1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Liria e blerë - rrugëdalja nga burgimi në RDGJ"

Marsel Fürstenau / Angelina Verbica11 Gusht 2012

Biznes reciprok: RFGJ deri në rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989, paguante për lirimin e mijëra të burgosurve politikë nga RDGJ. Për Perëndimin vendimtare ishin motivet humanitare për lindjen ato ekonomike.

https://p.dw.com/p/15nsA
Fotografi: Erinnerungsstätte Notaufnahmelager Marienfelde

Marrëveshja ishte politikisht shumë delikate. Vetë kancelari Konrad Adenauer u desh të jepte pëlqimin. Me një fshehtësi absolute më 2 tetor 1963 u liruan tetë të burgosurit e parë të Gjermanisë Lindore (RDGJ). Në një autobus ato kaluan postbllokun e kufirit të brendshëm gjerman, Wartha-Herleshausen. Regjimi komunist mori saktësisht 205 000 marka gjermane. Më vonë pasuan disa qindra. Këtij kapitulli të ndarjes së Gjermanisë i është kushtuar tani për herë të parë një ekspozitë monotematike. Ekspozita "Liria e blerë - rrugëdalja nga burgimi në RDGJ" mund të vizitohet deri në mars 2013, në qendrën përkujtimore Marienfelde në Berlin.

Aty përshkruhen gjashtë fate individësh dhe familjesh, që kanë qenë të burgosur për arsye politike. Ndër ta familja Kolbe nga Dresdeni, e cila në tetor 1973 donte të dilte në liri përmes rrugës së tërthortë për në Austri duke kaluar nëpër Çekosllovaki. Përpjekja dështoi, prindërit përfunduan në burg. Në maj të vitit 1975 ata u liruan në këmbim të parave, por u desh të prisnin edhe katër muaj të tjerë, derisa u takuan me dy djemtë e tyre në Perëndim. Se si e mbijetuan ata kohën mes shpresës dhe frikës, vizitorët e ekspozitës mund ta përjetojnë përmes një videointerviste në ekspozitë.

Nga ekspozita "Liri e blerë - rrugëdalje nga burgimi në RDGJ"
Nga ekspozita "Liri e blerë - rrugëdalje nga burgimi në RDGJ"Fotografi: DW

Avokatët negociojnë mbi të burgosurit

Opinioni publik në të dy anët e kufirit nuk duhej të mësonte asgjë në lidhje me tregtinë shtetërore me njerëzit. Prandaj të burgosurit e liruar me para, duhet të betoheshin se ruajnë sekretin. Sigurisht që ka pasur gjithmonë thashetheme, por jo konfirmime zyrtare. Fijet në prapaskenë i tërhiqnin avokatët, Wolfgang Vogël (Lindje) dhe Jürgen Stange (në Perëndim). Korrespondenca e tyre shumëvjeçare është e dokumentuar në qendrën memoriale të pranimit Marienfelde. Tekstet mund të lexohen, ose mund të dëgjohen të lexuar nga folës profesionistë.

Përzgjedhja e fjalëve është e matur, si zakonisht në korrespondencën e biznesit. Prapa rreshtave fshiheshin fate njerëzish. "Lista, që kemi marrë, ndodhet në fazën e shqyrtimit. Përcaktimi numerik është i pamundur," i shkruan Vogel më 20 gusht 1973 kolegut të tij Stange. Fjali si këto tregojnë se në lidhje me të burgosurit e RDGj-së bëhej pazar. Një rol të madh luanin kritere të tilla, si marrëdhëniet familjare, shëndeti dhe profesioni, thotë drejtorja e qendrës përkujtimore, Marienfelde, Betina Effner. "Doktorët dhe inxhinierët ishin më të vlefshëm".

Ausstellung "Freigekauft - Wege aus der DDR-Haft" in der Gedenkstätte Notaufnahmelager Marienfelde
Ludwig RehlingerFotografi: Erinnerungsstätte Notaufnahmelager Marienfelde

Renate Werwigk përfundoi dy herë në burg

Të burgosurit me profesione, që ishin të nevojshme në lindje, e kishin shpesh më të vështirë për të hyrë në listë. Këtë përvojë ka patur edhe mjekja Renate Werwigk nga Berlini. Në vitin 1963 ajo donte të shkonte në perendim pas të vëllait, përmes një tuneli të gërmuar nga kontrabandistët. Shërbimi i Sigurimit të Shtetit (Stasi) i ra në erë këtij aksioni. Renate Werwigk dhe prindërit e saj u dënuan me disa vjet burg.

Pas lirimit gruaja e re kontaktoi me avokatin Vogel. Ai fillimisht nuk i dha asnjë shpresë për t'u larguar në Perëndim, tregon Renate Werwigk në një intervistë me Deutsche Welle. Më në fund Vogel kishte lënë të kuptohet se ajo duhet të bënte diçka, që të arrestohej përsëri. Pas përpjekjes së dështuar, për të udhëtuar me një pasaportë fallso nga Bullgaria për në Turqi, mjekja u dënua përsëri me heqje lirie në vitin 1967. Një vit më vonë ajo u dërgua në perëndim në këmbim të një spiuni nga Gjermania Lindore, si dhe të një pagese prej 100.000 markash gjermane.

"Tani jeni qytetarë gjermanoperëndimorë."

Blerjen e të burgosurve mund ta quash "një lloj mënyrë për të marrë deviza", thotë kuratorja e ekspozitës Lucia Halder, me të drejtë. Në këtë mënyrë arrinin në RDGj mallrat me vlerë prej më shumë se tre miliardë dollarë. Ky ishte çmimi për lirinë e gjermanolindorëve, vendi i parë i pranimit të të cilëve ishte "qendra federale e pritjes" në Giesßen të landit gjerman të Hessenit. Drejtuesi i saj ishte Heinz Dorr. Të ardhurit e rinj nga pjesë tjetër e Gjermanisë ai i përshëndeste me fjalët: "Zonja dhe zotërinj, ju jeni tani qytetarë gjermanoperëndimorë."