Liga Arabe shprehet për krijimin e një zone ndalim-fluturimi mbi Libi
13 Mars 2011Ministrat e Jashtëm të Ligës Arabe i filluan me vonesë këshillimet e tyre në Kajro. Në rendin e ditës të takimit të jashtëzakonshëm ishte vetëm një temë: gjendja në Libi dhe ndalja e gjakderdhjes atje. Pas refuzimit fillestar të Jemenit, Sirisë dhe Algjerisë të gjitha vendet anëtare të Ligës Arabe u shprehën për krijimin e një zone ndalim-fluturimi mbi Libi. Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe Amr Mussa kërkoi nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara që të marrë një vendim për këtë çështje. Qysh para fillimit të takimit në Kajro në një deklaratë dhënë revistës gjermane "Der Spiegel" ai ishte shprehur për një embargo të tillë ajrore. Bëhet fjalë këtu për një aksion humanitar kundër regjimit të Muammar Gaddafit. Ngjashëm mendon edhe Salman Shaikh, drejtori i Institutit Hulumtues në kryeqytetin e Katarit, Doha. Në televizionin arab Al Xhazira ai tha:
"Unë besoj që jemi në rrugë drejt një rezolute serioze të Këshillit të Sigurimit, e cila do të përmbajë një zonë ndalim-fluturimi. Por kjo nuk është përgjegjësi vetëm e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgjegjësinë këtu do të duhej ta mirrte përsipër NATO-ja. Dhe unë mendoj që edhe shtetet arabe do të duhet të përfshihen në këtë proces."
Bashkësia ndërkombëtare duhet t'i japë legjitimetin NATO-s që të vendosë një zonë ndalim-fluturimi kundër Gaddafit, thotë politologu Shaikh.
"Unë besoj se ka ardhur koha që të tregohet vija e kuqe dhe Gaddafit t'i thuhet se ai nuk mund të ngrejë më avionët e tij për të bombarduar civilë të pafajshëm. Përndryshe unë frikësohem se ne do të përjetojmë vazhdimin e sulmeve dhe masakra."
Ministri i Jashtëm i Omanit, Youssef bin Alawi bin Abdullah kërkoi nga shtetet arabe që të ndërhyjnë në Libi. Në fillim të takimit të Ligës Arabe ai tha se kriza kërcënon stabilitetin në vendet arabe. Këshilli kalimtar nga Bengazi në lindje të vendit, i cili përfaqëson interesat e lëvizjes opozitare kërkoi nga Liga Arabe që ta njohë atë si përfaqësues legjitim të Libisë. Në një letër drejtuar sekretarit të Përgjithshëm Amr Mussa udhëheqësit e kryengritrjes përsëriten edhe njëherë kërkesën për ndërhyrje nga jashtë. Ministrat e Jashtëm të Ligës Arabe ranë dakord që të vendosin kontakt me Këshillin Kalimtar Kombëtar në Bengazi.
Nga ana tjetër në Bengazi sa vjen e shtohet frika se trupat e Gaddafit shumë shpejt mund të sulmojnë edhe qytetin e tyre. Kjo për faktin se trupat e Gaddafit po i afrohen gjithnjë e më shumë lindjes duke marrë në kontroll një qytet pas tjetrit. Në të njëjtën kohë rezistencë ka gjithandej edhe në qytetet e rimarra në kontroll nga Gaddafi. Civilë të armatosur mbrohen me guxim kundër fuqisë ushtarake të dikaktorit, i cili është në rrugë që t'i bëjë realitet kërcënimet e tij.
Djali i Gaddafit Saif al Islam ka paralajmëruar para ca ditëve një ofensivë të madhe kundër rebelëve dhe i ka tërhequr vërejetjen bashkësisë ndërkombëtare që të mos përzihet në punët e brendshme të Libisë.
"Nëse duan t'i mbështesin milicët, le ta bëjnë. Por unë ju them atyre: ata do të humbasin dhe në do të fitojmë."
Autor: Bettina Marx / Esat Ahmeti
Redaktoi: Elert Ajazaj