1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lindner: Ekonomia gjermane e fortë pavarësisht recesionit

16 Shtator 2023

Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, tha për DW se ekonomia gjermane mund të dalë nga recesioni në vitin 2024.

https://p.dw.com/p/4WPet
Lindner duke folur para një mikrofoni të DW. Pas tij qiell i kaltër dhe një bregore me gjelbërim.
Ministri Federal i Financave i Gjermanisë, Christian Lindner (FDP): Investim dhe në të njëjtën kohë ristrukturim i buxhetit të BE-sëFotografi: Martin Luy/DW

Ministrat dhe krerët e bankave qendrore nuk kishin receta të  gatshme për problemet e shumta me të cilat po përballet ekonomia e BE-së sot. Ata thanë se rritja në Evropë do të jetë vetëm 0,8 për qind, më e ulët se sa pritej, dhe se Gjermania madje po shkon drejt një recesioni. "Gjermania është një vend i fortë. Ekonomia jonë ka substancë dhe gjithashtu potencial për një kthesë të shpejtë," tha Lindner në një intervistë për DW. Ai tha se ekonomia në Gjermani po vuan nga rënia e kërkesës nga Kina. Kjo prek eksportuesit gjermanë më shpejt se të tjerët. Lufta e agresionit rus kundër Ukrainës ka çuar në çmime më të larta të energjisë.

Rritja e normave të interesit, të cilat Banka Qendrore Evropiane i rriti sërish të enjten me 0.25 për qind, në 4.50 për qind, janë gjithashtu frenues për ekonominë. "Ne kemi probleme strukturore për të cilat po punojmë: punëtorët e kualifikuar, energjia, infrastruktura, dixhitalizimi, mjedisi tatimor. Ne po i përmirësojmë këto. Sepse  nga rritja e ekonomise gjermane do të përfitojë Evropa në tërësi," premtoi Lindner në një intervistë për Deutsche Welle.

Presidentja e  Bankës Qendrore Evropiane Christine Lagarde në foton familjare në Santiago de Compostela. (15 shtator 2023)
Foto familjare nga takimi i ministrave të financave dhe krerëve të bankave qëndrore të BE. Fotografi: Miguel Riopa/AFP

Në kërkim të një pakti të ri fiskal

Komisioneri i BE-së për çështje financiare, Paolo Gentiloni, paralajmëroi edhe një herë se ministrat e financave duhet të bien dakord më në fund për një reformë të rregullave të borxhit për buxhetet e tyre. Gentiloni kishte sugjeruar për vendet e euros një relaksim dhe fleksibilitet më të madh të Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes. Por disa vende, me në krye Gjermaninë po bëjnë  thirrje për disiplinë të rreptë buxhetore.

Nga ana tjetër, Franca dhe shumë vende jugore po mbështeten në më shumë investime, edhe nëse ato duhet të financohen me borxhe. "Ne kemi nevojë për rritje më të fortë. Kjo do të thotë se rregullat nuk duhet të pengojnë vendet anëtare të investojnë në inovacion dhe teknologji të reja," kërkoi ministri francez i Financave Bruno Le Maire. "Ky është ekuilibri që duhet të gjejmë."

Lindner: Buxhete publike solide me prioritet për investime

Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner rekomandon një qasje të ndryshme në Evropë në një intervistë për DW: "Mënyra e tretë, dhe unë e rekomandoj atë, është: buxhete publike solide në të cilat ne krijojmë prioritete për investime. Kjo është ajo që ne po bëjmë aktualisht në Gjermani. Deficiti publik po zvogëlohet, politika fiskale jonë është mesatarisht kufizuese”.

Takimi i ministrave të financave të BE-së në Santiago de Compostela, Spanjë, konferencë për shtyp e Eurogrupit
Ende nuk ka marrëveshje për rregullat e reja të borxhit: udhëheqësi i Eurogrupit Donohue, presidentja e BQE-së Lagarde, komisioneri i BE-së Gentiloni, shefi i ESM-së Gramegna (nga e majta në të djathtë)Fotografi: Bernd Riegert/DW

Dhe kjo është e nevojshme për të vazhduar luftimin e inflacionit dhe për të mos penguar politikën e normave të interesit të Bankës Qendrore Evropiane. Norma e investimit në buxhet duhet të rritet. "Të dyja mund të arrihen duke vendosur prioritete, por kjo kërkon guxim për të thënë ndonjëherë atë që nuk është e mundur," tha Lindner në Santiago de Compostela për DW.

Inflacioni pritet të bjerë në dy për qind

Komisioneri i BE-së Paolo Gentiloni kërkon që deri në fund të vitit të jenë gjetur rregullat e reja fiskale. Por diplomatët e BE-së nuk presin shumë lëvizje për këtë çështje. Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, i bëri thirrje BE-së t'i kthehet politikës së përgjegjshme të buxhetit publik. Rregullorja e BE-së për kufizimin e borxhit publik është pezulluar që nga viti 2020 për shkak të krizës së koronës dhe luftës ruse kundër Ukrainës. Borxhi në BE është rritur ndjeshëm. 

Por edhe shpenzimet e mëdha të qeverive nxisin inflacionin në BE, i cili është shumë i lartë në gjashtë përqind. Lagarde tha se dëshiron ta ulë inflacionin në nivelin prej dy përqind.  Por Lagarde e la të hapur se kur do të ndodhë kjo.

Bernd Riegert, me kostum dhe kravatë të kuqe, me kostum blu dhe këmishë bojëqielli.
Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE