1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Alexander Kudascheff raportonte nga festa e bashkimit në Berlin

Alexander Kudascheff22 Maj 2013

Alexander Kudascheff mbrëmjen e 3 tetorit 1990 raportonte drejtpërdrejtë për DW nga festa e madhe e bashkimit në Berlin, kur në godinën e Rajshtagut u ngrit flaumri i Gjermanisë së bashkuar.

https://p.dw.com/p/18cGR
Fotografi: imago/Kai Bienert

Në 2 tetor kisha mbërritur sërish në Berlin pas një udhëtimi në Nuremberg dhe Hamburg, ku ishin zhvilluar kongreset e bashkimit të partive SPD, FDP dhe CDU. Tani ne na duhej të bënim gjithçka gati për të nisur transmetimin. Kolegu im Timo Langer kishte marrë një vend për makinën e transmetimit në Rajshtag, aty patëm qëndruar edhe më 18 maj kur u mbajtën zgjedhjet e para të lira. Pra na duhej vetëm që të ngrinim rrugën e transmetimit deri tek mikrofoni i reporterit. Për këtë kishte një çantë shpine, të cilën duhet ta mbaja unë dhe që gjithë mbrëmjen ruhej nga Lothar Jöde, tekniku i transmetimit.

"Rreth mesnatës një minutë lajme konçize!"

Ne u vendosëm para ndërtesës së parlamentit. Erdhi pasditja, orët e para të mbrëmjes. Rreth orës pesë e gjysmë bëmë lidhjet e para direkt. Nga ora 18 ishim çdo orë në transmetim. Rreth nesh u mblodhën spektatorë, që prisnin çastin magjik, mesnatën, ribashkimin. Vendi po mbushej gjithnjë e më shumë, shpejt u tejmbush. Dhe unë raportoja e raportoja, live pa celular, pa akses në internet dhe tek agjencitë e lajmeve. Në makinën e transmetimit ishte Timo Langer dhe nga një telefon fiks më përcillte lajme, lutje, informacione.

Flash-Galerie 20 Jahre Volkskammerwahl
Fotografi: picture-alliance/dpa

Po afrohej mesnata. Atmosfera po bëhej më e tendosur, nervoziteti u shtua tek të gjithë. Dieter Wünsch, drejtuesi i programit gjerman, dha udhëzimin: "Në mesnatë na duhet një minutë me lajme konçize, që të shërbejë si hapje për të gjitha lajmet dhe të gjitha emisionet e radios!"

Ekuilibër mbi një tavolinë druri

Pastaj masa e njerëzve filloi të lëvizë: me mijëra, dhjetëra mijëra vërshuan përpara, donin të arrinin në vende nga ku shihej më mirë, donin të shihnin nga afër Helmut Kohl, Willy Brandt, Richard von Weizsäcker. Dhe unë qendroja vetëm, si një kapiten i braktisur, mbi tavolinën time prej druri me Lothar Jöde-n në shpinë, falë Zotit! Pasi brenda një çasti të gjithë rreth meje nuk u përmbajtën më, të parët kërcyen mbi tavolinën time, pasuar nga të tjerë, tryeza filloi të lëkundej, nga mbrapa shtynin dhe unë hyra në transmetim, dhjetë minuta para mesnate. Unë lëkundesha mbi thembra në majë të tavolinës dhe fola, fola e fola derisa filloi ceremonia. Dhe pastaj vazhdova të flisja dhe të luftoja, derisa pak para orës një erdhi urdhri: "Në orën një e kemi përsëri ne radhën!"

Pastaj më në fund u gjenda sërish "vetëm" me Lothar Jöde-n mbi tavolinën tonë, të rraskapitur dhe me humor të mirë me ndjenjën e sigurt, ah, me sigurinë e plotë: ke përcjellë për Deutsche Welle një orë historike!

Gjithmonë të pranishëm live

Dhe pastaj festuam, Timo Langer, Lothar Jöde dhe unë, të tre festuam ribashkimin, të cilin pata mundësinë ta përjetoja nga afër: nga demonstratat e para të së hënës në Leipzig, tek rënia e murit, nga udhëtimet e Willy Brandt në Gotha, Eisenach dhe Erfurt, themelimin e partive të reja, zgjedhjet e para të lira parlamentare, vendimin për anëtarësimin deri tek festa e bashkimit. Po, unë isha i pranishëm kur u shkrua historia, i pranishëm për Deutsche Welle-n.