profesori i historisë në Universitetin e Harvardit Niall Ferguson është i mendimit: "Britania e Madhe nuk duhej të ishte përfshirë në konflikt. Nuk ekzistonte asnjë kërcënim direkt për vendin. Ka qenë gabimi më i madh në historinë e saj moderne" shprehet Ferguson në librin e tij "The Pity of War".

"Gabimi më i madh i historisë moderne?"

Të barazosh Perandorin me Hitlerin është e gabuar, thotë Ferguson. Objektivat e Perandorit Wilhelm nuk kanë qenë aspak aq të marra sa ato të Hitlerit. Britania e Madhe duhej të ishte përmbajtur dhe të ndërhynte më vonë në një moment më të favorshëm. Duke u përfshirë në luftë që nga fillimi, thotë Ferguson, Britania e Madhe mbeti e bllokuar në një luftë të gjatë, të ashpër dhe shkatërrimtare, e cila nuk shteroi vetëm burimet e Britanisë së Madhe. Lufta rrënoi Evropën dhe çoi në lindjen e dy tiranive më të mëdha të shekullit të 20-të: Gjermanisë naziste dhe Bashkimit Sovjetik stalinist.

Veç kësaj, argumenton Ferguson, Britania e Madhe dështoi në përmbushjen e synimeve themelore të luftës, pikërisht të ndalonte Gjermaninë të sundonte Evropën. "100 vjet më vonë kush sundon në Evropë? Pyesni grekët", thotë historiani.

Lufta e fjalëve mbi "Luftën e madhe" vazhdon. E sigurt është që edhe pas festimeve të mëdha përkujtimore në verë, polemikat rreth pyetjes se cila është mënyra më e mirë për ta kujtuar atë luftë, nuk do të marrin fund.