1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Liria e shtypit në rrezik - Qeveria hungareze planifikon një ligj të ri për median

15 Dhjetor 2010

Qeveria hungareze planifikon një ligj të ri mediatik, i cili kritikohet si një ligj mjaft restriktiv. Radiotelevizioni publik do të ketë struktura të reja, ku dora drejtuese nga lart do të ndihet më shumë.

https://p.dw.com/p/QYbH
Gazeta hungarezeFotografi: picture alliance/Lonely Planet Images

Në fillim të dhjetorit lexuesit e gazetave dhe revistave hungareze u habitën jo pak: Gazeta ditore "Nepszava" (Zëri i Popullit) me orientim të majtë dhe sindikalist si edhe dy gazeta të njohura javore të politikës kulturore "Magyar Narancs" (Portokallia hungareze) dhe "Eles es iroladom" (Jeta dhe letërsia) u botuan me faqen e parë bosh. Kjo ishte protesta më efektive kundër politikës mediatike të qeverisë populiste nacionalkonservatore të kryeministrit Viktor Orban.

Viktor Orban, kryeministër hungarez
Viktor Orban, kryeministër hungarezFotografi: AP

Dihet që në 1 janar 2011 qeveria hungareze do të fusë në fuqi ligjin e ri për median. Miratimi i tij pritet të bëhet pas dy javësh. Por prej kohësh redaksitë protestuese e shohin të rrezikuar lirinë e shtypit në Hungari dhe bëjnë fjalë për mosekzistencën e saj nga 1 janari 2011.

Një prognozë drastike. Shkrimtari hungarez që jeton në Berlin, György Dalos e sheh vendlindjen e tij i pandikuar. Edhe ai është i shqetësuar për politikën mediatike të qeverisë Orban. "Ligji centralizon të gjithë strukturën mediatike në një mënyrë të tillë, siç nuk ka ekzistuar më që nga 1989-a. Qëllimi praktik është çimentimi i pushtetit. Të duket vërtet se po bëhen përgatitje për ta mbajtur pushtetin për 30 vjet."

Shkrimtari hungarez, György Dalos
Shkrimtari hungarez, György DalosFotografi: picture-alliance/dpa

Raportim mediatik sipas udhëzimeve nga lart

Kushtet për këtë janë të favorshme. Partia e Orbanit "Demokratët e rinj" (Fidesz) fitoi në zgjedhjet parlamentare në prill më shumë se dy të tretat e vendeve në parlament. Që atëherë kryetari i qeverisë po e rinovon sipas konceptit të tij shtetin dhe administratën hungareze. Këtu përfshihet edhe një politikë që i kontrollon më mirë mediat dhe i bllokon më lehtë kritikët e padëshiruar.

Në tetor u krijua "Këshilli i medias", vetëm me besnikë të qeverisë. Ky këshill mund të ushtrojë kompetenca kontrolli dhe sanksionesh ndaj mediave private dhe atyre publike. Baza e tij është e ashtuquajtura " karta e medias" e cila ende nuk ka hyrë në fuqi, por që me të do të obligohen gazetarët "të raportojnë në mënyrë faktike dhe të barazpeshuar" si edhe të përhapin vlerat kristiane, patriotike dhe kombëtare.

Hapa të tjerë në ndryshimin radikal të peizazhit mediatik priten javët e ardhshme. Në fund të nëntorit në Radiotelevizionin publik dhe Agjencinë e Lajmeve MTI u emëruan drejtorët e rinj, natyrisht njerëz të qeverisë.

Parlamenti hungarez, Budapest
Parlamenti hungarez, BudapestFotografi: AP

Opozita pa shanse për të ndryshuar situatën

Shkrimtari György Dalos mendon se opozita socialiste dhe e gjelbër ka shumë pak shanse të ndryshojë këtë politikë. Ata janë të pafuqishëm kundrejt shumicës me dy të tretat, mendon ai. Përveç kësaj njerëzit e opozitës që tani janë larguar nga programet në median publike.

"Është publikuar një analizë e lajmeve televizive dhe të radios- dhe aty del se opozita përmendet rrallë në lajme, por edhe kur përmendet atëherë, më shumë si një kundërshtare e korruptuar postkomuniste. Kjo do të thotë me sa duket që në Hungari është e mundur që me zotërimin e strukturave të medias ta ndrydhësh që tani kritikën në shtyp."

Prej kohësh OSBE dhe Parlamenti Evropian kanë shprehur shqetësime për ligjin e planifikuar për mediat. Por intervenimet nga jashtë nuk kanë pasur ndonjë ndikim në politikën e qeverisë Orban, e cila vazhdon të ndjekë politikën e një demokracie hungareze të komanduar me një vetëbesim të madh.

Autor: Keno Verseck / Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti