Ligji hungarez për OJQ-të bie ndesh me ligjet evropiane
19 Qershor 2020Ligji hungarez për donacionet e huaja për organizatat joqeveritare (OJQ) bie ndesh me ligjet e Bashkimit Evropian. Ky është vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED). Ligji u miratua në vitin 2017 nga shumica e qeverisë së kryeministrit të djathtë, Viktor Orban. Ai përcakton që OJQ-të që marrin fonde nga jashtë duhet të regjistrohen pranë autoriteteve hungareze nëse kalohet një prag i caktuar. Ky informacion do të publikohet në internet dhe po ashtu OJQ-të duhet të deklarojnë në faqen e tyre të internetit dhe në botime të tjera se ato janë një "organizatë e mbështetur nga jashtë".
Kritikët thonë se ligji është sajuar për t'iu kundërvënë donatorit kryesor George Soros. Orban prej vitesh po bën fushatë kundër Sorosit duke përdorur edhe stereotipe antisemitike.
Ligji i parashikon që OJQ-të që marrë më shumë se 7.2 milion forinta (rreth 20,500 euro) në vit nga jashtë, duhet të regjistrohen dhe të deklarojnë edhe çdo donator që e mbështet OJQ-në me mbi 500,000 forinta (rreth 1.500 euro).
Padi e Komisionit të BE-së
Komisioni i BE-së, i cili monitoron respektimin e ligjeve të BE-së në bashkësinë e shteteve anëtare, nisi për shkak të këtij ligji një procedurë kundër Hungarisë. Meqë Budapesti nuk u dorëzua, komisioni ngriti padi para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED). Gjykatësit në Luksemburg tani janë pajtuar me Komisionin e BE-së. Rregullat janë diskriminuese dhe kufizojnë padrejtësisht organizatat në fjalë, por edhe dhuruesit. Ndër të tjera ligji shkel parimin e lëvizjes së lirë të kapitalit. Ai gjithashtu shkel, ndër të tjera, të drejtën për respektimin e jetës private dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Civil Liberties Union for Europe, një organizatë joqeveritare për të drejtat e njeriut për liritë civile në BE, e vlerësoi gjykimin si një sukses të madh. Kjo tregon se ligji hungarez është krijuar vetëm për të ngulfatur debatin dhe kritikën publike duke sulmuar reputacionin dhe financat e organizatave të pavarura, tha Linda Ravo.
Konflikti mbi ligjin për OJQ-të nuk është e vetmja mosmarrëveshje midis Brukselit dhe Budapestit. Vite e fundit Komisioni i BE-së e ka paditur Hungarinë disa herë përpara gjykatës më të lartë të BE-së. Politika hungareze për azilin dhe migracion ka qenë shpesh në fokus. Kohët e fundit, GJED-i vendosi që kampet hungareze të tranzitit për azilkërkuesit shkelin ligjet e BE-së.