Liga Arabe dhe Siria
23 Janar 2012Liga Arabe kërkon prej Presidentit Assad që të dorëzojë një pjesë të të pushtetit tek zëvendësat e tij. Regjimi i tij duhet të fillojë brenda dy javësh dialogun me opozitën. Ndërsa brenda dy muajsh duhet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme, ndërsa në këtë periudhë vendin duhet të udhëheqë një qeveri e unitetit kombëtar. Assadi dhe qeveria e tij duhet të heqin dorë nga përdorimi i mjeteve ushtarake. Ndërkohë që vëzhguesit ndërkombëtarë duhet të mbeten në këtë vend edhe një muaj.
Edhe ministrat e Jashtëm të BE-së kanë vendosur të hënën (23.01) sanksione të tjera kundër Sirisë në mënyrë që të ndalohet dhuna ndaj kundërshtarëve të qeverisë. Sanksionet e reja drejtohen ndaj 22 anëtarëve të tjerë të udhëheqjes siriane si dhe ndaj tetë sipërmarrjeve, bëhet e ditur në Bruksel. Ndër to janë po ashtu edhe shumë përfaqësues të ushtrisë. Në takimin e sotëm, ministri i Jashtëm holandez Uri Rosenthal kërkoi dorëheqjen e presidentit të Sirisë Baschar al-Assad.
Siria nuk bie dakord me propozimet e Ligës Arabe
Lidhur me këto vendime në Ligën Arabe ekzistojnë mendime të ndryshme. Arabia Saudite ka vendosur të tërheqë vëzhguesit e saj nga misioni në Siri, për shkak të pakënaqësisë me punën e misionit. Regjimi i Sirisë nuk ka zbatuar asnjë prej pikave të planit paqësor, deklaroi Ministri i Jashtëm, princi Saud. Siria ka hedhur poshtë kërkesat më të reja të Ligës Arabe duke i quajtur ato si "përzierje e papërfytyrueshme në punët e brendshme të Sirisë".
Edhe eksperti Faëaz Gerges mendon se do të jetë shumë vështirë që të realizohen këto kërkesa: "Qeveria e Sirisë do të thotë se i ka realizuar planet për reforma, për zgjedhje dhe unitet kombëtar. Më e rëndësishmja pas këtij takimi është përçarja në dy apo tre koalicione brenda Ligës: në njërën anë Katari dhe Arabia Saudite dhe në anën tjetër Egjipti, Algjeria dhe Iraku." Misioni i vëzhguezve të Ligës Arabe ka skaduar që të enjten e kaluar, dhe pa ndonjë sukses të madh. Vëzhguesit nuk guxuan të futen në objektet ushtarake dhe tërë kohën përcilleshin nga njerëz të shërbimit sekret.
Nadim Khoury nga organizata Human Rights Watch megjithatë mendon se duhen bërë publike të gjitha përvojat e këtij misioni. "Për të parandaluar vazhdimin e dhunës së regjimit sirian do të duhej që Liga Arabe të bëjë publike ato që ka parë në këtë vend.
Frika nga destabilizimi rajonit
Përvojat nuk duhet të mbeten sekrete të Ligës Arabe, sepse fjala është edhe për besueshmërinë e Ligës. Ka pasur edhe kritika se në këtë mision janë dërguar vëzhgues pa përvojë. Ne të gjtihë duhet ta dimë se çfarë është bërë në 30 ditët e kaluara", pohon Khoury.
Përçarja në Ligën Arabe është bërë shumë e qartë: disa duan të shtojnë presionin ndaj Assadit (Katari kërkon madje edhe ndërhyrje ushtarake), disa kanë frikë nga destabilizimi i rajonit, ndërsa të fundit kanë frikë nga pasojat që kjo mund të ketë për regjimet e tyre.
Assadi është i gatshëm për vazhdimin e misionit të Ligës Arabe, por vetëm sipas rregullave të tij. Ai e di se jo vetëm Liga Arabe por edhe vendet perëndimore janë kundër regjimit të tij. Por ndërhyrja nuk është në rend dite, sepse kjo mund të ketë pasoja të rënda për tërë Lindjen e Mesme. Ndërsa në KS të OKB Siria ka mbështetjen e Rusisë dhe Kinës, të cilat kanë penguar deri tani miratimin e rezolutave kundër saj. Dyshohet pra që Siria do t'i mbetet besnike politikës së tanishme, për shkak të përçarjeve në Ligën Arabe dhe bashkësinë ndërkombëtare.
Autor: Ulrich Leidtholt/Bahri Cani
Redaktoi: Lindita Arapi